Prindërit…
Të dhënë pas punëve të “mëdha”, ndonjëherë harrojmë t’i vizitojmë apo tu telefonojmë. Por ata nuk vonojnë…
Nuk na telefonojnë për të na thënë se nuk janë mirë, se tensioni u është rritur apo se reumatizma po u ther kockat. Jo! Duan të dinë si jemi ne, si janë fëmijët, si na venë punët.
Pastaj të kërkojnë llogari se pse je vonuar kaq shumë pa i vizituar. Një javë për ne konvertohet në një muaj për ata. Dhe pas këtij “debati”, biseda mbyllet gjithmonë me porosinë: “Dhe bëj kujdes, se janë kohë të vështira këto”.
Eh, prindërit… Mendojmë se do të jenë gjithmonë aty, edhe pse të mpakur e të plakur. Mendojmë se janë pasuri e patundëshme. Por vjen një ditë që duhet të pranosh diktaturën e ligjeve të jetës dhe atëherë nis e bën ca llogari: Sa i kam mërzitur, sa u kam shërbyer, a kam bërë mjaftueshëm për të justifikuar sadopak sakrificën e tyre për ne fëmijët? Dhe llogaria nuk të del asnjëherë. Jemi gjithmonë në borxhe, dhe kështu do të mbesim para prindërve.
T’i bëjmë sa të mundemi të qeshin, edhe pse ata merakosen edhe kur u thua se mu shpua goma e makinës.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.