Jam një person që nxitoj gjithnjë, prirem të bëj shumë gjëra në të njëjtën kohë dhe ndoshta për shkak të kësaj mënyre të të funksionuarit, unë i humbas gjithnjë gjërat: abonenë e autobusit, celularin, faturën e pastrimit kimik… A ka një mënyrë që unë të bëhem më e kujdesshme? Afërdita.
Përshëndetje Afërdita. Nxiton vërtet kaq shumë? Po për ku?! Më bëhet qejfi mbi të gjitha që ke nxituar të shkruash edhe këtë letër. Në këtë rast kuptoj që ke ndaluar për një sekondë të mendosh për veten tënde. Duhet ta bësh më shpesh.
Të humbasësh abonenë, celularin, faturën e pastrimit kimik nuk është tragjike dhe kjo kuptohet. Më tragjike do të ishte të humbisje vetveten. Çfarë dua të them me këtë është kujdesi më shumë i unit, i vetes tënde, të bën mbi të gjitha të kesh një përqendrim më të mirë, një reduktim real të stresit.
Nëse ju fokusoheni më shumë tek nevojat e vetes, nuk do të nxitonit, për të mbaruar shumë punë njëherësh. Mund të ndodhë që ju të jeni një person pasiv në sjelljen tuaj.
Të mos arrini t’u thoni dot “jo” punëve ose personave me të cilët keni të bëni në përditshmëri. A mund të jenë këto arsyet që ju ngarkojnë kohën? Ose një arsye tjetër mund të jetë keqadministrimi i kohës suaj. Ky është një element që mund të shkaktojë shumë stres.
Ekzistojnë teknika për menaxhimin e kohës. Unë do t’ju këshilloja të përdorni teknikën e “tre sirtarëve dhe koshit të letrave…” Karaj. Th; Psikologjia e stresit (2005). Kjo teknikë sugjeron fillimisht të klasifikoni aktivitetet tuaja sipas prioriteteve:
SIRTARI I SIPËRM: vendosni aktivitetet më të rëndësishme që do të bëni këtë javë ose sot.
SIRTARI I MESIT: vendosni aktivitetet që do të dëshironit të bënit këtë javë ose sot, por që edhe mund të lihen mënjanë, nëse është e nevojshme.
SIRTARI I POSHTËM: vendosni ato aktivitete që mund t’i kryeni vetëm nëse përfundoni aktivitetet e përfshira në sirtarët e mësipërm.
KOSHI I LETRAVE: vendosni aktivitetet kohëhumbëse, të cilat nuk ka pse t’i kryeni (p.sh, vërdallosja). Duke menaxhuar mirë kohën, shtohet niveli i përqendrimit edhe tek gjërat më të vogla, që në dukje të japin përshtypjen sikur nuk janë aq të rëndësishme, por që mund të ndikojnë në rritjen e nivelit të stresit. Ndonjëherë nuk janë gjërat e mëdha që na stresojnë, por lidhësja e këpucës që këputet kur je duke vrapuar për të shkuar në punë në orar
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.