Dua të shpreh diçka. Jam në hall. E kam vajzën 4 vjeçe e gjysmë për pak. Ajo qan po nuk ia bëra direkt diçka. Qan kur rrëzohet, kur i del gjumi, qan kur më kërkon mua. Më thonë njerëzit, “e ke mësuar keq” ndoshta, sepse çdo gjë ia bëj direkt. Të lutem, më thoni çfarë mund të bëj që kjo gjë të ndryshojë. Afërdita Londër
Përshëndetje Afërdita. Ju më keni dërguar një situatë të cilën e kam shumë me qejf ta trajtojmë së bashku, pasi mbi të gjitha është fusha ime si analiste sjelljeje. “Të tjerët” janë shumë të rëndësishëm në mbarëvajtjen e marrëdhënies sociale, por në këtë rast është e udhës që fillimisht t’i kaloni në sfond, pasi durimi dhe puna që do të duhet të bëni me fëmijën është tërësisht e juaja.
Pra, familja ka shumë rëndësi në këto kushte. Askush nuk mund të tregojë se si do të duhet të edukoni fëmijën tuaj dhe t’ju gjykojë në punën që ju bëni me ata, pasi askush nuk e bën më mirë se ju për vetë fëmijët tuaj. Thjesht do të duhet të modifikoni disa sjellje.
Nëse vajza juaj qan sa herë që kërkon diçka, atëherë do të duhet të shikojmë se cili është “ushqimi” që e mirëmban këtë sjellje. Fakti që ju keni shkruar “menjëherë” do të thotë që konsekuenca që e pason sjelljen është “ushqimi” që e mirëmban, pra kur ju reagoni menjëherë sapo fëmija qan duke i plotësuar arsyen e qarjes së saj, atëherë pikërisht kjo konsekuencë ka mirëmbajtur sjelljen problem. Ne do të duhet të ndërpresim këtë “ushqim” ose më mirë do të duhet ta mbajmë ushqimin e reagimit të menjëhershëm të dhënies së objekteve, të plotësimit tësituatës ose të dhënies së vëmendjes, nëse këto të fundit janë ushqimi, dhe ju konstatoni që këto janë hipotekisht ato të cilat e mirëmbajnë.
Ndërsa e mbajmë, pra nuk ia japim menjëherë, është sepse sjellja aktuale është e papërshtatshme, por ne do t’ia japim po menjëherë VETËM dhe VETËM kur fëmija të qetësohet dhe ta kërkojë atë që dëshiron në mënyrë të përshtatshme. Për këtë duhet ta nxisni “mami, mund të vish te dhoma ime?” (kur i del gjumi). Pra, ne ia plotësojmë dëshirën, por kur ajo nuk qan.
Le të kthehemi te vajza juaj: ajo ka të drejtë të komunikojë me ju dhe të tjerë dhe të kërkojë atë që dëshiron, por këto dëshira ndahen në dy kategori: dëshira që lindin nga nevoja jetike dhe dëshira që lindin nga nevoja sekondare, apo edhe tretësore.
Nëse ajo ju kërkon një gotë ujë, nëse ju kërkon gjumë, nëse kërkon të shkojë në tualet, ka ftohtë, e ka marrë uria, atëherë këto janë gjëra jetike dhe sigurisht që nuk mund ta privojmë. Prindërit kanë tendencën të reagojnë menjëherë për t’i plotësuar këto nevoja. Unë do t’ju udhëzoja të njëjtën gjë, por sigurohuni që fëmija t’jua kërkojë në mënyrën që përshkruam si më sipër. Ju mund të punoni për këto sjellje sidomos me nevojat sekondare dhe tretësore.
Vajza juaj mund t’ju kërkojë një lodër duke qarë, duke u shtrirë përtokë, por nëse përgjigjja juaj është “nuk mundem ta marrë këtë lodër, do të jetë një herë tjetër” atëherë, m.q.s nuk është një nevojë jetike, ju mund ta lini fëmijën të qajë, por gjithë duke qenë pranë tij, pa e parë në sy, por sigurohuni që prania juaj të jetë e afërt. Kështu ju i lini të kuptojë që nuk po e braktisni dhe se ende e keni shumë xhan, por dëshira nuk mund të realizohet. Fillimisht sjellja e fëmijës rritet, pra tavani për kërkimin e një dëshire rritet me sjelljen problem, por më pas kur sjellja nuk gjen atë “ushqimin” që folëm më sipër, fillon të ulet, dhe të njëjtin ushqim ju ia jepni një herë tjetër kur fëmija ka një sjellje të përshtatshme dhe e kërkon lodrën në mënyrën e duhur.
KUJDES, mos e bëni këtë recetë të modifikimit të sjelljeve të tjera pa konsultën e një profesionisti dhe mbi të gjitha të përfshini çështjen e parasë.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 136
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.