Universiteti “Luarasi” priti sot përfaqësuesit e London School of Economics (LSE) në Tiranë, në kuadër të binjakëzimit të tij me këtë institucion të njohur ndërkombëtarisht. Vizita e përfaqësuesve të universitetit londinez do të përfshijë një seri aktivitetesh dhe ngjarjesh të rëndësishme që do të kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit akademik dhe shkëmbimin e njohurive ndërmjet të dyja institucioneve.
Në fjalën e saj gjatë konferencës së përbashkët, Presidentja e Universitetit Luarasi, Fabiola Hysenbelliu u shpreh se sot shpallet bashkëpunimi më i ri me një nga institucionet më prestigjioze, Universitetin e Londrës në bashkëpunimin akademik me London School of Economics (LSE).
Hysenbelliu tha se “ky bashkëpunim sjell në Shqipëri tre programe të reja studimi të cilat do t’u ofrojnë studentëve tanë mundësinë unike për të marrë njohuri dhe përvojë të nivelit më të lartë ku në përfundimin e studimeve do të pajisen me diplomën e Universitetit të Londrës”.
“Është një privilegj për mua që të jem këtu me ju në një moment kaq të rëndësishëm për universitetin tonë, për arsimin e lartë shqiptar dhe të gjithë ata që besojnë në fuqinë e dijes si çelësin e suksesit. Me përkushtim të plotë ndaj ekselencës akademike kemi kënaqësinë të shpallim bashkëpunimin tonë të ri me një nga institucionet më prestigjioze, Universitetin e Londrës në bashkëpunimin akademik me London School of Economics.
Universiteti Luarasi gjatë 22 viteve të tij të eksperiencës është konsoliduar si institucion i shquar i njohur për angazhimet e tij ndaj ekselencës akademike dhe zhvillimit. Ky bashkëpunim sjell në Shqipëri tre programe të reja studimi të cilat do t’u ofrojnë studentëve tanë mundësinë unike për të marrë njohuri dhe përvojë të nivelit më të lartë ku në përfundimin e studimeve do të pajisen me diplomën e Universitetit të Londrës. Përmes këtij bashkëpunimi standardet më të larta të arsimit global bëhen pjesë e sistemit tonë të arsimit të lartë duke krijuar mundësinë e jashtëzakonshme për zhvillimin akademik dhe profesional të studentëve të ardhshëm. Kjo inciativë nuk është thjesht një hap përpara për universitetin tonë, por edhe një angazhim i ri për të sjellë në Shqipëri njohuritë dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Programet e reja të studimit janë një dëshmi e përkushtimit tonë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për studentët tanë, duke siguruar që ata të jenë të pajisur me njohuritë dhe aftësitë më të kërkuara në fushat e tyre të studimit dhe nevojat që ka tregu i punës sot”, u shpreh Fabiola Hysenbelliu, Presidente e Universitetit Luarasi.
Fjala e plotë
Të nderuar të ftuar, ambasadorë, kolegë dhe miq të pranishëm të respektuar!
Është një privilegj për mua si Presidente e Universitetit “Luarasi” që të jem sot këtu me ju, në një moment kaq të rëndësishëm për Universitetin tonë, për arsimin e lartë shqiptar dhe për të gjithë ata që besojnë në fuqinë e dijes si çelësin e suksesit. Me përkushtim të plotë ndaj ekselencës akademike, kemi kënaqësinë të shpallim bashkëpunimin tonë të ri me një nga institucionet më prestigjioze në botë – Universitetin e Londrës, në bashkëpunim akademik me London School of Economics (LSE). Universiteti Luarasi, gjatë 22 viteve të tij të eksperiencës, është konsoliduar si një institucion i shquar, i njohur për angazhimin e tij ndaj ekselencës akademike dhe zhvillimit.
Ky bashkëpunim sjell në Shqipëri tre programe të reja studimi, të cilat do t’u ofrojnë studentëve tanë mundësinë unike për të marrë njohuri dhe përvojë të nivelit më të lartë, ku në përfundim të studimeve do të pajisen me diplomë të Universitetit të Londrës. Përmes këtij bashkëpunimi, standardet më të larta të arsimit global bëhen pjesë e sistemit tonë të arsimit të lartë, duke krijuar mundësi të jashtëzakonshme për zhvillimin akademik dhe profesional të studentëve të ardhshëm.
Kjo iniciativë nuk është thjesht një hap përpara për universitetin tonë, por edhe një angazhim i ri për të sjellë në Shqipëri njohuritë dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Programet e reja të studimit janë një dëshmi e përkushtimit tonë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për studentët tanë, duke u siguruar që ata të jenë të pajisur me njohuritë dhe aftësitë më të kërkuara në fushat e tyre të studimit dhe nevojat që ka tregu i punës.
Si ish-studente e London School of Economics (LSE), e di nga përvoja personale vlerën e një arsimi cilësor dhe ndikimin që ai ka në formimin profesional dhe intelektual të një individi. Më kujtohet momenti kur për herë të parë u ndodha në auditoret e LSE-së, e rrethuar nga mendjet më të ndritura të botës, dhe kuptova sesa e rëndësishme është të jesh pjesë e një institucioni që të sfidon dhe të frymëzon çdo ditë. Pikërisht kjo përvojë më ka frymëzuar për të punuar pa u lodhur që studentët shqiptarë të kenë mundësinë të përfitojnë nga standardet më të larta akademike, pa qenë e nevojshme të largohen nga vendi i tyre.
Ky bashkëpunim nuk sjell vetëm një diplomë prestigjioze, por edhe një eksperiencë unike akademike, ku profesorë dhe ekspertë të njohur ndërkombëtarisht do të ndajnë dijet dhe eksperiencën e tyre me studentët tanë. Kjo do t’i përgatisë ata për tregun global të punës, duke u dhënë një avantazh të jashtëzakonshëm në karrierën e tyre.
Për më tepër, jemi të përkushtuar të mbështesim studentët ekselentë përmes bursave dhe mundësive të tjera financiare, sepse besojmë se asnjë talent nuk duhet të mbetet pa mbështetje. Ky bashkëpunim me një institucion prestigjioz si UoL/LSE nuk është thjesht një arritje, por një hap i madh për të ardhmen. Ai shënon fillimin e një kapitulli të ri në arsimin e lartë shqiptar dhe na motivon të ndërtojmë lidhje të reja bashkëpunimi për zhvillim dhe mundësi të reja për studentët tanë.
Ndaj, sot dua të ftoj çdo student që ëndërron për një të ardhme të ndritur, çdo prind që dëshiron më të mirën për fëmijën e tij dhe çdo partner që beson në fuqinë e dijes, të na bashkohen në këtë rrugëtim. Sepse vetëm së bashku mund të krijojmë një realitet ku rinia jonë nuk ka nevojë të largohet për të arritur suksesin, por mund ta ndërtojë të ardhmen e saj këtu, në Shqipëri. Ju falënderoj nga zemra që jeni sot këtu me ne. Së bashku, le t’u krijojmë të rinjve tanë mundësi dhe ëndrra të realizuara!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.