Posta

August 18, 2016 | 8:34

Prindërit e mi ndërhyjnë në familjen time

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Prej 8 vitesh kam krijuar familjen time dhe jam i kënaqur. Ajo që më shqetëson është tjetër gjë. Që kur jam shkëputur nga prindërit, sjellja e tyre ka ndryshuar. Ata nuk reshtin së më këshilluari dhe shkojnë deri aty sa të më udhëheqin e të më thonë: ‘Bëj si duam ne’. Janë situata për të cilat ata presin që unë dhe bashkëshortja ime të sillemi sipas pritshmërive të tyre. Shpesh ua bëj të qartë se jemi familje më vete, por ndonjëherë më duket se me egoizmin e tyre kërkojnë të krijojmë lidhje familjare jo të shëndetshme dhe kjo gjë më krijon shqetësim. Si t’ua mbush mendjen të mos ndërhyjnë kaq shumë?

Përgjigjie: Kjo situatë është e rëndësishme edhe për shumë lexues, të cilët ende kanë marrëdhënie të ngushta me prindërit e tyre, duke mos i dhënë frymëmarrje familjes së re. Prindërit janë shumë të rëndësishëm në jetën tonë, por “misioni” i tyre është: “Jeto me fëmijët dhe jo për fëmijët!”. Ky mesazh është edhe për fëmijët, të cilët bashkëndajnë jetesën me njerëzit e dashur, por pa prekur vetësakrificën në përkushtim, pa qenë e nevojshme një gjë e këtillë. Ne lindim në këtë botë të vetëm për të qenë së bashku, por fundja jemi qenie të pavarura në funksion të botës ku jetojmë, ndaj dhe ka mosmarrëveshje kur përballemi me elementë si në situatën tuaj, ku rrugëtimi i marrëdhënieve familjare është i gjatë dhe shpeshherë i vështirë. Në letrën tuaj më pyesni: “Si t’ua mbush mendjen prindërve!?” Menjëherë unë po mendoja: “Si t’jua mbush mendjen ju që të mos ua mbushni mendjen prindërve?!” Do thoni ju, e çfarë ndihme po më jep kjo Denata! E kuptoj që është e lodhshme të ndihesh i detyruar të veprosh sipas dëshirave të të tjerëve, por përpara se të kërkoni të ndryshoni qëndrimin e prindërve, pse nuk u hidhni një vështrim veprimeve tuaja? Çfarë keni bërë ju që prindërit të kenë kaq shumë hapësirë për të ndërhyrë në jetën tuaj? Unë besoj se një sjellje e cila shpërblehet, ka shumë gjasa që të përsëritet. Pyetja ime është: cili është shpërblimi që u keni dhënë prindërve, që janë kaq të motivuar për të ndërhyrë në jetën tuaj? Ndoshta përmbushja e kërkesave që kanë?! Ndoshta… Ndoshta përmbushja e kërkesave që kanë?! Ndoshta… Mendoj se sjellja juaj, qëndrimi që do të mbani, ka shumë mundësi ta kthejë situatën në favorin tuaj, duke i dhënë fillimisht një shpjegim racional nëpërmjet rrugëve të komunikimit, e duke u thënë “JO!” kërkesave të prindërve. Më pas injoroni reagimet emocionale, pas JO-së. Ka shumë të ngjarë që sjelljet e padëshiruara nga ju të “shuhen” me kalimin e kohës, e ndoshta prindërit tuaj do të më drejtohen me një letër se si ta bindin fëmijën e tyre që t’i dëgjojë. Me pak fjalë, stimuloni sa më shumë veten drejt vendimeve personale, dhe vendimi i parë është: U thuaj JO kërkesave irracionale, kushdo qoftë burimi prej të cilit vijnë. Jua siguroj që ju sërish i doni shumë prindërit tuaj dhe e kundërta.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top