Le të fillojmë direkt me statistika, për të parë sa shumë fëmijët dhe mosha e re janë përfshirë në ushtrimin e dhunës. Në këtë mënyrë do të arrijmë të kuptojmë se sa alarmante është situata për shoqërinë kur vjen puna për edukimin e një brezi të tërë. Sipas statistikave në shkallë globale, mbi 6 milionë djem dhe 4 milionë vajza përfshihen në grindje çdo vit nëpër oborret e shkollave. Ndërkohë ata që mundohen të mos përfshihen në këto grindje, kërcënohen ose edhe robërohen.
Fenomeni “bullying”
“Vënia në shënjestër”, që quhet ndryshe “bullying”, është simptoma më e përhapur në ditët e sotme, duke filluar te parashkollorët dhe u theksuar te mosha para-adoleshente dhe adoleshente. Ky fenomen ka ekzistuar aq gjatë sa edhe vetë njerëzit, ndonëse arsyet e përdorimit të dhunës kanë qenë të ndryshme nga një epokë në tjetrën. Vitet e fundit dhuna është bërë shumë më e dukshme si fenomen. Prindërit dhe edukatoret janë të detyruar të gjejnë arsyet dhe të marrin masa parandalimi ose minimizimi. Fëmijët e moshës 5-11 vjeç përdorin dhunë verbale, e shoqëruar kjo me sasi të vogla të dhunës fizike. Ndërsa në moshën 12-vjeçare, meqenëse ndodhin ndryshime psikologjike, ushtrimi i dhunës bëhet shumë më i dukshëm. Ka raste që mund të përfshihet edhe ndonjë armë ose dhe abuzimi seksual. Sipas statistikave në vitin 1997, vrasjet e kryera midis vetë fëmijëve në shkallë globale ishte 35%.
Në ditët e sotme, fëmijët e moshave 3, 4 dhe 5 vjeç mund të jenë edhe e “ardhmja” e një gjenerate vrasësish. Por si ta kuptojmë? Një nga shenjat e para që fëmija tregon se mund të përdorë dhunë më vonë është, për shembull, abuzimi që mund t’i bëjë një kafshe. Zakonisht të dhunshëm bëhen fëmijët që vijnë nga klasa e mesme e shoqërisë. Prindërit që i përkasin kësaj shtrese, nuk monitorojnë aktivitetet e fëmijëve dhe, përveç kësaj, janë një nga dy ekstremet: ose janë prindër shumë tolerantë, ose janë fizikisht abuzivë dhe agresivë. Sigurisht që ka përjashtime kur prindërit janë shumë të dashur dhe ekspresivë, kur vjen puna për të treguar ndjenjat ndaj fëmijës së tyre, dhe nuk arrijnë të kuptojnë se pse ai është një fëmijë agresiv dhe se ku kanë gabuar ata në edukimin e tij. Megjithatë, të gjithë ne e dimë që fëmija, në më të shumtën e rasteve, sjell në shoqëri atë çfarë ai përjeton në familje.
Në praktikën time të përditshme si mësuese, fëmijët që tentojnë të përdorin dhunë, janë ata që sjellin nga familja ku jetojnë episode të të njëjtit lloj. Një fëmijë i moshës parashkollore, i cili vë në “target” (shënjestër) shoqet e shokët dhe tenton të përdorë dhunë, sjell në klasë episode të prindërve të vet, që grinden në më të shumtën e kohës. Ky fëmijë transmeton në klasë atë çka jeton në shtëpi.
