Posta

November 6, 2019 | 8:10

Posta nga Denata Toçe / Vajza ime më merr shumë energji!

 

Jam nënë e një vajze 9 vjeçe, e cila ka filluar të kërkojë shumë vëmendje. Si të gjithë fëmijët e moshës së saj, ka filluar të bëhet shumë kurioze, shumë aktive dhe llafazane. Sigurisht që këto sjellje janë normale dhe të shëndetshme, por unë si nënë kam filluar të ndihem e lodhur. Ndonjëherë ndihem pa energji dhe pavarësisht durimit, ka momente kur bëhem shumë e ashpër me të. Ajo që më mundon më shumë është ndjenja e fajit se po veproj gabim dhe ndjej keqardhje për vajzën. Si t’i komandoj acarimet e mia pa e fajësuar atë?

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

E dashur lexuese, mosha 9-vjeçare për fëmijët është një fazë e rëndësishme tranzicioni midis fëmijërisë dhe fillimit të pubertetit. Përpara se të kalojnë në fazën e procesit identifikues, kur zotërojnë pavarësinë e tyre, kërkojnë të konfirmojnë aftësitë rreth jetës familjare, shkollore dhe sociale.

Për të arritur këto stade prove, kërkohet bashkëpunim me prindërit, me të cilin fëmija ka qenë shumë i lidhur deri në ato momente. Kjo është arsyeja pse vajza kërkon vëmendje. Ajo kërkon aprovim për veprimet e saj, jo që t’ia zgjidhni ju, por që të tregojë se është e domosdoshme, kërkon të marrë pjesë në vendimet tuaja, në diskutimet familjare.

Ajo ka filluar të jetë më e ndjeshme ndaj të gjitha ndodhive familjare e sociale, kërkon që të marrë përgjegjësi të cilat fillojnë ta bëjnë atë të ndihet e dobishme. Këto janë shenjat e para të një rritjeje pozitive.

E dashur lexuese, gjendja jonë e humorit pëson ndryshime, zakonisht sipas kontekstit në të cilin ndodhemi, pasi ndodhitë e ditës janë të larmishme, disa na japin gëzim dhe disa mërzi e nervozizëm. Ndryshimet e humorit kërkojnë më shumë energji psikologjike kur bëhet fjalë për ndryshime të mëdha në jetën e njeriut, si: martesa, ndryshimi i banesës, shtetit, pastaj për të vijuar me humbjen e një të afërmi, aksidente traumatike, të cilat shoqërohen me dëshpërim të madh. Individë të ndryshëm i përjetojnë këto ndodhi sipas shkallës së tyre të ndjeshmërisë dhe përvojave që kanë.

Shtimi emocional i këtyre ndryshimeve përkthehet në mendjet tona herë me racionalitet dhe herë në forma joracionale. Krahas kësaj ngarkese me dinamikë psikike, analitike, ndaj ndodhive të larmishme të jetës, individi kërkon natyrshëm “sistemim”, zgjidhje dhe si përfundim marrje përgjegjësish mbi veten. Të gjitha këto krijojnë marrëdhënie frustuese me veten, të cilat mund të përkthehen në ankth ose luhatje të humorit e këto të dyja shpesh i mbivendosen njëra–tjetrës.

Ky përjetim është i natyrshëm deri në momentin që nuk prek funksionimin e zakonshëm të jetës suaj të përditshme, kur nuk prek dimensionin tuaj në operacionet e jetës, rutinën e së cilës deri në ato momente e keni kryer pa kurrfarë, sikurse do të thoshte Prof. Dr. Adem Tamo, “lëndimi psikologjik”. Nëse kjo situatë merr përmasa lënduese për individin, atëherë si çdo lëndim, meriton kujdesje specifike, dhe në këtë rast është e udhës që ju të mund të këshilloheni pranë një profesionisti, për të kaluar drejt një procesi më intensiv sesa një orientim si kjo përgjigje referuar letrës suaj.

Pra, për të qenë më praktikë në orientim tim, luhatjet tuaja të humorit mund të jenë të lidhura me ndryshimet më të fundit në jetën tuaj, ose mund të jenë pjesë e një dinamike më të gjerë e të hershme. Në rast se kjo situatë, humori juaj, e prek të përditshmen deri në pikën kur e bën të përditshmen të vështirë dhe nuk arrini të funksiononi si zakonisht ndodh për ju në të përditshmen tuaj, atëherë referoj të shkoni dhe të ndiqeni pranë një profesionisti, ku mund t’i jepni përgjigje vetes suaj në sistematizimin e dinamikave lënduese për ju. dhe të shëndetshme.

Ju mendoni se ajo kërkon shumë vëmendje nga ju, por në fakt është vëmendja e duhur. Që ju të mos ndiheni e frustuar, bëni dhe bashkëshortin tuaj pjesë të këtij “plani”, ndryshimi dhe zhvillimi. Mos e përballoni të gjithën vetë. Në fakt, po ju them se është e pamundur që ta realizoni vetë, ndaj edhe ju ndiheni e frustuar dhe shpesh në pendim të reagimeve që qasni drejt vajzës. Kërkoni ndihmë dhe këmbëngulni që t’ju jepet nga bashkëshorti, duke e diskutuar këtë element tranzitor të vajzës suaj, duke i dhënë rëndësinë e përbashkët për të realizuar qëllimet e përbashkëta mbi fëmijën. Sërish do të keni nevojë për të dhënë vëmendje e për të punuar me fëmijën tuaj e vetme, por tashmë keni një mbështetje dhe përgjegjësinë e ndani në kohë në formë më të arsyeshme. Gëzohuni, vajza juaj po rritet!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top