Dëshmi

January 15, 2021 | 8:12

Presioni po rritet për më shumë punë zyre nga shtëpia

Presioni mbi punëdhënësit po rritet: gjithnjë e më shumë politikanë po bëjnë thirrje për mundësi shtesë për të punuar nga shtëpia. Por jo të gjithë ekspertët e konsiderojnë zyrën në shtëpi një zgjidhje të mirë, shkruan DW.

1

Në luftën kundër virusit Corona, Kryeministri i Bavarisë, Markus Söder (CSU) dëshiron të nxisë punëdhënësit në shtetin e tij që të ofrojnë më shumë mundësi për të punuar në shtëpi për punonjësit. Të mërkurën ai pritet të flasë për këtë në një “samit të zyrës në shtëpi” me biznesin dhe sindikatat, tha ai. Para së gjithash, duhet reflektuar se si mund të shfrytëzohet më mirë potenciali që ekziston – deri tani kjo nuk është bërë si duhet. Po të mos funksionojë kjo, mund të mendohet ndoshta për masa të tjera.

Puna nga shtëpia nuk është po aq e mundur në çdo degë të ekonomisë, “por gatishmëria në përgjithësi duhet të rritet dhe të përmirësohet ndjeshëm”. Në fillim të pandemisë gatishmëria qe më e madhe sesa në fazën aktuale.

Ministri gjerman i Punës, Hubertus Heil më parë u kishte kërkuar ndërmarrjeve që t’i lejonin punonjësit të punonin nga shtëpia në krizën e Corona. “Refuzimi arbitrar i punës nga shtëpia do të ishte i papërgjegjshëm tani,” tha politikani socialdemokrat në radion NDR Info. Të martën, ai do të përsërisë thirrjen e tij për kompanitë për të mundësuar punën nga shtëpia në një konferencë me kryesitë e personelit të firmave të mëdha. Atje ku nuk është e mundur puna nga shtëpia, kërkesat e higjienës duhet të respektohen në mënyrë rigoroze, tha Heil.

Përndryshe ai nuk mund të përjashtonte një ndalim të prodhimit, tha ministri. Sidoqoftë, ai dëshiron të shmangë patjetër një mbyllje të të gjithë ekonomisë.

Heil shprehu keqardhje që futja e një të drejte ligjore për të punuar nga shtëpia dështoi për shkak të rezistencës së partive unioniste. “Përndryshe do të ishim një hap më tej tani.” Projektligji i tij tani parashikon vetëm që të punësuarit të kenë të drejtë të flasin me punëdhënësit e tyre për të punuar nga shtëpia. Nëse punëdhënësi refuzon, ai duhet të paraqesë arsye.

Qasja e duhur?

Sidoqoftë, ka edhe kritikë të detyrimit për të punuar nga shtëpia. Sipas Marcel Fratzscher, President i Institutit Gjerman për Kërkime Ekonomike (DIW), qeveria gjermane do të bënte më shumë dëm me kërkesat ligjore sesa dobi. “Pothuajse 60 përqind e të punësuarve në Gjermani nuk mund të punojnë nga shtëpia, shpesh sepse puna e tyre përfshin shërbimin ndaj njerëzve të tjerë. Kompanitë tashmë po luftojnë për t’i mbijetuar kësaj pandemie,” i tha ai agjensisë së lajmeve DPA.

Oliver Stettes nga Instituti i Ekonomisë Gjermane gjithashtu e konsideron të gabuar një pretendim ligjor për të punuar nga shtëpia: “Puna nga shtëpia mund të jetë produktive vetëm kur të dyja palët e konsiderojnë atë të arsyeshme, punonjësit dhe punëdhënësit”.

Burimi DW

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top