Shqetësimi im është bërë konstant që kur vjehrri u kthye nga emigracioni bashkë me gruan e tij të dytë. Me idenë e bashkimit, si dhe që fëmijët tanë të kishin dashurinë e pakursyer të gjyshërve, lejuam të frekuentoheshim, por në respektim të kushteve tona. Im shoq ka dhe të ëmën, gjyshe me rol të veçantë. Ajo që më bezdis është gruaja e vjehrrit, e cila kërkon me çdo kusht të ndikojë te fëmijët, si dhe në ekuilibrin tonë familjar. Fëmijët ndihen të çorientuar në këtë situatë, pasi ata e kanë gjyshen e tyre nga ana e babait? Për më tepër, vjehrri im nuk bën asgjë për ta qetësuar këtë situatë.
Kjo situatë e ka burimin, koklavitjen dhe zanafillën vite më parë, ndaj dhe si e këtillë nuk zgjidhet duke reaguar në raport me ndërtimin e këndvështrimeve qartësisht të ndryshme të palëve, por me anë të komunikimit që ju mund të kryeni me familjen tuaj.
Ndani shqetësimin tuaj me bashkëshortin. Tregojini atij faktin se e kuptoni se si ndihet në raport me situatën në fjalë, sikundër e përshkrova më sipër. Jepini mundësinë të mendojë se realisht ai ndihet keq dhe se ju e kuptoni shumë mirë. Më pas tregojini se si ndiheni ju dhe fëmijët.
Pas kësaj i vjen radha procesit të menaxhimit.
Tregojini se ju mund ta menaxhoni situatën, duke organizuar kohën me të dyja vjehrrat. Komunikoni më pas me fëmijët dhe tregojuni realitetin e situatës, duke ua bërë të qartë se “ndodh edhe kështu” dhe se kjo nuk është pjesë vetëm e familjes së tyre. Gjithashtu tregojuni se e kuptoni shumë mirë se si ndihen ata, se kanë të drejtë të duan gjyshen e tyre biologjike dhe ta takojnë atë si të duan ata dhe gruan e dytë të gjyshit, ta respektojnë si partneren e tij, por që nuk janë të detyruar ta quajnë gjyshe dhe as ta konsiderojnë si të këtillë.
Komunikojuni fëmijëve se kanë të drejtë ta vendosin se kur mund ta takojnë. Kjo do të ndihmojnë në organizimin tuaj. Më pas, filloni të organizoni kohën për t’iu bashkuar familjes së vjehrrit me gruan e tij të dytë.
Vendoseni ju kur dhe ku do të takoheni. Ju mund dhe keni të drejtë të thoni “jo!”. Kështu nuk jeni e detyruar, sikundër për çdo marrëdhënie tjetër, të silleni ndryshe nga se mendoni. Fundja, gruaja e dytë e vjehrrit tuaj, e cila mund të jetë person shumë i respektuar, mbetet të konsiderohet si e këtillë dhe vjehrra reale si gjyshja e fëmijëve.
Edhe pse në vetvete këto janë marrëdhënie që shkaktojnë efekt në veprimet tona të përditshme për të amortizuar sa më shumë të jetë e mundur problemet e mundshme, ju ftoj të qetësoheni dhe t’i jepni Çezarit çfarë i takon Çezarit.
Çdokush i rëndësishëm, në vendin e tij.
Fundja, çdo sjellje në konflikt te persona të tretë nuk është as faji dhe as problemi juaj për ta zgjidhur. Thjesht vazhdoni të komunikoni DREJTË me fëmijët tuaj.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.