Posta

February 27, 2017 | 9:35

POSTA/ Unë e tradhtoj bashkëshortin…

Jealousy Jam e martuar me një beb të vogël. Pas lindjes ai ndryshoi tërsisht, nuk i flitet me gojë. Nuk më kushton vëmendje, zihet me mua, më ofendon, djalin pak e mban, rri shumë me telefon në dorë sa dyshoj që flet me tjera. Jam shumë e mërzitur. Sapo u grindëm së bashku, pasi më përmendi emrin e një ish të dashure, që qenka fejuar. E di që ky e ka ngacmuar dhe me adresa false atë kur ka qenë fejuar me mua. U zura sepse nuk më intereson të më kujtojë asnjë emër femre përderisa është me mua. Jam aq e mërzitur sa kam tentuar ta tradhtoj. Tradhtoj për të dalë nga kjo rutina që ndonjëherë më mbyt. Jam një nënë e përkushtuar shumë ndaj djalit tim. Asgjë nuk i lë mangët dhe as burrit kurrë si kam thënë jo për asgjë, por tani nuk ma ndjen më për atë. Mendoj që nuk e dashuroj më. E di që duhet të ulem të flas me atë, por është e pamundur, ai nuk di të ulet, të flasë nuk pranon, por direkt në sherr e ofendime. Si t’ja bëj me këtë njeri, pasi nuk dua që djali im të rritet me mungesën e babit?! Po mendoj seriozisht për një lidhje të fshehtë. Kam nevojë të dashuroj e të më dashurojnë…

Përgjigjie nga psikologia:

 Imo Alikaj Psikologe Klinike

Imo Alikaj
Psikologe Klinike

Nga mesazhi juaj kuptoj që ndodheni në një situatë delikate dhe ju përgëzoj për hapin që keni hedhur për të ndihmuar familjen. Nëse do të bëja një përmbledhje të mesazhit, do të nënvizoja marrëdhënien tuaj të shndërruar, ku bashkëshorti dhe babai është inekzistent në familje, dyshimin se bashkëshorti ju tradhëton, nevojën tuaj për dashuri dhe frikën se do ta rrisni djalin pa baba. Gjithçka duket të ketë vetëm një shpjegim; tjetërsimin dhe largimin e bashkëshortit tuaj prej jush. Ju thoni se ai ndryshoi plotësisht menjëherë pas lindjes së djalit. Në fakt, ndodh shpesh që ardhja në jetë e një fëmije të bëhet shkak për “largimin” e një çifti nga njëri-tjetri. Gjë që mund të vijë për disa arsye;

  • Foshnja detyrimisht kërkon më shumë kohë, vëmendje dhe përkujdesje, sidomos në qoftë se nëna nuk ka asnjë që ta ndihmojë dhe bën çdo gjë e vetme. Kohë e cila merret nga koha që çifti kalon së bashku; një baba i ri dhe i papërgatitur këtë gjë e interpreton si “lënie pas dore”. A mund të jetë ky rasti juaj?
  • Nga ana tjetër mund të jetë një depresion postpartum që po përjeton bashkëshorti juaj, problematikë kjo e shfaqur rrallëherë te burrat. E megjithatë, pagjumësia, përgjegjësia dhe stresi peshojnë mbi babain, po aq sa edhe mbi nënën. Kështu, në një rast të tillë babai do të heqë dorë nga dhënia e ndihmës së tij në rritjen e fëmijës, gjë e cila do të pasohet nga mungesa e bashkëpunimit dhe komunikimit me bashkëshorten, më pas edhe me grindjet e vazhdueshme.
  • Një tjetër faktor që mund të ndikojë është edhe prirja e nënave të reja për të qenë nëna mbiprotektive. Dhe nëse kjo ndodhur në rastin tuaj, atëherë ju pa e kuptuar keni marrë çdo gjë në dorë vetë, duke mos i lënë kështu mundësi dhe kohë bashkëshortit tuaj që të japë kontributin e tij në rritjen e fëmijës suaj. Dhe mund të jetë pikërisht heqja e të drejtës për të qenë baba, ajo që mund të çojë në krijimin e një vorbulle konfliktesh mes jush.

