Pavarësisht se në botë prindërimi është një nga fushat më të studiuara, rritja e një fëmije të lumtur dhe të shëndetshëm është një nga detyrat më provokuese që një prind mund të ketë.
Të jesh prind është një nga detyrat më të vështira, është një përgjegjësi e pafund, pasi prindërim do të thotë të ndërtosh me kujdes karakterin e një fëmije dhe t’i japësh baza të forta mbi të cilat ai do të orientohet gjatë gjithë jetës. Por, çfarë është prindërimi i mirë?
Në rast se përpiqemi të gjejmë një përkufizim të këtij koncepti, mund të themi se prindërimi i mirë është rritja e fëmijëve me kujdes, me shumë dashuri dhe me udhëzime të mira. Kjo përfshin edhe krijimin e një ambienti familjar të ngrohtë dhe të sigurt, ku fëmijët mund të zhvillojnë një vetëvlerësim pozitiv. Prindërimi i mirë është një sfidë shumë e madhe, pasi nuk ka ndonjë mënyrë të parapërcaktuar për ta arritur këtë qëllim. Synimi kryesor i prindërimit të mirë është të optimizohen maksimalisht mundësitë e fëmijës, në mënyrë që me rritjen të bëhet pjesëmarrës produktiv dhe aktiv i shoqërisë. Sipas statistikave, Shqipëria ka nivelin më të lartë në Ballkan për sa i përket vdekshmërisë foshnjore që në ditën e parë të jetës. Përgjatë 5 viteve të fundit, niveli i vdekshmërisë së fëmijëve nën 5 vjeç është 22 vdekje për 1000 lindje, ndërsa në shtete të zonës ky nivel është nga 5 në 9 vdekje për 1000 lindje. Niveli i vdekshmërisë te foshnjat dhe në fëmijërinë e hershme është më i lartë në zonat rurale dhe prek sidomos zonat malore dhe familjet shumë të varfra. Megjithatë, ky është vetëm një tregues i çështjeve të tjera me rëndësi shoqërore në Shqipëri. Duhet nënvizuar fakti se një problem tjetër shumë i rëndësishëm është mungesa e mjeteve financiare dhe burimeve njerëzore, të cilat pengojnë shumë familje të kenë akses në shërbime shëndetësore cilësore, informacione të domosdoshme dhe këshilla prindërimi, të cilat janë aq të nevojshme.
Pavarësisht se në botë prindërimi është një nga fushat më të studiuara, rritja e një fëmije të lumtur dhe të shëndetshëm është një nga detyrat më provokuese që një prind mund të ketë. Zakonisht në Shqipëri kjo detyrë është përgjegjësi e nënës. Mëmësia i përball femrat me shumë sfida, sakrifica dhe probleme, jo vetëm për sa i përket shëndetit, mirëqenies dhe sigurisë së fëmijëve të tyre, por edhe pozicionit të tyre në shoqëri, përgjegjësinë dhe ekuilibrin e brendshëm. Kërkimet kanë treguar se me rregullimin e ekuilibrit të brendshëm të nënave dhe duke reduktuar sfidat që ato përballen, përmirësohet mënyra se si ato përballojnë sfidat e prindërimit. Me mbështetjen e Zyrës e Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri, në maj të këtij viti është inauguruar një projekt i Qendrës Kërkimore për Politika Publike “TRIUM”, i cili u adresohet në mënyrë të veçantë nënave shqiptare. Projekti, që quhet “Shkolla e mamave”, synon promovimin dhe aplikimin e parimeve dhe praktikave të prindërimit. Me anë të këshillimit profesional, projekti do të ofrojë ndihmë thelbësore për mamatë dhe për familjet e tyre. Do të adresohen problemet e mamave në vështirësi, sidomos të atyre me rrezik të lartë përjashtimi nga shoqëria, atyre që jetojnë në varfëri ekstreme, nëna të vetme, nëna me depresion pas lindjes etj. Me këtë projekt synohet fuqizimi i nënave, duke i siguruar shanse të barabarta për sa i përket aksesit tek informacioni dhe shërbimet, punësimit dhe mbajtjes së familjes. Arritja e këtij synimi do të sjellë rritjen e pjesëmarrjes së nënave në jetën ekonomike dhe shoqërore, si dhe përmirësimin e aftësive të tyre si nëna. Ky projekt do të shërbejë si një lidhje midis nënave në gjendje të vështirë dhe institucioneve shtetërore, organizatave të ndryshme, ofruesve të shërbimeve të ndryshme jo shtetëror dhe sektorit privat, në mënyrë që zërat e tyre të dëgjohen dhe të rritet pjesëmarrja e tyre në këto procese.
Një nënë e qetë dhe e ekuilibruar mund të rrisë fëmijë të lumtur. Rëndësia e një nëne është shumë e madhe. Ajo është njeriu që edukon qytetarët e ardhshëm të shoqërisë, ndaj mbështetja e tyre nga ana e këshillimit dhe rritjes së vetëvlerësimit janë hapat e parë për të ardhmen e fëmijëve tanë. Ashtu siç e ka thënë Franklin D. Roosevelt “Mbase nuk mundemi të përgatisim të ardhmen për fëmijët tanë, por duhet të përgatisim fëmijët tanë për të ardhmen”.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.