Dëshmi

June 18, 2019 | 11:01

Prof.Murat Gecaj: Poetja Regjina Nicaj, me shpirtin në paqe te poezia e një nënë me fat

 

 

 

Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues shqiptar, ish-redaktor në gazetën javore të fëmijëve “Pionieri”. Ka studiuar e botuar, dhe vazhdon punimet e tij për historinë e arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar, veçanërisht nga Kosova. Në vitin 1992, mbrojti disertacionin në këtë fushë dhe mori gradën “Doktor i shkencave pedagogjike”. Në vijim të punës së bërë, në vitin 1996 iu dha titulli shkencor “Profesor i asociuar”. Në 2011, është përfshirë në Institutin e Integrimit të Kulturës Shqiptare, me qendër në Tiranë, me detyrën përgjegjës i sektorit të shtypit e i marrëdhënieve me publikun.

Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues shqiptar, ish-redaktor në gazetën javore të fëmijëve “Pionieri”. Ka studiuar e botuar, dhe vazhdon punimet e tij për historinë e arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar, veçanërisht nga Kosova. 

1.Nuk e dinë shumë lexues, se Rrekoni, autorja që nënshkruan poezitë e saj në faqe të ndryshme të Internetit, e ka emrin e plotë: Rregjina Kolë Nicaj. Ajo tregon se ka lindur e është rritur në lagjen e bukur, Hot i Ri, jo shumë larg nga qyteti i Shkodërloces, siç e quan këtë qytet plot histori, të vjetra e të reja. Rrjedh nga një familje e thjeshtë. Babi ishte traktorist dhe nëna punëtore. Lindën e rritën gjashtë fëmijë të shndetshëm, me shumë edukatë por dhe me sakrifica të panumërta.

Rregjina tani kujton: “Vegjëlinë e kam kaluar veprave, kantiereve të elektrifikimit, në gjithë Shqipërinë, deri në moshën 7-vjeçare. Sepse babai nuk u kursye që të ngjitej majave më të larta, fushave e kodrave me buldozier, për ta sjellë dritën elektrike, deri në zonat më të thella e në qytete. Punonte sa në Levan-Fier, sa në Vorë, sa në Poliçan dhe sa në Durrës, Porto Romano e Spitallë dhe më tej, në Berat, Vlorë e Sarandë dhe në Veri: Fierzë, Laç, Vau i Dejës, Kukës, Fushë Arrës, etj..etj.

1-rregjina-k-nicajMegjithatë, ashtu si fëmijët e tjerë, jam rritur me shumë dashuri nga prindërit e mi. Si i thonë fjalës, për këtë gjë, më duket se jam fëmija më me fat, në botë. Na rritën me një komunikim të ëmbël, me këshilla e përkëdheli, të gjashtë fëmijët, me nga një emër të dytë. Edhe pse të varfër, por ishim gjithmonë të lumtur, dinin të na e trasmetonin lumturinë me lutjet dhe besimin në Zot. Na qortonin vetëm me një shikim. Kur mbyllej dera e shtëpisë, nuk duhej të përgojohej askush, vetëm flisnim ne, brenda çelësit të shtëpisë. Nëna jonë ishte grua fisnike, shumë-shumë e fortë. Si i thonë fjalës, ishte burrë e grua, në karakterin e saj, nuk u trembej vuajtjeve…”.

Pas shkollës 8-vjeçare, Rregjina mësoi në gjimnazin e njohur e shumë presticioz, “28 Nëntori”, në Shkodër. Ishte lumturi të quheshe gjimnaziste dhe kjo ishte ëndrra e parë e saj. Rrugën për në shkollë e bënte më këmbë, pothuajse çdo ditë. Duheshin plotësuar kërkesat për 6 fëmijë, por dhe ajo kishte nevojat shkollore të saj. Po, me aq sa mundnin, prindërit ishin shumë të rregullt e të kujdesshëm, sa nuk u mungonin gjërat kryesore jetësore. Kur Rregjina i kërkonte para, për një libër a fletore, kurrë nuk i thoshte jo e mira nënë. Megjithëse e re, Rregjina e kuptonte fort mirë gjendjen ekonomike të prindërve. Ajo tregon: “Bëja tri palë detyra në një fletore, kimie në fillim, pastaj biologjie, në mes dhe analizë matematike, në fund. Detyrat e të  gjitha lëndëve i bëja kështu. E mbështjellja bukur fletoren, e hapja sipas lëndës që kisha detyrat… Kështu, arrita t’i vazhdoja mësimet dhe përherë më kanë thënë fjalë të mira…”.

