Rreziqet e shtatzënisë jo domosdoshmërish lidhen me moshën, megjithatë nga studimet e kryera së fundmi, mosha është një faktor që ndikon më së shumti në këto rreziqe. Nëse i ke kaluar të 30-at dhe ende nuk ke bërë asnjë lindje, e mira është t’i mbash parasysh ca këshilla.
Rreziqet shëndetësore shtohen me kalimin e moshës, por ajo që është më e rëndësishme është gjendja jote shëndetësore para planifikimit të shtatzënisë dhe gjatë saj. Nëse një femër është mbipeshë ose ka probleme të tjera shëndetësore, të cilat nuk mbahen nën kontroll prej saj, atëherë rreziku i një shtatzënie të komplikuar është i lartë.
Gjithashtu, një femër që vuan nga presioni i lartë i gjakut, duhet t’i nënshtrohet trajtimit për të balancuar nivelin e presionit të gjakut e më pas të planifikojë shtatzëninë. Femrat në moshën 30-35 vjeç, që janë duke planifikuar një shtatzëni, fillimisht duhet të njihen me rreziqet e mundshme për këtë grupmoshë:
Bebe të vogla: Femrat në moshë kanë një rrezik të lartë, atë të lindjes së fëmijëve në peshë të vogël, gjë që mund të shoqërohet me probleme shëndetësore për foshnjën pas lindjes.
Operacioni cezarian: Me rritjen e moshës, rritet dhe probabiliteti i përzgjedhjes së operacionit si alternativë lindjeje.
Problemet e fertilitetit: Me rritjen e moshës, fertiliteti natyral i saj bie. Ndaj, elementi kryesor që duhet të konsiderosh përpara shtatzënisë, është fertiliteti. Çdo femër duhet të konsultohet paraprakisht me mjekun për këtë aspekt.
Diabeti i shtatzënisë: Kjo gjendje largohet me përfundimin e shtatzënisë, por megjithatë femrat në moshë të madhe janë në një rrezik më të lartë për mbartjen e tij edhe pas lindjes. Pesha e fituar gjatë shtatzënisë dhe zakonet e ushqyerjes kanë një impakt të drejtpërdrejtë në këtë sëmundje.
Preklampsia: Është një gjendje, e cila shoqërohet me presion të lartë të gjakut dhe proteina në urinë. Në disa raste, preklampsia mund të shfaqet edhe në mosha më të reja dhe rrit rrezikun e një lindjeje të parakohshme.
Burimi / telegrafi.com
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.