Doja një këshilla nga ju si psikologe. Jam nënë e dy fëmijëve. I kam lënë qysh herët vetëm për shkak të punës. I ka rrit gjyshja. Janë të shëndoshë psiqikisht dhe fizikisht, shumë të logjikshëm, por po më duhet sërish të shkoj në një punë, këtë herë jashtë Kosovës dhe po kam frikë ta lë vajzën pasi është 3 vite e gjysmë. Kam frikë sa do të ndikojë largimi im tek ajo, si mundet ta përballoj pa pasoja se është shumë e lidhur me mua. Gjatë kësaj periudhe do të kujdeset burri. Mendimi juaj ka shumë vlerë për mua.
E dashur nënë,
Pa diskutim që prania juaj është shumë e rëndësishme për fëmijët tuaj. Por, nëse ky ka qenë stili i jetës që keni ndërtuar në familje, dhe puna juaj është e lidhur ngushtë edhe me mirëqenien personale dhe ekonomike, atëherë do të duhet që edhe fëmijët të mësohen me këtë realitet.
Sigurohuni veç të keni, sikundër duket se e keni pasur deri më tani, mbështetjen e familjes. Ajo është më e rëndësishme në këtë stad të jetës. Sa për vajzën apo fëmijët tuaj, ata tashmë do të marrin prej jush modelin e një nëne, e cila ka sakrifikuar për jetën e saj dhe të familjes edhe pse shumë e dashuruar dhe përkushtuar për të qenë pranë tyre. E ku ka më mirë!
Jeta nuk është e lehtë për askënd prej nesh, dhe kur fëmijët e mësojnë këtë nëpërmjet modeleve, është faktor përcaktues për zhvillimin dhe formimin e karakterit të fëmijës. Jepini sigurinë vajzës se ti do të jesh me të çdo natë përpara se të flejë, me një histori të shkurtër edhe nëpërmjet teknologjisë. Edhe nëse kjo nuk ndodh, ti do t’i japësh natën e mirën e fundit.
Më pas, sigurohuni që të organizoni ditë pushimi për t’u kthyer pranë familjes hera-herës, me periudha relativisht të shpeshta, që të mos humbisni kontaktin fizik me familjen. Ju uroj shumë suksese!
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr.122
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.