Krijimi i një familjeje dhe lindja e një fëmije nuk është një gjë e lehtë, sidomos për njerëzit gjumashë. Sipas një studimi të fundit të botuar në revistën “Sleep”, prindërit e rinj i përjetojnë çrregullimet e gjumit, edhe gjashtë vjet pas lindjes së fëmijës së parë. Të dhënat nga mijëra burra dhe gra tregojnë se pjesa më e keqe e lindjes së një fëmije, nuk është vetëm tremujori i parë pas lindjes.
Hulumtuesit që vëzhguan gjumin e mijëra burrave dhe grave, si në madhësinë e familjes së tyre, kanë treguar se çrregullimi i gjumit përpos zgjatjes kohore ndikon edhe në shëndetin mendor, sidomos tek nënat e reja. Megjithatë, prindërit përmirësojnë gjumin e tyre kur fëmijët rriten, por shumë prej tyre janë shprehur se nuk mund të zëvendësojnë gjumin që kanë humbur.
“Ne nuk prisnim këto të dhëna, pasi të gjithë mjekët kanë pretenduar gjatë gjithë kohës se çrregullimet e gjumit tek prindërit e rinj, maksimumi mund të zgjasin deri në një vit pas lindjes,” tha Sakari Lemola, neurolog dhe bashkautor i studimit.
Ai shtoi gjithashtu se është tepër e rëndësishme që fëmijët të mos qajnë gjatë natës, sepse kur të rriten, ata mund të kenë imunitet më të dobët dhe mund të jenë të prirur për të përjetuar më shumë ankthe, ndërkohë, që prindërit duhet të mësohen me këtë stilin e ri të jetesës pas ardhjes në jetë të një fëmije.
Studimi u bazua në të dhënat mbi 2500 gra dhe 2.200 burra gjermanë që u treguan të gatshëm për të treguar cilësinë e gjumit, orët që flinin gjatë një dite normale dhe orët që flinin në fundjavë, për një periudhe kohore gjashtëvjeçare.
Rezultatet e studimit treguan se gratë kishin më pak gjasa të përjetonin anomali të cilësisë së gjumit në shtatzëninë e dytë ose të tretë, ndërkohë që lindja e fëmijës së parë u cilësua rraskapitëse për të dy prindërit.
Gjithashtu, gratë ishin relativisht të privuara nga gjumi deri në gjashtë vjet pas lindjes së fëmijës së parë. Kohëzgjatja e gjumit përgjithësisht ishte rreth 45 minuta më pak se mesatarja që duhet të flejë një njeri normalisht.
Cathy Finlay, një mami në maternitetin qendror të Londrës tha se ka mënyra që prindërit të mos i ndjejnë shumë çrregullimet e gjumit.
“Çrregullimi i gjumit është fizikisht dhe emocionalisht i papërballueshëm për të gjithë prindërit. E vetmja mënyrë për të shmangur pagjumësinë është që të kërkoni ndihmën e familjarëve ose të punësoni një kujdestare,” thotë ajo.
Sipas saj, pagjumësia mund të jetë e vështirë dhe e lodhshme, por duhet të kujtoni vazhdimisht që nuk do të zgjasë përgjithmonë. /The Guardian/
Marrë nga gazetasi.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.