Posta

November 19, 2019 | 8:10

Posta nga Denata Toçe / Si t’ia transmetoj vlerat djalit?

Djali im, gati 18 vjeç, e kalon shumicën e kohës në internet duke mos bërë jetë shoqërore. Mua më shqetëson fakti se si mund ta orientoj, pasi ai as nuk përpiqet të vërë në zbatim këshillat që unë ia jap për mirë. Ndoshta mund të jem e orientuar drejt modeleve të vjetra, por s’mundem ta imagjinoj se çfarë mund të ndodhë në jetën e tij personale e profesionale. Më mundon kjo lloj paqartësie tek ai, një mënyrë sjelljeje që për mua nuk ka kuptim. Si ta gjej rrugën për t’i transmetuar atij ndihmën e duhur? Më duket se paska përfunduar koha e prindërve ‘tradicionalë’…

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Letra juaj më bëri të mendoj se sa shumë përpiqen prindërit të jenë të vlefshëm për fëmijët e tyre. Ky fenomen në familjet tona është vlerë në vetvete. Nuk ka se si të mos fillojë me djalin tuaj adoleshent. Këta të fundit janë dobësia ime për mënyrën se si “rropaten” për të krijuar identitetin e tyre në shoqëri.

Prindërit janë në ankth kur shohin se si fëmija, tashmë i pavarur nga ata, përpiqet me mund të kuptojë se “kush është” dhe “çfarë do”. Për prindërit kjo është e thjeshtë, sepse ata e dinë shumë mirë çfarë do të duhej për fëmijën e tyre. Kjo i bën të ndjehen të pavlerë, të dekurajuar ose mjaft herë të frustruar deri në agresivitet ndaj fëmijëve dhe zakonisht i japin atyre mesazhe si: “unë e di çfarë duhet për ty… ti nuk merr vesh”, “ti nuk dëgjon asnjë njeri… je kokëfortë dhe do e pësosh”, etj. Të gjitha këto mesazhe vijnë në formën e ankthit te fëmijët adoleshentë, sidomos te meshkujt, nëse ne përpiqemi të transmetojmë qëllimet tona pa vëzhgimin dhe studimin e kujdesshëm të nevojave të tyre.

E kush tha se interneti është një element negativ i shek. 21?

Vlen që prindërit tashmë të marrin në konsideratë se kjo është risi e kësaj epoke e si e këtillë është pashmangshmërisht i domosdoshëm. Metodat tradicionale kanë gjithnjë vlerë, por ato kërkojnë një kohë të caktuar moshore për t’u aplikuar.

Sa më i vogël fëmija aq më i prirur të modelojë vlerat e prindërve të tij. Pra, fëmija modelon dhe nuk arrihet t’i imponohet. Ky është sekreti i vërtetë. Sa të qëndrueshëm, koherentë dhe objektivë jeni ju me vlerat që transmetoni?! Lëreni fëmijën tuaj të ndërmarrë role të ndryshëm për të gjetur vetveten dhe tregoni interes për nevojat e tij.

Kujdesuni që ky i fundit të jetë i sigurt në atë që ju komunikon pa u ndjerë i gjykuar (edhe pse ju nuk jeni dakord), për të fituar besimin dhe më pas mirënjohjen kur vetë ai t’ju kërkojë mendim. Kështu ju do të fitoni besimin dhe më pas ndërtoni urën kryesore të komunikimit, e cila është një vlerë shumë e madhe për marrëdhënien prind-fëmijë, aq më tepër kur kemi të bëjmë me moshën më të bukur, por më vulnerabël, e cila është adoleshenca.

Revista Psikologjia

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top