Posta

October 24, 2019 | 8:40

POSTA nga Denata TOÇE / Skuqem kur jam me të tjerët

Përshëndetje. Jam një djalë 19 vjeç dhe jetoj jashtë vendit. Ashtu siç mund të ketë edhe të tjerë si unë, vuaj nga fakti i skuqjes në publik. Dua që ta shmang, por asnjëherë nuk ia dal, edhe kur rastis që e gjithë vëmendja është te mua, unë filloj të skuqem në fytyrë, dhe ndiej nxehtësi. Këtë e përjetoj shumë keq, sepse të gjithë ma përmendin kur isha më i vogël në moshë, mendoja se ishte diçka që do më zhdukej, por po e vuaj edhe tani. U bënë plot 4 vite a më shumë. Kjo më streson pafund, ndihem sikur jam personi i gabuar në këtë planet, skuqem edhe për gjëra shumë të vogla, pothuajse inekzistente. Ju lutem më ndihmoni me çka të mundni se po jetoj si një i humbur.

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Skuqja në fytyrë është një reagim fizik të cilin ju nuk mund ta ndryshoni. Përjetimi, ndjesitë që ju përjetoni, janë të zakonshme për të gjithë njerëzit, por jo të gjithë shfaqin simptoma fizike që shoqërohen me skuqje në fytyrë apo në trup. Ju ndoshta po mendoni se sa me fat janë këta që nuk skuqen. Ndoshta është ashtu si thoni ju, por do të doja të fokusoheshim në thelbin e vështirësisë këtu: në atë se çfarë përjetimesh, mendimesh çojnë në skuqje dhe se me çfarë në të vërtetë do të merremi në këtë situatë.

Disa studiues mendojnë se skuqja e fytyrës apo ndjesitë e përjetimit për të arritur në skuqjen e fytyrës, janë të lidhura ngushtë me atë që njihet si ankthi social. Njerëzit të cilët janë në qendër të vëmendjes, që kujdesen për atë se çfarë mund të thonë apo mund të bëjnë, dhe se kjo mund t’i japë ndjenja të turpit, pra mund të ndjehen të turpëruar. Reagimi fizik pas këtyre mendimeve, të cilat janë irracionale nga natyra, është i natyrshëm, pasi frika e turpërimit apo ankthi për të reaguar si DUHET e përgatit trupin për t’u zhvendosur. Kështu zemra pompon më shpejt dhe si rrjedhojë një sasi e lartë gjaku e përshkruan trupin së bashku me elementë të tjerë të që ndryshojnë gjendjen e trupit, dhe këtu për disa prej nesh shfaqet edhe në fytyrë. Pra reagimi është i zakonshëm dhe i nevojshëm, mendimet jo dhe aq.

Terapia Konjivite Biheviorale ose siç njihet CBT është një nga më të mirat për të trajtuar vështirësinë në fjalë, ndaj do ju sugjeroja të kërkonit ndihmë për të punuar me veten tuaj, pasi duket se ju jeni në gjendjen që keni frikë nga frika se mos skuqeni. Mendoj se ky do të ishte një hap i mirë për ju. Mendoj se do t’ju ndihmojë si me mendimet tuaja për rastet kur mund të shmanget dhe për rastet kur do të duhet të pranohet, por përfshin dhe disa ushtrime praktike të sjelljes se si të menaxhoni simptomat fizike, të cilat me kalimin e kohës mund të veniten.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 142

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top