Posta

September 17, 2019 | 8:55

POSTA nga Denata Toçe / Si t’i zbus tekat fëmijës?

Kam të njëjtin problem me fëmijën 2 vjeç e 3 muaj. Të dy si prindër punojmë dhe mundohemi maksimumin t’i kushtojmë kohë. Edhe edukatoret në çerdhe janë shumë të mira, mirëpo kur i teket për gjëra të kota nuk po mundemi të gjejmë asnjë zgjidhje. Shpërthen në sjellje dhe grindje. Ju lutem, pres sugjerimin tuaj.

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Sjelljet problem të fëmijëve kanë një historik. Ne si prindër kemi prirjen të mendojmë se fëmijët bëhen të “prapë” dhe se e bëjnë me qëllim që të mërzisin prindërit. E vërteta është se realiteti është një çik ndryshe. Fëmijët duan atë që duan dhe në momentin që e duan ata. Fëmijët e kanë pak të vështirë të organizojnë ndjenjat dhe dëshirat e tyre, ndaj adultët do të duhet t’i orientojnë drejt nevojave që kanë.

Fëmijët do të duhet të mësojnë prej nesh se çfarë është e mirë dhe e keqe, se ndryshe si do të duhet ta kuptojnë? Kështu ne ndërtojmë historikun. Po të përgjigjeni ndaj sjelljeve problem duke e shpërblyer atë, gjasa që ajo të përsëritet është e madhe. Fëmija grindet për të kërkuar apo plotësuar atë që do, ju ia jepni thuajse menjëherë. Nëse në të ardhmen fëmijës nuk mund t’i plotësohet e njëjta kërkesë për arsye të ndryshme, do të rrisë tavanin e sjelljes, duke qenë më i grindur, deri sa sjellja të shndërrohet në shpërthime zemërimi, në teka sikundër i quajmë ne prindërit.

Nëse ne sërish për të shmangur tekat dhe përfituar lumturinë afatshkurtër fëmijëve, i përgjigjemi duke plotësuar shpërblimin me kërkesën në vetvete, atëherë përfitimi i sjelljes në të ardhmen do të jetë TEKA. Ja pra, ne kemi ndërtuar një historik. Ndryshoni historikun pasi e keni identifikuar atë, keni ndryshuar sjelljen, keni modifikuar tekat me sjellje të përshtatshme. Pra, mbani përgjigjen për tekat dhe jepni përgjigje shpërblyese për sjellje pozitive, kështu do të ndryshoni historikun e sjelljes, pasi fëmijët nuk mund të jenë “të këqij”, ata thjesht duan atë që duan dhe ne jemi bashkëpunëtorët më kryesorë.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 141

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top