Posta

February 19, 2020 | 8:06

Posta nga Denata Toçe / Vjehrra më telefonon çdo ditë për nipin e saj

Përshëndetje, mund të duket e ngjashme më shumë histori në marrëdhënie vjehrrë-nuse. Jetojmë në kohëra të tjera e mua më duket e tepërt të vijojë e njëjta mendësi si 50 vjet më parë. Shqetësimi im janë telefonatat e vazhdueshme të vjehrrës sime. Në fillim merr në telefon djalin e vet, me justifikimin për t’u siguruar që çdo gjë është në rregull, pastaj pyet për djalin tonë, njëvjeçar, çfarë kemi bërë për të, a jemi kujdesur siç duhet e me radhë. Ky është fëmija im i parë dhe si çdo çift, besoj se është normale që dhe ata bashkë me fëmijën të rriten së bashku e të mësojnë t’i bëjnë gjërat vetë. Por me vjehrrën time është e pamundur. Jo që nuk vjen të trokasë të më japë ndihmë, por më merr edhe kohë në telefon për të më dhënë mend e për të bërë pyetësorë të vazhdueshëm. Bashkëshortit tim i duket normale, por unë nuk mund ta përballoj këtë situatë! Si t’i ekuilibroj gjërat e të bie rehat?

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

E dashur lexuese. Është e vështirë të gjesh gjithmonë arsyet se përse vjehrrat, mamatë apo të tjerë në familje reagojnë ashtu siç reagojnë. Dinamika e familjes së bashkëshortit tuaj përpara se të jetonit bashkë ka qenë e ndryshme, për këtë ju premtoj. Ai me siguri që është ambientuar me këto kushte dhe nuk e ka problem, por kjo nuk do të thotë që ai nuk të mbështet, dhe është e vështirë të mendosh se si mund të zgjidhet situata PA vjehrrën. Më e mira do të ishte se si mund të zgjidhet situata edhe me vjehrrën që kërkon vëmendjen dhe rolin e saj në ardhjen e nipit.

Ndoshta mund të uleni të komunikoni hapur me bashkëshortin tuaj. Të ndani me të nevojën që ju keni të përqendroheni tek djali dhe rritja e tij. Tregojeni që e vlerësoni faktin që mamaja e tij përkujdeset shumë që fëmija e tyre të jetë mirë, por tregojini se ju ndjeheni në vështirësi që të flisni çdo ditë me të në telefon pasi ndonjëherë edhe nuk dini se çfarë t’i thoni. Kështu, sugjerojini që bashkëshorti të kërkojë të flasë me të për çdo detaj mbi djalin, dhe se juve do ta merrni në telefon sa herë që keni nevojë të flisni me të për ndonjë këshillë. Mbi të gjitha, kur edhe djali do të dëgjojë zërin e saj.

Kështu arrini të reduktoni ndonjëherë telefonatat gjatë ditës. Do të ketë edhe raste kur nuk mund ta ngrini telefonin pasi mund të jeni e zënë, dhe kjo është një mënyrë që gjyshja të marrë më pas bashkëshortin dhe të sqarohen për çdo gjë që asaj i nevojitet. Uroj të shkojë mirë!

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 145

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top