Posta

August 17, 2019 | 8:08

POSTA nga Denata TOÇE / Si ta kaloj dhimbjen?

Jam 29 vjeçe dhe jeta ime duket një makth. Në pjesën më të madhe të kohës provoj dhimbje, e kam zemrën të copëtuar, dhe kam provuar gjithçka me gjithë angazhimin e mundshëm për t’i rikthyer dritën jetën time… por shpirti im qëndron në dhimbje, në errësirë. Dëshiroj me gjithë qenien time të jem mirë, të jem plot dritë dhe e qetë, por në fakt çdo rast mund të duket në fillim i bukur, por më pas transformohet në një burim të ri, dhimbjeje dhe frustrimi dhe unë nuk mund të jem më vetvetja. Si t’ia dal?

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Përshëndetje i dashur lexues. Jeta nuk është film përrallash, ku çdo gjë përfundon me një lumturi të madhe dhe nuk ka më dhimbje. Sigurisht që optimizmi është një gjendje e nevojshme psikologjike, pra perceptimi i jetës me nota pozitive na jep mirëqenie emocionale, por nuk ka një burim afatgjatë. Njeriu kalon gjendje emocionale sikundër ndryshon dhe vet koha. Ndoshta jo me të njëjtën shpejtësi apo ngadalësi, por është e larmishme.

Pra, do të duhet të përjetojmë një kohë me re dhe me shi për t’iu gëzuar ditëve me diell. Pas disa ditëve me diell, freskia e një angazhimi për të zgjidhur një problem, është një mënyrë për të qenë aktiv. Jeta do të ishte e mërzitshme, shumë monotone nëse do të përjetohej vetëm lumturi. Në jetë nuk ekziston një gjë e këtillë, ka vetëm çaste të lumtura. Por, sigurisht, gjendja e përgjithshme, mënyra e të menduarit, kapërcyerit të problemeve, besimi në vetvete për t’ia dalë, janë mekanizma që na duhen të kalojmë momentet e vështira. Kur këto duket se janë të brishta, të dobësuara, tek njeriu dominon ndjenja e pesimizmit, i shikon gjërat me negativitet pasi besimi në vetvete është i ulët.

Shoqërimi i letrës suaj është i mbushur me mendime se nuk ia dilni dot. Ju tashmë në fakt keni bërë hapin e rëndësishëm, që të kërkoni të keni një përmirësim. Nëse vëreni që vetëm e keni pak të vështirë të rifitoni këto mekanizma, dhe kjo e pengon seriozisht jetën e përditshme, atëherë do të duhet t’i drejtoheni një psikologu klinicist ku mund të merrni disa takime për të përmirësuar jetën tuaj psikoemocionale dhe të orientoheni për të rigjetur mekanizmat tuaj të forcës, të cilat jam e sigurt që janë atje me ju. Suksese!

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 140

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top