Një studim i ri thotë se fjetja vetëm 16 minuta më pak se duhet mund të ndikojë performancën tuaj në punë ditën pasardhëse. Sipas studiuesve, fjetja më pak se zakonisht shoqërohet me aftësi më të dobëta gjykimi dhe rritje të shpërqendrimit në punë. Punonjësit po ashtu raportojnë rritje të niveleve të stresit, ç’ka çon në një ditë më pak produktive.
Skuadra e studiuesve nga Universiteti i Floridas së Jugut, u bën thirrje punëdhënësve të ndihmojnë në përmirësimin e gjumit të punonjësve duke lehtësuar ngarkesën e tyre në punë, duke mos i ngarkuar jashtë orarit dhe duke mos i shqetësuar me thirrje telefonike dhe e-maile zyrtare pas punës.
Udhëheqësja e studimit, Dr. Soomi Lee, thotë se frymëzimi për këtë studim i kishte ardhur nga jeta e saj personale. Ajo thotë se mungesa e gjumit të mirë në natën paraardhëse ndikonte në jetën e saj të përditshme me emocione negative. “Kështu që pyesja veten nëse gjumi kishte lidhje me performancën në punë”, thotë ajo.
Për studimin e publikuar në revistën “Sleep Health”, skuadra e studiuesve mbikëqyri 130 të rritur që punojnë në fushën e Teknologjisë së Informacionit. Studiuesit zbuluan se të rriturit që flinin 16 minuta më pak se zakonisht (referuar kohës prej 7-8 orësh gjumë) raportonin probleme veçanërisht me përqendrimin, ç’ka sjell rritje të nivelit të stresit dhe një ditë më pak produktive. Ndikimi i mungesës së gjumit nuk paraqet me të njëjtin ndikim negativ në ditët e pushimit.
Mos fjetja mjaftueshëm është një problem tepër shqetësues në SHBA dhe më gjerë në botë. Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, më shumë se një e treta e amerikanëve të rritur flenë më pak se 7-8 orët e rekomanduara. Përveç dëmtimit vigjilencës dhe memories, gjumi i dobët lidhet edhe me probleme të zemrës dhe sistemit imunitar.
Një studim i vitit 2016 i RAND Corporation arriti në përfundimin se mungesa e gjumit në popullsi i kushton ekonomisë amerikane 411 miliardë dollarë në vit. Ekonomia amerikane humb mbi 1.2 milionë ditë punë në vit si pasojë e lodhjes – qoftë duke marrë ditë pushim, apo duke shfaqur performancë nën nivelin e duhur.
Burimi / tvklan.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.