Posta

May 24, 2018 | 14:11

POSTA nga Denata Toçe / Si ta shpëtoj martesën?…Përqafoni veten dhe vlerat tuaja

Përshëndetje, kam shumë nevojë për ndihmë. Jam afër divorcit me burrin tim. Unë e dua shumë atë. Kur i kërkoj të bisedojmë, ai nuk pranon. Arsyeja e divorcit është se unë jam shumë xheloze dhe se nuk kam për të ndryshuar kurrë. Ai më thotë se nuk meritoj më asnjë shans. Mirëpo im shoq më ka bërë të dyshoj shumë herë tek ai. Ka biseduar me të tjera në Facebook para syve të mi dhe kështu unë debatoja se ai më tradhton. Ndër arsyet kryesore është se im shoq vuan nga sëmundja e pornografisë, (për ju si psikologe besoj se është e njohur kjo), dhe shumë herë nuk ndjen asgjë. Dua ta ndihmoj shumë, me gjithë zemër, por nuk më beson. Ai është i varur nga pornografia, bëhet shumë keq kohë mbas kohe, ka vetëm jetën e tij dhe qejfet e veta. Ndihem e lënë pas dore dhe shumë e vetmuar. S’po di të mendoj pozitivisht dhe as të veproj drejt. Dua nga ju një këshillë si ta ndihmoj të shërohet nga ky fakt. Jam e vetme dhe dua të përmirësoj gjendjen tonë, prandaj e shoh si një plus të madh t’ju kërkoj ndihmë, pasi dua t’ia dal mbanë. Ju faleminderit.

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

E dashur lexuese e revistës.

Duket sikur ju kërkoni të jeni pjesë e një marrëdhënieje, e cila në marrje dhe dhënie nuk është e drejtë. Pra, ju kërkoni të jepni dhe të bëni gjithçka për bashkëshortin tuaj, por nga ana tjetër ai ju kërkon divorcin duke mos bërë thuajse asnjë gjë për t’ju pasur pranë. Duket si një marrëdhënie jo shumë e drejtë, e kthyer në një përpjekje lufte me mullinjtë e erës.

Personalisht, i kam vlerësuar partnerët që kërkojnë të përmirësojnë dhe të gjejnë zgjidhje të vazhdueshme për të mirëmbajtur marrëdhënien, por kjo vlen të praktikohet kur pritshmëritë dhe synimet e secilit prej tyre janë të ngjashme. Në rastin tuaj, ju keni pritshmëri të tjera dhe krejtësisht të ndryshme nga njëri-tjetri.

Ndaj, do të duhet të vlerësoni me kujdes se çfarë kërkoni ju vetë. Cili është partneri që kërkoni të keni? Cila është jeta seksuale që kërkoni? A ju bën partneri të ndiheni mirë me veten tuaj në procesin erotik dhe sensual? A ndjeheni një person më i mirë kur jeni me të?

Zgjedhjet tona janë shumë të rëndësishme në përjetimin e një marrëdhënieje. Shpeshherë viktimizojmë veten dhe ankohemi për rrethanat në të cilat gjendemi. Flasim dhe ankohemi për absurditete të partnerit, por pyetja që lind është, çfarë bëtë ju që kjo të mos kthehet në një “fatkeqësi” të radhës?

Do të ishte zgjidhja më e mirë që personi në krahun tuaj të sjellë ndryshimin që ju prisni, por mendoj se ky ndryshim vjen si kërkesë thelbësisht e nevojshme nga ana e tij, dhe me mbështetjen e partnerit në rastin më të mirë.

Nëse ju e bazoni xhelozinë në faktorët e përshkruar si më sipër, duket racionale, pasi bazohet në të dhëna që ekzistojnë dhe sjellin çekuilibër në marrëdhënie, duke prekur ndjeshëm besimin tuaj. Nëse xhelozia është e bazuar në hamendësime dhe leximin e paraprirë të një situate që nuk ekziston dhe nuk e dimë nëse do të ekzistojë, atëherë kemi të bëjmë me një xhelozi irracionale.

Kujtoni veten tuaj përpara se të ishit në krah të partnerit dhe më pas kujtohuni të përqafoni veten dhe vlerat tuaja.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 125

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top