Përfundimi është i ditur tashmë: ne vetëm ia rikujtojmë vetes sonë, familja është kryesorja në “përpunimin” emocional të fëmijëve të moshave të reja. Mirëpo, fëmija nuk edukohet vetëm nga familja. Ai ngacmohet edhe nga faktorë të jashtëm, siç është teknologjia tejet e përparuar në ditët e sotme. Jam e sigurt që për këtë të gjithë lexuesit do të ngrenë të dyja duart në shenjë miratimi, kur vjen puna për ndikimin e teknologjisë në edukimin e fëmijëve tanë. Në krahasim me brezat e mëparshëm, sot televizioni ka shumë pak realizime të përshtatshme për moshat fëminore. Prindërit e kanë shumë të vështirë të gjejnë diçka që fëmija mund të shohë, pa qenë nevoja që ata t’i mbikëqyrin. Dhuna në të gjitha këto realizime shikohet si zgjidhje e problemit. Po të analizojmë filmat e fundit të Hollywood-it, i cili është një nga prodhuesit më të mëdhenj të filmave, edhe te filmat më fëminorë ka dhunë. Çdo gjë rrotullohet rreth luftës për të mbijetuar, armëve, veshjeve dhe nuk i kushtohet aspak rëndësi dialogut për të zgjidhur një problem. Edhe kur dialogohet midis personazheve, të gjithë janë arrogantë me njëri-tjetrin dhe synojnë të gjejnë një viktimë që t’u bindet. Duke iu rikthyer sërish statistikave globale, në 12 muajt e fundit, fëmijët janë ekspozuar ndaj dhunës në televizor apo video-lojërat përkatësisht 90% dhe 87%. Djemtë janë më të ekspozuar më tepër sesa vajzat, pasi ata janë më shumë përdorues të këtyre lojërave. Edhe përdorimi i kompjuterit është ekspozim ndaj dhunës 100%. Fëmijët duke komunikuar me njëri-tjetrin mësojnë rreth faqeve specifike, ku gjejnë kënaqësi duke parë dhunë që ushtrohet ndër njerëz të ndryshëm.
Ushtrimi i dhunës nga adoleshentët është shumë i rrezikshëm
Shumë prindër mendojnë se ky agresivitet do të kalojë me moshën, por përkundrazi nuk duhet injoruar dhe lënë pas dore. Zakonisht adoleshentët në këtë rast e shtojnë agresivitetin në komunikim, marrin pjesë në grindje, kërcënojnë të tjerët ose mund të shkatërrojnë dhe mjedisin ku jetojnë. Arsyet pse adoleshentët fillojnë të përdorin dhunë janë të shumta. Duke qenë se ata kuptojnë më shumë, adoleshentët “infektohen” nga çdo gjë që ndodh rreth tyre. Nëse familja kalon një moment të vështirë financiar, prindërit grinden apo ai vetë është viktimë e abuzimit fizik, atëherë ai reagon shumë më ndryshe dhe me më tepër forcë sesa një fëmijë i moshës më të re. Në këto raste, adoleshenti e humbet shpejt kontrollin, është pjesën më të madhe të kohës i irrituar dhe dhuna i shërben për të “shfryrë” zemërimin e tij 100% ndaj realitetit që e rrethon. I gjithë ky reagim mbështetet edhe nga teknologjia tejet e përparuar, siç e thamë dhe më lart, të cilat transmetojnë mesazhe tepër të gabuara që dhunojnë jetën e tjetrit pa të drejtë dhe vetë atë e dëmtojnë nga ana mendore. Në momentin kur prindërit mendojnë se sjellja e fëmijëve të tyre, të çfarëdo moshe qofshin, po bëhet gjithnjë e më e dhunshme, atëherë ata duhet të kërkojnë ndihmën e njerëzve profesionistë në fushën e diagnostikimit të shëndetit mendor. Gjithmonë trajtimi që në fazat e para ndihmon, pasi përqendrohet se si fëmija të shprehë atë çfarë ndien, pa përdorur dhunë fizike apo verbale. Gjithashtu ka dhe grupe që udhëhiqen nga terapistë fëmijësh, përfshi edhe adoleshentët, të cilët i shtyjnë ata të shprehin ndjenjat e tyre në grup. Që të flasësh për dhunën dhe aq më tepër për fëmijët që e ushtrojnë atë, është një temë që mund të analizohet thellë e më thellë. Shoqëria jonë është para një fakti dhe, në të njëjtën kohë që mundohemi të gjejmë shkaqet e këtij fenomeni, duhet edhe të veprojmë. Duke u nisur nga këndvështrimi global, arsyet janë të pafundme se pse fëmijët ushtrojnë dhunë. Çelësi kryesor për t’u mësuar fëmijëve se dhuna nuk zgjidh asgjë, është komunikimi me ta që në moshë fare të vogël.
Duhet të japim shembullin tonë dhe të fiksojmë tek ata idenë se çdo veprim ka edhe një pasojë. Që të jesh pjesëtar i një shoqërie civile, duhet të marrësh e të japësh me njerëzit në mënyrë civile. Të jeni të bindur që çdo fëmijë, që ka arritur nivelet e komunikimit, do ta kuptojë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.