Vendimi i Princ Harry-it dhe Meghan Markle, për t’u shkëputur nga Familja Mbretërore dhe për të punuar që të jenë të pavarur financiarisht ka pushtuar gjithë mediat botërore.
Familja Mbretërore është ajo që është lënduar më shumë nga ky vendim, pasi Princi Harry dhe Meghan nuk u këshilluan me asnjë anëtar të familjes mbretërore kur bënë deklaratën e tyre personale në një postim në Facebook.
Buckingham Palace nuk dinte asgjë mbi bërjen publike të lajmit, pasi bisedimet për të ardhmen e tyre kishin filluar por ishin në faza shumë të hershme. Pallati tha se ka shumë çështje të ndërlikuara për të kaluar përpara se vendimi të bëhet i formës së prerë.
Në deklaratën e tyre të mërkurën, Harry dhe Meghan thanë se morën vendimin pas shumë muajve reflektimi dhe diskutime të brendshme. Ndërsa shtuan se duan të punojnë për t’u bërë të pavarur financiarisht. Pavarësisht vendimit të çiftit, Harry do të mbetet i gjashti në radhën për fronin.
Ndërkohë reagimet kanë qenë të shumta në lidhje me këtë vendim të papritur, ndër to edhe Muzeu Madame Tussauds i veprave prej dylli në Londër ka larguar statujat e Princit Harry dhe bashkëshortes së tij Meghan nga këndi i familjes mbretërore, pas njoftimit të çiftit se do të tërhiqen nga detyrat mbretërore.
Duka dhe Dukesha e Sussex njoftuan se synonin ta bënin jetën tyre mes Britanisë së Madhe dhe Amerikës se Veriut, për të ndërtuar një rol të ri progresiv dhe se tërhiqeshin nga pozicionet e tyre të larta.
Madam Tussauds, ku gjenden më shumë se 250 statuja dylli të njerëzve të famshëm, tha se dy shtatoret në fjalë do të vendosen në një kënd tjetër, larg atij ku ndodhen Mbretëresha Elizabeth, Princi Philip, Princi Charles, Princi William dhe bashkëshortja e tij Kate.
“Njësoj si pjesa tjetër e botës, dhe ne po reagojmë ndaj lajmeve befasuese se Duka dhe Dukesha e Sussex do të tërhiqen,” tha menaxheri i përgjithshëm Steve Davies dhe shtoi se,“si dy nga figurat më popullore dhe më të dashura, ata sigurisht që do të mbeten një element i rëndësishëm i Madame Tussauds, ndërsa mbetet për t’u parë se çfarë kapitulli tjetër do të hapim për ta.”
Burimi / ata.gov.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.