Posta

October 29, 2019 | 8:10

Posta nga Denata Toçe / Xhelozia, simbol i frikës?

Përshëndetje, doja t’ju pyesja për një fobi të thellë. Kam dëgjuar të flitet për një “sëmundje”/fobi në të cilën takon një njeri pas të cilit nis e interesohesh me një ndjenjë supermbrojtëse, superxhelozi për një fakt të thjeshtë, frikën mos e humbasësh dhe dhimbja që mund të shkaktojë. Doja të dija nëse është fobi/sëmundje e vërtetë?

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Cili nga ne nuk është i frikësuar të humbasë njeriun që do?! A ka rezistuar ndonjë “trimëri” përballë lumturisë të kesh njeriun që do në krahun tënd? A ka nevojë më të lartë se sa të ndash jetën duke dashur dikë dhe duke bashkëndarë rrugëtimin e gjatë?! Fundja kuptimi i jetës, “të duash dhe të të duan”.

Të arrish të realizosh vetveten në të gjitha fushat e jetës dhe të mos kesh një person për ta ndarë është një sfidë e vështirë dhe ka njerëz që e zgjedhin, por fatkeqësisht ka njerëz që nuk e zgjedhin të ndodhë kështu. Në partneritet, lidhjet, marrëdhëniet janë esenciale për gjendjen tonë psikoemocionale. Të bashkëndash do të thotë të jetosh në rritje dhe kjo sigurisht që mirë është të mos na mungonte në rastin më të mirë. Kështu ne jemi të predispozuar të mbrojmë atë që me të drejtë mendojmë se na takon, por kujdes!

Ne i përkasim njeri-tjetrit kur secili prej nesh lejon egot tona të hapen dhe të fusin aty elementë të jetës së tjetrit, pra ta pranojmë tjetrin. Kur mospranimi i tjetrit përkthehet si refuzim i qenies sonë, në forma irracionale dhe ekstreme, pra kur ne e fokusojmë dashurinë tonë tek individë që nuk na duan, nuk kanë interes për ne, pra buron vetëm në njërin krah, atëherë mund të kemi edhe mendime dhe veprime xhelozie irracionale, joreale.

Shpesh frika se mos humbasim dikë bëhet aq e madhe, sa vetë humbja e personit dhe kështu shumë marrëdhënie përfundojnë në ndarje për shkak të situatave të pakëndshme që ndodhin midis partnerëve.

Njeriu është i prirë të jetë një qenie e lirë dhe sociale. Nëse një nga partnerët mendon se me ardhjen e tij kjo jetë do të ndryshojë, se pritshmëritë e përkatësisë janë irracionale dhe nuk mbështesin realitetin e njeriut të lirë dhe social, atëherë rrezikojnë seriozisht lumturinë në çift. Frika simbol i xhelozisë? Po, por fobia se mos humbas njeriun që do, mund të kthehet në humbjen e tij në vetvete.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top