“Logjika është anatomia e mendimit”-John Locke
Pragmatizmi u themelua me frymën e gjetjes së një koncepti shkencor mbi të vërtetën, i cili nuk është i varur as nga pikëpamja personale (ose zbulimi) dhe as nga mbështetja te ndonjë mbretëri metafizike. Saktësia e një gjykimi duhet të matet nga efekti që ka në veprimet tona dhe e vërteta duhet të shihet si ajo mbi të cilën do të pajtohej përfundimisht i gjithë komuniteti shkencor. Është ajo që pohon qëndrimin sipas të cilit, si domethënia ashtu edhe e vërteta e një ideje është në funksion të rezultatit të saj praktik. Pra, thelbësisht pragmatizmi është një antiabsolutizëm i fortë.
Çfarë është arsyeja?
Arsyeja është studimi i metodave dhe parimeve që shërbejnë për të dalluar arsyetimin e saktë nga ai jo i saktë. Ajo merr për objekt studimin, format, rregullat dhe ligjet e mendimit të saktë. Ka kritere objektive që japin mundësi të përcaktohet nëse është apo jo i saktë mendimi. Qëllimi i studimit të logjikës është zbulimi dhe përdorimi i kritereve që mund të përdoren për të kontrolluar arsyetimet, për të dalluar të saktët nga të pasaktët, të gabuarit. Logjika është studimi i mënyrës së arsyetimit dhe argumentimit për të bërë të qartë se cilat mendime janë të vlefshme dhe cilat janë jo të vlefshme. Fjala “logjikë” vjen nga greqishtja “logos” që do të thotë: fjalë, mendim, argument, arsye, ide.
Format kryesore të logjikës janë: logjika dialektike, e cila studion format e të menduarit në përputhje me përmbajtjen, lëndën e shkencave të veçanta; logjika klasike është shkenca që trajton të gjitha vlefshmëritë e një argumenti në mënyrë të rrjedhshme apo deduktive, si dhe jologjike. Është Aristoteli ai që futi për herë të parë konceptet dhe formulimin e logjikës dhe më vonë ishin Bekon dhe Hobs. Zërat që kanë
të bëjnë me logjikën janë të shumtë si logjika matematike, formale, predikative, polivalente, prepozicionale; Logjika deskriptive, natyrale, gjuhësore, juridike, logjika e mënyrave, logjika kohore, sofizmi, paralogjizmi, një term me spektër shumë të gjerë, që bën pjesë në fushën e filozofisë. Njeriu ka arsyen si armën më të fortë, e cila i jep mundësi veprimi, kundërveprimi dhe marrjes së vendimeve, në gjykimin e mirë apo të keq të disa rrethanave. Njeriu mendoj se duhet të shfaqë logjikën në veprime, por të gërshetuar me ndjenja dhe nuk duhet të udhëhiqet nga njëra anë apo nga tjetra.
Logjika është vlerë e njohjes së njeriut. Aristoteli ishte ai që futi i pari termin e logjikës ose formulimin e logjikës.
Dikush ka thënë: “Logjika është anatomia e mendimit”.
Mendoj se logjika është ajo që e mban trurin “në peshë”. I jep rrugë një imagjinate edhe pse në pamje mund të jetë paradoksale, imagjinata e rrit nivelin e veprimtarisë
së trurit. Logjika është gjuha shprehëse e mendimit, duke u nisur nga arsye dhe argumentime të shëndosha. Logjika nuk është e njëjtë te njerëzit. Ajo varet më shumë tek ata dhe personaliteti i tyre. Kemi persona që në qendër të çdo gjëje vënë arsyetimin
dhe argumentimin e këtij arsyetimi, pa u ndikuar nga ambienti, emocionet që ato japin ndikim te njeriu. Kemi dhe njerëz që në qendër vënë ndjenjat dhe nuk logjikojnë me arsye, por me forcën e mendjes. Nuk mund të thuhet në përkufizim se cilët njerëz ecin më shumë në jetë, pasi të dyja, si logjika, si ndjenjat janë pjesë të jetës së njeriut. Disa filozofë si: Platoni, Lajbnici, Dekarti, Spinoza etj, thonë: “Arsyeja është i vetmi burim kryesor i njohjes së botës. Pa arsye nuk mund të kuptohet se cila është themelore në jetë. Pa veprimin e mendjes apo arsyes nuk mund ketë as shkencë, as art, as letërsi, as kulturë dhe as zhvillim tërësor të njerëzimit. Njohja e vërtetë është e mundur vetëm përmes intuitës. Ky proces ndjesish të qëndrueshme, që nuk shpjegohen nga logjika dhe arsyeja humane, por janë aftësi irracionale të njeriut, quhet intuitivizëm”.
