“Mbylle se ta vesha”, “as gëk mos të bësh, dëgjove?” dhe pastaj kthehen nga njëra-tjetra, apo njëri-tjetri dhe vazhdojnë: “oj, se nuk na la rehat”, “e duan nga një shpullë”, “ohu s’kemi nerva!”
Këto shprehje, të shoqëruara me shikimin e ngrysur prej të rrituri të inatosur, pse ju prish dëshira e vet, dëgjohen e shikohen njëlloj, në lokale moderne, apo lokale të thjeshta dhe në rrugët e Tiranës.
Këto shprehje dëgjohen, pa dallim nga të gjithë të rriturit me shkollë apo pa shkollë, nga nënat dhe baballarët, nga gjyshe dhe gjyshër.
Prindër, që flasin gjysma anglisht e gjysma shqip dhe gjyshër e gjyshe, që flasin si të munden, në këtë “pikë” janë njëlloj. Ndërsa fëmija aty në cep, me një pako patatina apo coca-cola në dorë, me lot në sy dhe i fyer e i trembur brenda vetes, e mbush shpirtin me inat dhe dyshime.
Janë këto skena “të vogla” të cilat, nxitin “errësirën” në shpirtin dhe mendjen e fëmijës, që ndërtojnë “muret e heshtjes” ndërmjet fëmijës dhe vetes, dhe prindit e fëmijës.
Këta të rritur, prindër dhe gjyshër, që nuk lënë lodër pa u blerë fëmijëve, e humbin durimin në çast, kur u prishet terezia dhe harrojnë që janë në publik. Të rritur, që për pak tolerancë, nga ana e tyre, shkatërrojnë në publik vetëvlerësimin që fëmija po përpiqet të ndërtojë me mundim.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.