Posta

December 7, 2019 | 8:06

Posta nga Denata Toçe / Si të fitoj besimin në vetvete?

Jam një vajzë 13-vjeçare dhe kam një problem në lidhje me besimin në vetvete, kur jam në gjendje të nxehur. Gjithmonë jam viktimë e marrjes nëpër këmbë në shkollë nga bashkëmoshatarët e mi. Dua shumë që ta kem më të lehtë përballjen me ta dhe ta kem të qartë me vetveten se si t’ia dal mbanë. Si më këshilloni?

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Adoleshenca është mosha ime e parapëlqyer. Një adoleshent nuk e ka aspak të lehtë rrugëtimin e tij drejt identifikimit. Është një periudhë moshe kur tranzicionet janë të mëdha dhe për shumicën prej tyre janë “të dhimbshme”.

Të kërkosh të “ndahesh” nga “placenta” e sigurt e adultëve, e familjes, për të siguruar funksionet e personalitetit tënd autentik, i cili prej kohësh kërkon të dalë në “skenë”, nuk është një realitet që përthithet lehtë. Shpesh, e gjithë kjo përpjekje për “zgjidhje” kalon në mendime konfuze.

Ndaj dhe adoleshentët e kanë të vështirë të vetëpërcaktohen dhe provojnë vazhdimisht rolin e tyre në shoqëri, aftësi etj. E gjithë kjo hyrje shërben për t’ju inkurajuar se në fazat tranzitore gjenden bulëza të vetëvlerësimit të ulët.

Vështirësia për t’i kthyer përgjigje vetvetes rreth asaj që ju jeni, kërkon kohë dhe pjekuri. Deri atëherë, luhatjet e natyrës psikoemocionale apo psikoafektive do të jenë prezente.

Kur ju nxeheni, ngarkesa emocionale mund t’ju bëjë akoma më konfuzë mbi analizimin e situatës sociale në të cilën gjendeni. Por, provoni ta shikoni më nga lart situatën. Nëse do t’i ndanim me ekipe, cili prej ekipeve është në “gabim”? Sigurisht që ju ishit në rrugën tuaj dhe dikush jua preu atë, pra shokët u futën në jetën tuaj dhe ju marrin nëpër këmbë.

Pra, krenohuni me faktin që në personalitetin tuaj, ju nuk shfaqni elementë të karakterit agresiv ndaj të tjerëve. Mësoni ta doni këtë virtyt. Së dyti, përpiquni të mësoni nga ngjarje të këtilla. Provoni ta trajtoni ngjarjen me më pak tragjedi. Trajtojeni me banalitetin që meriton tallja dhe përbuzja, duke e parë veten sërish superiore. Fundja, pema që ka kokrra gjuhet, ndryshe përse do të ndjenin kënaqësi t’ju ngacmonin?!

Së treti, provoni ta injoroni. Ky është një ushtrim jo shumë i lehtë, por ju mund t’ia dilni. Ky mund të jetë një reagim indirekt dhe jo direkt, i cili do t’ju frikësonte si në rastet për të cilat flisni. Nëse ka përbuzje dhe tallje, provoni të mos reagoni ndaj tyre, ose qeshni edhe ju me ato. Me siguri nuk do të ketë më “zbavitje” mbas kësaj, dhe sjellja e pashpërblyer me zbavitje ka shumë gjasa që të shuhet.

Duaje veten ashtu sikurse ajo ju shpaloset, E BUKUR.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top