Shtuar këtu edhe nevojën tuaj të pashmangshme dhe të dëshpëruar për të marrë dhe për të dhënë dashuri. Siç mund ta kuptoni gjendeni në një situatë mjaft delikate. Është plotësisht e kuptueshme dhe e drejtë nevoja juaj, pasi nevoja për përkatësi dhe dashuri vjen menjëherë pas nevojave fiziologjike dhe nevojës për siguri. Në qoftë se kjo nevojë është e paplotësuar njeriu kërkon në mënyrë të dëshpëruar plotësimin e saj; për të qenë në një marrëdhënie, për të marrë dashuri dhe gjithë frytet e saj.

Por a mund t’i arrish të gjitha këto pa qenë e kthjellët?

Ju po mendoni duke qenë e revoltuar ndaj të tashmes në marrëdhënien tuaj me bashkëshortin. Unë do t’ju ftoja të kujtoni marrëdhënien tuaj në të kaluarën; si ishte ajo dhe çfarë ka mbetur nga e kaluara? Ju me të drejtë thoni që nuk doni ta rrisni djalin tuaj pa baba, sepse rritja e shëndetshme e një fëmije kushtëzohet kryesisht nga rritja në një familje, por theksoj këtu nga një familje e shëndetshme. Foshnjat ndikohen në mënyrë indirekte, kur vëzhgojnë ndërveprimet e zemëruara të prindërve të tyre, edhe pse këto ndërveprime nuk drejtohen direkt në to dhe ashtu siç edhe ju e keni kuptuar mjedisi juaj familjar nuk është i shëndetshëm, si për çifin ashtu edhe për djalin. Dhe sigurisht që fillimi i një marrëdhënie të fshehtë nuk do ta bënte familjen më të shëndetshme apo jo?

Ju e keni cituar në mesazhin tuaj që është e nevojshme të uleni dhe të flisni së bashku, kështu do ta kuptoni më mirë në cilën prej situatave të mësipërme ndodhet familja juaj dhe se ndoshta ju të dy keni nevojë vetëm për njëri-tjetrin.

Natyrisht që është e vështirë të ulesh dhe të flasësh me dikë me të cilin prej kohësh keni ngritur një mur ndarës, nuk keni komunikuar dhe vetëm jeni grindur. E megjithatë, do ishte mirë nëse të paktën do të bëni pak përpjekje. Shpresoj t’ju vijnë sadopak në ndihmë këshillat e mëposhtme për të mundësuar një komunikim të qetë.

  • Gjeni një moment kur të jeni të dy të qetë dhe të shplodhur dhe i thoni bashkëshortit tuaj se do të donit të ndanit diçka me të.
  • Edhe nëse ai nuk ju përgjigjet apo ju kthehet me një ton të papërshtatshëm, mundohuni të ruani qetësinë dhe të vazhdoni të flisni për atë që do të doni të ndani me të.
  • Flisni për mënyrën se si ndiheni pa e sulmuar partnerin dhe pa e akuzuar.
  • Jini e sinqertë dhe e drejtepërdrejtë.
  • Nëse partneri juaj do të ngrejë përsëri zërin, mundohuni të ruani qetësinë dhe të flisni me zë të qetë dhe të ulët, kujtoni se çdo gjë po e bëni për të arritur të komunikoni së bashku.
  • Bëhuni një dëgjuese e mirë, dëgjojeni bashkëshortin tuaj kur ju flet dhe bëhuni e duruar.
  • Gjatë gjithë bisedës suaj kujtoni se qetësia në zërin tuaj, mund ta mbajë atë në bisedë, ndoshta mund të bëjë që edhe ai të zbusë pak tonin e tij.
  • Por, nëse fillon një zënkë më mirë ndaloni përpara se gjërat të dalin jashtë kontrollit dhe i thoni bashkëshortit tuaj se do ishte më mirë të diskutoni në një moment tjetër.

Unë ju ftoj të provoni të komunikoni me partnerin tuaj duke mbajtur në konsideratë gjithçka që u tha më sipër, por sidomos këshillën e fundit. Siç e kam thënë edhe më sipër ky është një moment delikat dhe ndoshta asnjëri prej jush nuk është gati të flasë me tjetrin. Nëse e shikoni që biseda nuk mund të eci përpara me qetësi, atëherë tërhiquni e qetë dhe ju ftoj të kërkoni ndihmën e ekspertit.

 

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top