Jam një djalë rreth 33 vjeç. Problemi im është se nuk arrij të zbatoj në praktikë projektet e mia. Ndonjëherë jam vullkan me ide, madje brenda një dite arrij të thur gjithçka në mendjen time, por kur bëhet fjalë për t’i vënë në zbatim këto dëshira, nuk ia dal. Jam një ngatërrestar, siç thotë dhe e fejuara ime. Bëj shumë konfuzion. Jam gjithashtu edhe ca dembel dhe kjo s’e bën aspak të lehtë situatën.
Situata juaj më kujton tipikisht ata individë me prirje perfeksioniste, të cilët mendojnë rutinë: O gjithçka, o asgjë. Realiteti na përplas në fytyrë çdo ditë se të realizosh gjithçka në mënyrë perfekte është e pamundur, ndaj dhe përfundojmë e nuk bëjmë asnjë gjë. Sigurisht, nuk mendoj se ju jeni perfeksionist, por kuptoj nga letra se ju keni prirje të mendoni “ose e zezë, ose e bardhë!” Mendoj se është shumë e rëndësishme të filloni nga diçka. “Dembelizmi” është i lidhur shumë me motivacionin.
Mendoni se çfarë mund t’ju motivonte më shumë, të lexoni një faqe libri në një ditë apo 300 faqe në një ditë. Sigurisht që 300 fq. në ditë, konsumojnë shumë energji, ankth dhe dëshpërim në mendime se ndoshta nuk i arrin dot t’i realizosh. Duke menduar dështimin, me të ngjarë se do të ndodh, nuk është e lehtë të përballesh. Ju keni shumë ide, të cilat ju vijnë si vullkan, shkruani në letër.
Mos u preokuponi të nxirrni në pah idenë më madhështore, por të nxirrni në pah idenë më modeste që ju vjen në mendje, dhe keni kohë ta realizoni në mënyrë “madhështore”.
Filozofia është kjo: “Mos bëni gjëra të mëdha, por bëni gjëra të vogla me kuptim të madh”. Kuptimin e asaj që bëni, vlen ta keni për veten tuaj, se fundja shpërblimi është i juaji e më pas çdo “bonus” tjetër është i mirëpritur. Ju nuk jeni një ngatërrestar. Ju thjesht jeni një individ, në kërkim të identitetit tuaj: Ku dhe si do të mund të shërbejë më mirë në këtë jetën time, e cila është një e vetme. Ju keni të drejtë të mendoni kështu, por ju ftojë të mos e mundoni shumë vetveten, trajtoheni mirë atë duke i ofruar mundësinë për të qenë i/e thjeshtë.
Filloni me idenë e parë që ju vjen në mendje, edhe nëse dështoni, vlen të provoni për të marrë frytet e parë të punës suaj, e jo të prisni se mbase një ide gjeniale tjetër do t’ju mbërrijë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.