Posta

January 18, 2020 | 8:08

Posta nga Denata Toçe / Vëlla e motër urrehen

 

Jam 57 vjeçe dhe kam tri fëmijë. Kam vajzën e madhe që është e martuar dhe në shtëpi një vajzë tjetër 24-vjeçe dhe një djalë 20. Ata grinden vazhdimisht, që kur kanë qenë të vegjël. Ai i ngre zërin dhe e kritikon për nga mënyra se si vishet, me kë shoqërohet, se çfarë duhet të bëjë, ndërsa ajo nuk e toleron. Vajza tashmë është në marrëdhënie pune si operatore telefonike, ndërsa djali vazhdon universitetin. Unë dhe bashkëshorti përpiqemi t’u flasim të dyve mënjanë, por djali bën përsëri ç’i thotë koka.

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Nuk është shumë e këndshme të shikosh fëmijët tuaj që grinden thuajse çdo ditë. Përgjithësisht, motrat dhe vëllezërit, sidomos kur janë pranë në moshë, grinden midis tyre. Në psikologji kjo është parë si “Rivaliteti midis motrave dhe vëllezërve”.

Thuhet se vëllezërit që janë më të vegjël mendojnë se ata më të rriturit mund të kenë gjithçka që duan, madje dhe respektin e prindërve, e mund të bëjnë çfarë t’i dojë qejfi, e ata që janë më të mëdhenj, mendojnë se më të vegjlit kanë gjithnjë vëmendjen e prindërve, që kur i kanë pritur në familje ardhjen e tyre në jetë.

Të rriturit xhelozohen e kërkojnë me ngulm që të ishin aq të vegjël sa ata. Ndaj fëmijët, kur vjen vëllai apo motra e tyre e vogël, kërkojnë të pinë nga sisa e nënës apo nga biberoni i bebit, apo të mbahen në krah si bebe. Sipas studimeve psikologjike, kjo sjellje duhet shpërblyer, që fëmija të mos ndjehet i përjashtuar. Kështu, në këtë rivalitet, ka vend për shumë argument për t’u grindur, dhe me kalimin e moshës grindjet marrin natyra të ndryshme.

Kur rriten, fëmijët shikojnë pikat e forta dhe të dobëta tek vetja e tyre dhe tek vëllezërit, dhe për të kompensuar pikat e tyre të dobëta, vënë në pah ato të vëllezërve: “pse kjo veshje?!”, “ku i ke gjetur këta shokë?!” etj. E vetmja gjë që duhet prindërit të bëjnë është të sigurohen që nuk i kanë ngarkuar përgjegjësinë fëmijës më parë që të merret me motrën e tij, pra të kujdeset, dhe mbi të gjitha të sigurohen që fëmijës t’i vendosen rregulla në mënyrë të vazhdueshme dhe t’i kërkohet llogari për detyrat që priten prej tyre duke mos rënë në grackën e kompensimit që fëmijët manipulojnë të bëjnë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top