Alice Miller, një psikologe e famshme zvicerane, me origjinë polake, shkruan në librin e saj të përkthyer në italisht: “La persecuzione del bambino” me nëntitull “Le radici della violenza”, këto fjalë: “Të burgosurit, është e vërtetë, nuk i lejohet të reagojë apo të rebelohet ndaj poshtërimit të bërë, por ai është i lirë të urrejë brenda vetes keqtrajtuesin”.
Kjo mundësi, e të jetuarit të ndjesisë së tij, madje edhe të flasë me të tjerë të burgosur, i krijon mundësinë të mos heqë dorë nga vetja e tij.
Pikërisht kjo mundësi i mungon fëmijës, kur prindërit sillen keq apo e keqtrajtojnë. Fëmija nuk duhet të urrejë prindërit e tij, përkundrazi ai duhet t’i nderojë dhe t’i dojë prindërit, pavarësisht si sillen ata.
Prindërit i ndëshkojnë dhe keqtrajtojnë fëmijët në emër të edukimit, por sa e vërtetë është kjo?
Prindër! Ashtu siç i jepni të drejtë vetes të silleni me fëmijën, sipas ngarkesës suaj emocionale, po ashtu, njihjani këtë të drejtë edhe fëmijës. Kur fëmija juaj është i nxehur apo i mërzitur, lëreni të bërtasë apo të përplasë këmbët, jepini të drejtë për ndjenjën e tij, edhe pse është e vështirë, për shumë arsye.
Më mirë të përplasë këmbët tani, që është i vogël, sesa të bëhet një i rritur rebel, i pavetëdijshëm, i paaftë për të qenë njerëzor dhe qytetar.
Edukimi nuk është dhunë dhe frikë, por tolerancë dhe përgjegjësi nga ana e të rriturit.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.