Sipas tyre, vetëm intuita është në gjendje të njohë dhe të dallojë atë që është kryesore apo më thelbësore për jetën. Pikërisht, të nisur nga intuita si bazë njohjeje, shumë autorë veprash e marrin tematikën nga eposi antik, për mos t’i lejuar vetes hapësira kritike.
“Mendja është ligjdhënëse e natyrës”.
Janë njerëz ata që formësojnë ligjet. Ligjvënësit, a nuk nisen nga arsyeja që njeriu të njoh ligjin, ta respektojë e ta zbatojë atë, që njerëzit të jenë të barabartë para tij dhe duke u mbështetur në kushtetutë janë të prirur të kërkojnë drejtësi?! Përsëri është arsyeja ajo që ekzekutuesit e ligjshmërisë i shkelin ato për interesin vetjak. Shohim se mendja ndërton dhe prapë ajo shkatërron atë që ngriti vetë. Lind pyetja: Mos vallë Arsyeja apo Mosarsyeja e shndërrojnë njeriun në dogmatik, skeptik apo realist? Sipas përzgjedhjes dhe zgjidhjes së formimit ndërgjegjësor, gjithmonë vepron arsyeja, e cila nuk është e përkohshme, as rastësore. Arsyeja mund të jetë e varfër, por asnjëherë luks fasade. Ajo vepron sipas kushteve, faktorëve në të cilat kalon jeta e individit. Janë pikërisht këto dukuri që ndikojnë në formimin individual të tij. Mbështetur në këndvështrimin individual ndaj botës, problemeve sociale të cilitdo, vepron arsyeja. Arsyeja është pasqyrë e ndërgjegjes, e cila arrin shkallën më të lartë të të menduarit, mendimin e avancuar. Nganjëherë arsyeja i kundërvihet ndijimit, perceptimit dhe dëshirës.
Sipas David Humes, arsyeja është në shërbim të dëshirave, d.m.th. mjeti për të mbajtur atë që do. Është guxim që qenia jonë të bëhet më shumë e prirur, pra një ens realissimum – e pajisur me arsye në filozofi, që për më tepër të njohë të vërtetën nga e pavërteta; të bukurën nga e shëmtuara; të dukshmen nga e padukshmja; të njohurën nga e panjohura etj. E kush është ai hero që di t’i spikasë të gjitha këto? Thjesht është instinkti i arsyes që na ndihmon të kthjellohemi drejt paraqitjes së vërtetë të botës. Ne e shohim këtë paraqitje, dhe nuk mund të fusim një dozë dyshuese se pas kësaj paraqitjeje mund të fshihet diçka tjetër për të cilën ne nuk jemi të qëndrueshëm ta hulumtojmë apo shohim thellësisht. Arsyeja jonë është reale, aspak fiktive, prandaj ne shohim këtë dukje që na është dhënë para syve; më tepër se kaq mund të na erren sytë.
Kujdes, ruani logjikën e të menduarit se ndonjëherë njerëzit nuk duan të dëgjojnë të vërtetën, sepse ata nuk duan që iluzionet e tyre të shkatërrohen. Arsyetimi dhe një logjikë e shëndoshë që na bën të jemi më të ndërgjegjshëm në çdo veprim dhe të
suksesshëm ndaj shumë situatave.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.