Përshëndetje e nderuar. Nëna ime e diagnostikuar me sëmundje të rëndë, kancer, iu nënshtrua para dy muajsh një operacioni. Mjekët thanë se çdo gjë shkoi me sukses, por që sipas protokollit duhet të vazhdojmë me kurat e kimioterapisë dhe një regjimi ushqimor korrekt që shoqërohet në të tilla raste. Përballja me spitalet në këto kushte ishte për herë të parë për nënën time. Ajo që më shqetëson është fakti se ajo nuk po ambientohet me terapinë. Qan çdo ditë dhe po tretet nga frika. Edhe pse mjekja onkologe apo stafi spitalor i kanë shpjeguar rëndësinë e këtij protokolli, ajo i trembet fort asaj që jeta e sfidoi. Si mund ta ndihmoj?
Përshëndetje e dashur lexuese. Përballja me një sëmundje terminale sikurse është tumori, krijon lëndime psiko-emocionale si individuale tek personi që po e përjeton ashtu edhe familjare. Këto lëndime kërkojnë kohën e nevojshme për t’u ambientuar, në varësi të ecurisë së nivelit të sëmundjes. Sa më herët të kapet vështirësia, aq më të mëdha janë shpresat. Megjithatë, përballja me mundësitë e mbarimit të jetës, sado e vogël në përqindje, është një traumë në vetvete dhe pikërisht kjo ngjall ankth, frikë dhe ndonjëherë panik. Gjithashtu edhe zemërim apo deprimim.
Në këto raste është e udhës që individi të mund të marrë një mbështetje profesionale, e cila e drejton ndaj përzgjedhjes së mundësive të mira dhe të shëndetshme për të vazhduar: shoqërimi i procesit të kimioterapisë me regjim të mirë ushqimor dhe me një regjim të kënaqshëm në kontakt me natyrën. Kontakti me njerëzit mund të jetë i lodhshëm, ndoshta më vonë mund të jetë më i rekomandueshëm, pasi personi humbet disa cilësi të cilat nuk ka shumë dëshirë t’i ekspozojë si humbja e flokëve dhe mbipesha.
Por njerëzit e afërm janë shumë të rëndësishëm. Prezantimi i kimioterapisë si mundësia drejt jetës dhe jo shkatërrimit, pasi kimioterapia shoqërohet automatikisht me tumorin dhe vdekjen, ndaj dhe shumë individë tremben. Ju do të duhet ta shoqëroni me mundësinë e jetës, që pa atë është e vështirë t’ia dalësh. Zakonisht, që individi i sëmurë të mos përballet me procesin e rënies së flokëve, sugjerohet që të mund t’i eliminojë ato vet në parukeri përpara se të fillojë kimion dhe të mund të përgatitet një paruke identike si flokët e mëparshëm të pacientit. Këto janë disa prej hapave që ju si familjarë mund të ndiqni me nënën tuaj. Kërkon mbështetje, dhe aspak deklarata mohuese, se nuk ka pse të ketë frikë se çdo gjë do të kalojë.
Lëreni nënën tuaj të përjetojë ndjesinë e zemërimit, frikës dhe më pas do të kalojë në një fazë pranimi ku ka shumë mundësi, që me një trajtim të mirë dhe të suksesshëm, do të fillojë të gjejë edhe optimizmin që i duhet. Nëse gjendja rëndohet, do të duhet t’i drejtoheni një profesionisti për marrjen e një trajtimi terapeutik të mundshëm.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 143
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.