Jam një vajzë 13-vjeçare dhe kam një problem në lidhje me besimin në vetvete, kur jam në gjendje të nxehur. Gjithmonë jam viktimë e marrjes nëpër këmbë në shkollë nga bashkëmoshatarët e mi. Dua shumë që ta kem më të lehtë përballjen me ta dhe ta kem të qartë me vetveten se si t’ia dal mbanë. Si më këshilloni?
Ah, adoleshenca është mosha ime e parapëlqyer. Një adoleshent nuk e ka aspak të lehtë rrugëtimin e tij drejt identifikimit. Është një periudhë moshe ku tranzicionet janë të mëdha dhe për shumicën prej tyre, janë të “dhimbshme”.
Të kërkosh të ‘ndahesh’ nga “placenta” e sigurt e adultëve, e familjes, për të siguruar funksionet e personalitetit tënd autentik, i cili prej kohësh kërkon të dalë në ‘skenë’, nuk është një realitet që përthithet lehtë. Shpesh, e gjithë kjo përpjekje për “zgjidhje” kalon në mendime konfuze. Ndaj dhe adoleshentët e kanë të vështirë të vetpërcaktohen, dhe provojnë vazhdimisht rolin e tyre në shoqëri, aftësi, etj.
E gjithë kjo hyrje, shërben për t’ju inkurajuar se në fazat tranzitore, gjendet bulëza të vetëvlerësimit të ulët. Vështirësia për t’i kthyer përgjigje vetvetes rreth asaj që ju jeni, kërkon kohë dhe pjekuri. Deri atëherë, luhatjet e natyrës psikoemocionale apo psikoafektive do të jenë prezentë. Kur ju nxeheni, ngarkesa emocionale mund t’ju bëjë akoma më konfuz mbi analizimin e situatës sociale në të cilën gjendeni.
Por, provoni ta shikoni më nga lart situatën. Nëse do t’i ndanim me ekipe, cili prej ekipeve është në ‘gabim’? Sigurisht që ju ishit në rrugën tuaj dhe dikush jua zuri në mes, pra shokët u futën në jetën tuaj dhe ju marrin nëpër këmbë. Pra, krenohuni me faktin që në personalitetin tuaj, ju nuk shfaqni elementë të karakterit agresiv ndaj të tjerëve. Mësoni ta doni këtë virtyt.
Së dyti, mësoni të mësoni nga ngjarje të këtilla. Provoni ta trajtoni ngjarjen me më pak tragjedi. Trajtoheni me banalitetin që meriton tallja dhe përbuzja, duke e parë veten, sërish, superiore. Fundja, pema që ka kokrra gjuhet, ndryshe përse dot ndjenin kënaqësi të të ngacmonin?!
Së treti, provoni ta injoroni. Ky është një ushtrim jo shumë i lehtë, por ju mund t’ia dilni. Ky mund të jetë një reagim indirekt dhe jo direkt, i cili do t’ju intimidonte si në rastet për të cilat flisni. Nëse ka përbuzje dhe tallje, provoni të mos reagoni ndaj tyre, ose qeshni edhe ju me ato. Me siguri që nuk do të ketë më ‘zbavitje’ mbas kësaj, dhe sjellja e pa shpërblyer me zbavitje, ka shumë gjasa që të shuhet. Duaje veten ashtu sikurse ajo ju shpaloset, E BUKUR.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.