Posta

November 2, 2019 | 8:05

Posta nga Denata Toçe / Si ta harroj tradhtinë e tim shoqi?

 

Përshëndetje psikologe Denata! Respekt për shkrimet tuaja. Do ta vlerësoja pa fund një mendim nga ju. Jam 28 vjeçe, e martuar me një vajzë 5 vjeçe. Kam 7 vjet e martuar me njeriun që doja më shumë në jetë. Jetoja një martesë të lumtur, të paktën deri para dy muajsh kur zbulova tradhtinë e tim shoqi me një femër të divorcuar me dy fëmijë. Ma pranoi tradhtinë dhe, në gjendje të rëndë psikologjike, u largova nga shtëpia për një javë. Pas shumë lutjesh nga im shoq, u ktheva përsëri, pavarësisht shkatërrimit që pësova. Nuk mund ta imagjinoja jetën pa dashurinë time. Edhe pse vendosa ta fal, s’po mundem dot të harroj. Çdo çast më duket sikur më gënjen. Më duket sikur do të jem unë shkaktarja e divorcit, duke ia kujtuar çdo herë. Ai pranon se ka kryer vetëm një herë marrëdhënie me të, por mua kjo gjë po më shkatërron. Nuk di më të jetoj, nuk ha, nuk fle mirë, jam shumë nervoze. Ju lutem, kam nevojë për këshilla si të harroj, se nuk dua divorc. Dua ta ruaj familjen time. Me respekt L.

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

E dashur lexuese. Ju falënderoj që më shkruat. E kuptoj që situata juaj nuk është e lehtë. Duhet t’ju them se jeni treguar mjaft kurajoze që keni pranuar ta falni burrin tuaj. Përpjekja juaj është shumë e madhe dhe tashmë ju keni zgjedhur familjen dhe jo ndarjen.

Fakti që bashkëshorti ka shkuar me një person tjetër, e ka lëkundur besimin tuaj dhe mendimet dyshuese janë të zakonta në këtë situatë. E rëndësishme është që të kuptoni se, nuk është përpjekja ajo që sjell “faljen”, por mbi të gjitha konsumimi i “faljes”.

Do t’ju duhet që secili prej jush të mund të reflektojë për marrëdhënien me veten dhe me njëri–tjetrin, duke e ndarë së bashku. Kur partneri ndan dëshira seksuale me partnerë të tjerë jashtë familjes, do të thotë që këto dëshira ekzistojnë.

Është e udhës që të mund të konsumohet midis komunikimit brenda çiftit dhe të mund të shikohen vështirësitë që ju keni me njëri-tjetrin në këtë drejtim. Me këtë nuk po them që është faji juaj, më këtë dua të them që është një “detyrë shtëpie” që parterët shpesh e neglizhojnë me njëri-tjetrin.

T’i kërkosh kënaqësitë diku tjetër, është rruga më e thjeshtë, porse më pas kthehet në rrugën më të vështirë. Të mund të ridimensionosh marrëdhënien është rrugë e vështirë në fillim, por përfiton një marrëdhënie më të lehtësuar nga trazirat e emocioneve, dëshirave dhe mendimeve që janë të natyrshme në jetën e njeriut.

Nëse këtë ballafaqim me veten e keni të vështirë ta orientoni, është e udhës që të mund të kërkoni ndihmën e profesionistëve të fushës. Këshillimi në çift është një proces mjaft i shëndetshëm dhe mund të keni mundësi të zbuloni gjëra me vlerë për njëri-tjetrin. Suksese!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top