Posta

February 17, 2020 | 8:05

Posta nga Denata Toçe / Si ta ndihmoj vëllanë?

 

E shkruaj këtë mail sepse dua të ndihmoj vëllanë tim. Është 23 vjeç dhe mbyllet në dhomën e tij pa asnjë motiv. Fle gjithë ditën, çohet vetëm për të ngrënë drekë, sheh TV gjatë të gjithë kohës. E kam pyetur se çfarë e ka munduar këto kohë, por hesht. Ai e ka tipin e ndrojtur, por jo aq sa të jetë i pashoqërueshëm. Si t’ia bëj? 

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Është një e mirë e madhe t’i qëndrosh pranë familjes. Midis vëllezërish, marrëdhënia është tejet e veçantë, sidomos motra për vëllanë. Një ditë, u gjenda në një ambient kopshti, ku gjendeshin rreth 30 fëmijë. I vizitova me shumë kënaqësi dhe secili prej tyre më dhuroi një dashuri shumë të madhe. Në një mënyrë apo tjetrën, fëmijët u qasën dhe secili tregojë temperamentin e tij. Shumica prej tyre nuk kishin nevojë t’i pyesje sepse e fillonin bisedën vet të parët, por disa prej tyre pranuan të qëndrojnë ulur, veçmas dhe e vëzhgonin situatën nga larg.

Në sytë e tyre dukej dëshira për të marrë pjesë, por jo më afër se nga ku ishin. Kështu vendosa të respektoj natyrën e tyre. Fundja, ata janë të ndrojtur. Njëri prej tyre, një djalë katër vjeç, u afrua i fundit, me shumë ngadalë, duke i kaluar karriget një e nga një. Sa shumë dëshirë kisha ta pushtoja, pasi fytyra e tij e çiltër dhe e ëmbël po me rrëmbente, por natyralisht prita të afrohej vet, dhe të respektoja vendimin e personalitetit që mbarte. Kaluan pak orë, dhe fëmija ishte ulur në prehrin tim, dhe të dy bashkë, pa folur shumë, po ndanim të njëjtën lojë.

Me këtë histori dua t’ju tregoj se dëshira dhe meraku juaj, mund të tregohet me prezencën tuaj. Kjo është ndihma që mund t’i ofroni vëllait. Mos jepni përgjigje për një pyetje që nuk ju është bërë, dhe mos jepni asnjë mendim apo ndihmë pa jua kërkuar. Nëse vëllai yt ka nevojë për ju, me siguri që do t’ju qaset. Ajo që mund të bëni, është të propozoni aktivitete të përbashkëta dhe mbi të gjitha, t’i shprehni apo komunikoni se si ndjeheni. Tregojini merakun tuaj për të, por pa qenë kurioze, cenuese e privatësisë së përzgjedhur prej tij.

Jini diskrete, e matur për të vëzhguar dhe pritur lëvizjet e para që të vijnë nga vëllai juaj. Me siguri që do të ndjeheni e përgatitur ta ndihmoni në momentin e duhur.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top