Prej 7 vitesh kam krijuar familjen time. Jam e kënaqur me realizimin e saj. Por ajo që më shqetëson është një ndjesi tjetër. Që kur jam shkëputur nga prindërit e mi, sjellja e tyre ka një tjetër trajtesë. Ata nuk reshtin së më këshilluari dhe shkojnë deri aty sa të më udhëheqin e të më thonë: Bëj si të themi ne. Janë situata për të cilat ata kërkojnë të të rendin sipas pritshmërive të tyre dhe pëlqimeve kundrejt të afërmve apo miqve të përbashkët. Herë pas here ua bëj të qartë se unë nuk mund t’i ndjek pas veprimet e tyre sepse jemi familje më vete. Por ndonjëherë më duket se ata me egoizmin e tyre kërkojnë të na ndajnë dhe të krijojmë lidhje sociale aspak të shëndetshme edhe për familjen time. Më thoni si t’ua mbush mendjen për të kundërtën?
Kjo situatë është e rëndësishme edhe për shumë prej lexuesve të cilët ende kanë marrëdhënie të ngushta me prindërit e tyre, duke mos i dhënë frymëmarrje familjes së re. Të kuptohemi, prindërit janë shumë të rëndësishëm në jetën tonë, por “misioni” i tyre është: “Jeto me fëmijët dhe jo për fëmijët!” Ky mesazh është edhe për vet fëmijët të cilët bashkë-ndajnë jetesën me njerëzit e dashur, por pa prekur vetë sakrificën në përkushtim, pa qenë e nevojshme një gjë e këtillë.
Ne lindim në këtë botë të vetëm për të qenë së bashku, por fundja jemi qenie të pavarura në funksionim të botës ku jetojmë, ndaj dhe ka mosmarrëveshje kur përballemi me elementë si në situatën tuaj ku rrugëtimi i marrëdhënieve familjare është i gjatë dhe shpeshherë i vështirë.
Ju në letrën tuaj më pyesni: “Si t’ia mbush mendjen prindërve!?” Menjëherë unë po mendoja: “Si t’jua mbush mendjen ju që të mos ia mbushësh mendjen prindërve?!” Do thoni ju, e çfarë ndihme po me jep kjo Denata!
E kuptoj që është e lodhshme të ndjehesh i/e detyruar të veprosh sipas dëshirave të të tjerëve, por përpara se të kërkoni të ndryshoni qëndrimin e tjetrit, në këtë rast të prindit, pse nuk i hidhni një vështrim veprimeve tuaja? Çfarë keni bërë ju që prindërit tuaj të kenë kaq shumë hapësirë për të qenë intruziv në jetën tuaj? Sipas asaj që besoj unë, një sjellje e cila shpërblehet, ka shumë gjasa që të përsëritet.
Pyetja ime është: cili është shpërblimi që i keni dhënë prindërve tuaj të cilët ndjehen kaq të motivuar për t’i dhënë të drejtë vetes së tyre për të dhënë udhëzimet e tyre në jetën tuaj? Ndoshta përmbushja e këtyre të fundit?! Ndoshta… mendoj se sjellja juaj, qëndrimi që do të mbani ka shumë mundësi të kthejë situatën në favorin tuaj. Duke i dhënë fillimisht një shpjegim racional sikurse më shkruani në letër, nëpërmjet rrugëve të komunikimit, e duke i thënë “JO!” kërkesave të prindërve, e më pas duke injoruar reagimet emocionale, emotive post-JO-së, ka shumë të ngjarë që sjelljet e padëshiruara nga ju do të “shuhen” me kalimin e kohës, e ndoshta prindërit tuaj mund të më drejtohen me një letër se si të bindin fëmijën e tyre që t’i dëgjojë.
Me pak fjalë, stimuloni sa më shumë veten drejt vendimeve personale, dhe vendimi i parë është: i thuaj JO kërkesave irracionale, kushdo qoftë burimi prej të cilit vijnë. Jua siguroj që ju sërish i doni shumë prindërit tuaj dhe e kundërta.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.