Fill pas Gjimnazit, Rregjina u martua, pra krijoi familjen e saj të re. Bashkëshort kishte një djalë plot vlera, nga një familje e njohur shkodrane, sportisti Sterkaj i Klubit “Vllaznia” të Shkodrës. Për shumë vite, siç thotë ajo, bashkëshorti është një kryefamiljar e bashkëshort i rregullt, kursimtar, pa asnjë ves të keq dhe baba ideal.

Pas gjimnazit, njëkohësisht sapo u martua, Rregjina studioi dhe mbaroi me rezultate të shkëlqyera Fakultetin e Lartë, për “mami-infermiere”, po në Shkodër. Që nga ajo kohë, në vitet 1982 e deri më 1997, ka punuar në profesionin e vet, në Spitalin Civil-Shkodër dhe në Urgjencën e Poliklinikës Qendrore të atij qyteti. Kjo ishte ëndrra e dytë e saj, u bë nënë e dy fëmijëve të mrekullueshëm. Sot ata i falin kënaqësi e krenari, që nga koha e studimeve, e punës dhe e jetës, në përgjithësi. Prandaj ajo i falënderon nga zemra, me shumë mirënjohje. Si nënë, e ndjen se e ka shpirtin në paqe, se është një nënë me fat. “Kjo është ëndrra më e bukur e jetes sime, që u bë realitet”, – thotë tani Rregjina.

2.

Një ngjarje e re, por e padëshiruar, ndodhi për familjen e Rregjina K.Nicaj, 22 vjet më parë. Atëherë, të detyruar nga rrethanat e jetës, ikën nga vendlindja me gomone, familjarisht, në një tokë të huaj, me shpresën e një jete më të mirë. Fëmija i vogël ishte 6-muajsh e i madhi 15 vjeç. Rregjina me brengë në zemër, shprehet: “Ishtë një përvojë e hidhur, të cilën nuk dua, jo kurrë, ta përsëris më, por dhe as ta kujtoj, se më kap ankthi! E kemi parë vdekjen më sy, por unë them se Zoti është i mirë, edhe pse kalvari i vuajtjeve në tokën e huaj nuk paska kurrë fund, duke kaluar prova pas provazh të vështira për të jetuar!”

Unë dhe im shoq me unitet e dialog, kokë më kokë, ia dolëm, u morëm vesh me letra deri vonë, kur dolën telefonat me mesazhe. Hynte njëri në shtëpi e dilte tjetri, i kanë dëshiruar fëmijët, që t’i përkëdhelnin e t’ua ndjenin lezetin. Nuk kishin kohë që të rrinin me ata, se do të punonin për ta fituar bukën e gojës dhe për të siguruar jetesën. I tillë ishte, sidomos fillimi për familjen e poetes Rregjina K.Nicaj.

Fati i buzëqeshi asaj, kur iu krijua mundësia që të punonte infermiere në klinika të ndryshme, në Avis, Sert. Kur gjente kohë, bënte pjesë në “Kroce Rossa italiana”, ku studioi e dha shumë provime, për të marrë diplomat e duhura, për taktika e procedura medicinale, për të shpëtuar jetë njerëzish, punë që e kryen me shumë dashuri.  Rregjina ka mbaruar dhe kurset “Infermiere Pratica Della Famiglia”, më vonë, kursin “Sindikalist, nga ACLI Savona”. Por ka mbaruar dhe kursin e rrobaqepsisë, me kategorinë e dytë. Ajo shton: “Jeta në dhe të huaj, nuk është aspak e lehtë, por, për të mirën e fëmijëve, sakrificat janë detyrim…”.

3.

