...Unë jam në këtë botë tani dhe ti në atë botë… Kushtoji vëmendje këtyre që do të të them. Ti do të udhëtosh mijëra e mijëra li përmes oqeanit dhe qiellit. Kjo rrugë do të çojë drejt ferrit, e mbushur me zhurmat e zhabave dhe me të folurat përçart të djajve dhe shpirtrave të vdekur…
Por, çfarëdo që të bësh, qëndro larg rrugëve blu dhe të verdha. Gjithmonë, ndiq rrugën e bardhë. Kur udhëtimi yt të këtë përfunduar, ti nuk do të jesh më e vogla Bari. Ti do të jesh Bari, një grua e fuqishme. Unë do të të ndihmoj.., sa herë ti të kesh nevojë…
Pak para se anija të nisej, na nxorën edhe njëherë nga kontenierët, ndërkohë që njerëz të tjerë do të hipnin për të kaluar kufirin. Asnjë nuk mund të ecte. U kthyem sërish në vendin e caktuar dhe u shtrimë sa gjatë e gjerë në dysheme…
Gruaja që i kishin përplasur kokën pas murit, pse nuk e kishte thënë numrin në kohën e duhur, u nxor jashtë nga kontenieri, nuk mund të qëndronte më në këmbë; diku në detin e Kinës Jugore, vdiq. Kokëgjarpërinjtë e kapën nga koka dhe nga këmbët dhe e hodhën jashtë.
Numri tetë ishte kaq e dobët, sa duhet ta ndihmonte dikush për të kryer nevojat e veta. Unë dhe Xiangu ishim akoma të reja dhe fatmirësisht kishim më shumë forcë. Njerëzit që hipën në Xiamen, u ulën mes rreshtave të kontenierëve, që ishin pranë tonave…
Duhet të ishin rreth shtatë apo tetë femra mes tyre. Kur anija kaloi ekuatorin, ne hymë në nivelin e zjarrtë të ferrit, ku etja dhe uria, avash-avash i kthyen njerëzit në kafshë.
Hwang Sok-Yong, novelist, nga Koreja e Jugut. Ka lindur në Hsinking (sot Changchun), Manchukuo, gjatë periudhës së sundimit japonez. Familja e tij u kthye në Kore pas çlirimit, në vitin 1945. Hwang më pas u diplomua në filozofi në Universitetin Dongguk. Ai është padyshim zëri më i fuqishëm i romanit sot në Azi.
Titulli: Princesha Bari
Autori: Hwang Sok Yong
Shqipëroi: Kozeta Kurti
Gjinia: Roman
Shtëpia botuese: OMBRA GVG
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.