Alarm i ri vjen nga Franca. Protezat për rritjen e gjoksit po shtojnë dyshimet për shtimin e rasteve të një tumori të rrallë. Denoncimet e para mbërrijnë nga Parisi dhe Marseja, të cilat janë përfshirë nga një debat publik, pavarësisht se ende ka shumë pak informacion dhe studime apo hetime mbi këto raste dhe lidhjen e tyre të mundshme.
Debati për këtë çështje është organizuar nga Agjencia Kombëtare Franceze e Sigurisë së Medikamenteve. Në aktivitet kanë marrë pjesë komiteti shkencor, sociologë, psikologë, specialistë të kirurgjisë plastike, mjekë e gjinekologë, por edhe përfaqësuesit e industrive që prodhojnë protezat e gjirit.
Qëllimi i mbledhjes, e cila është transmetuar live në rrjetet sociale, ishte pikërisht mbledhja e informacioneve e dëshmive. Deri tani janë verifikuar 59 raste me tumor, ndër 500 mijë të analizuara. Aktualisht autoritetet mjekësore kanë pezulluar autorizimin e përdorimit të këtyre protezave. Një ditë më parë edhe Autoriteti amerikan i Medikamenteve dha alarmin për 457 raste të shfaqjes së tumorit linfoma anaplastic BIA-Alcl në gra me proteza në gji, ndërsa bëri të ditur se janë shënuar 660 raste me efekte anësore nga kjo ndërhyrje.
Autoritetet amerikane kanë nisur studimet për analizimin e të gjitha rasteve për të arritur në një konkluzion shkencor.
Burimi / KlanPlus
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.