nr-3-kapak-libri

Pasioni i Rregjina K.Nicaj që e vogël, ka qenë leximi i librave letrarë. Ishte anëtare e biblotekës së shkollës dhe aty merrte librat që i pëlqenin. Për këtë pasion të saj, atë e nderuan me distingtivin “Mik i vogël i librit”, të cilin e ruan me kujdes edhe tani. Pastaj shumë e re, as ajo vetë nuk e di se si, “mbiu” një filiz i bukur për të shkruar. “Ndjehesha e dyzuar në trupin tim, – thotë Regjina. – Diçka reagonte vazhdimisht, si në gëzim e si në trishtim, dilte jashtë një zë që më rrëfehej. Fillova t’i hedh në letër ato mendime, por nëna ime e mirë nuk kishte para të na blinte fletore edhe për poezitë. Kujtoj si tani, kur gjeja bllok borderosh të punëtorëve, në ngjyrë të verdhë e jeshile, diku në rrugë, madje dhe të lagura, të ndotura, i pastroja, i thaja me kujdes. Gëzimi im ishte kur shihja anën tjetër, aty ku ishin bosh. Hidhja vargjet e para me një laps, që e mprehja më shumë kujdes, që mos të më thyhej. Kur na vinin të flinim, në zheg, ne fëmijët, unë ikja pas shtëpisë, nën një qershi ose në oborrin tonë të vogël, nën man. Aty gjeja qetësi e shkruaja, nën muzikën e gjinkallave, nën freskun e hardhisë. Im atë, ndodhte që m’i merrte nga dora poezitë e i lexonte. Mbase, frikësohej, se po vuaja për ndonjë gjë, ngaqë isha adoleshente. Pastaj më puthte në ballë, duke më thënë ëmbëlsisht: “Shkruaj, shpresa e babës, por ke nevojë edhe për pushim”. Edhe darkave, dimrit, shkruaja nën dritën e një bishtuku, që e sajonte nëna me vaj. Më ftohej gjella, gjithmonë. Më afrohej nëna ngadalë dhe më fliste butësisht: “Ha bukë, rrushja e nanës, pastaj shkruaj sa të duash!” Unë, vërtetë e shihja që atë çka ma jepte muza në çast, tani s’e gjeja më! Ishte lumturi për mua që të shkruaja, sikur çlirohesha. Ende i dinë përmendësh vargjet e mia shoqet e fëminisë dhe kur takohemi, m’i citojnë. Ato vargjet e bukura, të ndjesive të sapolindura të dashurisë, verën e kaluar, në 40-vjetorin e maturës, nje shoqe klase, I.R. më citoi vargjet që ia kisha bërë asaj, kur isha në stërvitje ushtarake, 16-vjeçare. U habita, që ajo i mbante mend!?”

Ka shumë vite që shkruan poezi Rregjina K.Nicaj. Deri tani ka botuar 15 libra poetikë, njërin nga të cilët në italisht, nga shtëpi botuese të ndryshme. Ajo është shumë e kënaqur nga puna e të gjithë botuesve. Gjithshtu, është pjesëmarrëse në mbi 15 antologji. Me miq të artit, e ka përuruar shumicën e librave të saj. Për larminë tematike dhe bukurinë e vargut, është vlerësuar nga shumë poetë e prozatorë të afirmuar e i kanë dhënë disa certifikata e tituj, të cilët nuk ka dëshirë që t’i publikojë, por i ruan kujtim në albumet e Fb. “Është thënë shpesh se botimi i librave, është ndër çastet më të bukura të jetës, si lindjet e fëmijëve të mi”, – thotë Rregjina. Në tematikën e tyre gjenden vuajtjet e kurbetit, dashuria për jetën, dhimbja e madhe për gratë, që po i vrasin burrat, nga dorë e “dashurisë”?!

nr-2-kapak-libri

Siç thamë më lart, kjo poete “me bereqet”, ka shkruar libra dhe në gjuhë të huaj. Gjatë jetës, ajo ka lexuar libra të panumërt. Se për të sillnin lumturi e gëzim, e pajisnin me dituri e kulturë. Sepse, një poet i mirë nuk mund të bëhesh pa u njohur me krijimtarinë e të tjerëve, ndër vite. Ata nuk mund të mbahen mend të gjithë, por ndikojnë në formimin e përgjitshëm të çdo krijuesi.

Rregjina K.Nicaj ka respekt për çdo poet. Edhe për një penë të sapolindur, që hodhi një varg, mbrëmë. Ajo i do poetët e muzat e tyre-mjaltë. Do të lexojë prej tyre vetëm për dashuri dhe paqe. Kur lexon vargje, me urrejtje e mllef mes poetësh, ndjehet keq! Një penë e poetit nuk duhet t’ia prishë paqen askujt, s’duhet të jetë armë, as mjet shkatërrimi për askënd. Kjo autore, në të gjithë krijimtarinë e saj, fal dashuri në varg, dhe nuk kërkon asgjë tjetër, veçse dashuri të pastër njerëzore.

…Në mbyllje të këtyre radhëve, e përshëndesim dhe e urojmë nga zemra poeten Rregjina K.Nicaj dhe i dëshirojmë gjitha të mirat, për veten e familjen, vazhdim të krijimtarisë sa më të begatë e cilësore, si deri tani! Tiranë, qershor 2019

***

Dashuro

Dashuro nëse ta thotë zemra,

dashuro nëse ta thotë shpirti,

dashuro me të gjithë forcën,

bjer edhe në mëkat për ndjenjën

kur t’i jep ethet!

Mos pyet… aspak… vrapo

aty ku të çon shpirti.

Dashuro si e çmendur,

dashuro për kënaqësi,

kurrë mos e shit ndjenjën

as për interes as për karrierë.

Dashuro që ta lumturosh

zemrën, mishin, gjakun, shpirtin,

dashuro që të kesh atë kujtim,

si një ëndërr ta përjetosh

edhe kur mos ta kesh më!

Ajo mbin thellë, është e shenjtë,

do të të lërë rrënjë të përjetshme.

Dashuro edhe varfërisht,

dashuro, ndershmërisht.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top