JA USHQIMET DHE RECETAT QË E MUNDËSOJNË…
Sapo mbaruan festat e fundvitit dhe organizmi ynë është gjendur i superngarkuar nga kaloritë e tepërta që janë marrë nga konsumimi i mishrave, ëmbëlsirave, brumërave, bakllavasë, alkoolit. Dhe menjëherë, dhurata më e bukur që mund t’i ofrojmë organizmit tonë është detoksikimi i organizmit. Ky proces natyral ndihmon në eliminimin dhe neutralizimin e materialeve toksike nga qelizat, indet, organet dhe gjaku në trupin e njeriut. Në kohët e sotme, ne jemi shumë të ekspozuar ndaj toksinave nëpërmjet ndotjes së ambientit e kimikateve, pesticideve, hormoneve që, me kalimin e kohës, çojnë pashmangshmërisht në probleme shëndetësore dhe sëmundje të ndryshme. Në gjakun e një individi të zakonshëm qarkullojnë thuajse 300 kimikate helmuese, të cilat mund të shkaktojnë probleme nga dëmtimi i mëlçisë deri te kanceri. Ato vijnë nga ajri që thithim, ushqimi që hamë, uji, ndërtesat, pesticidet, si dhe nga produktet e shumta që konsumojmë çdo ditë duke shtuar dhe toksinat që gjenden te celularët, kompjuterët, parfumet, produktet kozmetike, rrobat, lodrat, pajisjet e gjithçka që përdorim. Edhe pse kemi bërë pushime, shumë nga ne duket sikur jemi në një situatë letargjie, lodhje dhe mungese të energjisë. Ka shumë arsye që shkaktojnë këto gjendje, më kryesoret janë: konsumimi pa kontroll i ushqimeve, disa kushte mjekësore, pagjumësia, kequshqyerja, stresi, diabeti, mosfunksionimi i mirë i gjëndrës tiroide etj. Prezenca e këtyre shenjave çon në nevojën e menjëhershme për detoksikimin e organizmit. Niveli i ulët i energjisë shkaktohet nga helmet ose toksinat e grumbulluara në trupin tuaj. Detoksikimi bazë fillon me dietën ushqimore. Ky proces përfshin pasurim ushqimor të organeve të filtrimit të organizmit si mëlçia, mushkëritë, veshkat, zorrët dhe gjaku. Detoksikimi i trupit mund t’i referohet pastrimit rrënjësor të zorrëve, veshkave, mushkërive ose gjakut, meqenëse këto janë organet e përfshira në detoksikimin e kimikateve dhe toksinave nga organizmi. Mëlçia vepron si filtër që largon substancat e huaja e mbeturinat kimike prej gjakut, mushkëritë heqin gazrat e dëmshme shpërthyese që ne thithim gjatë frymëmarrjes, ndërsa veshkat filtrojnë mbeturina nga gjaku në urinë, lëkura me anë të djersitjes, si dhe zorra e trashë janë përgjegjësit kryesorë të filtrimit të toksinave. Kur trupi mundet të eliminojë toksinat, shëndeti rinovohet duke rigjallëruar njëkohësisht energjinë dhe rezistencën. Kjo që ju prezantoj është një dietë 3-ditore detoksikuese, drenuese dhe që pastron organizmin. Mund të ndiqet nga një person i rritur që gëzon shëndet të mirë për një periudhë jo më të gjatë se 3 ditë.
Dieta 3-ditore detoksikuese
DITA E PARË I dedikohet konsumimit të frutave dhe perimeve për t’u pastruar nga toksinat dhe mbetjet e skorieve që ndodhen në zorrët tona, pse jo dhe për të hidratuar trupin. Mëngjesi: 1 kupë me fruta të gjalla 250gr; Lëng boronice me 1 lugë mjaltë Paradite: Çaj jeshil Dreka: Supë me patate; Lëng i shtrydhur agrumesh (qitro, portokall, limon) Pasdite: Në mikser karotë, selino, kivi Darka: Sallatë jeshile me domate të vogla, qepë të kuqe, misër të ëmbël; 1/2 ananas; Lëng kumbulle
DITA E DYTË Dieta u përket drithërave për të vënë në punë mëlçinë. Mëngjesi: 2 feta biskotash integrale; 2 lugë çaji marmelatë; Lëng boronice me një lugë çaji mjaltë Paradite: Çaj jeshil Dreka: Oriz me domate 60g; 1/2 ananas; Lëng agrumesh Pasdite: Lëng i shtrydhur agrumesh (qitro, portokall, limon) Darka: Supë me patate (150g) dhe perime (60g); 1/2 ananas
DITA E TRETË Dieta ndërthur proteinat me origjinë shtazore. Në këtë pikë ushqimi do të kompletohet dhe organizmi do të fillojë të funksionojë më së miri. Mëngjesi: 1 gotë qumësht i skremuar me 40g drithëra integrale; Lëng boronice me një lugë çaji mjaltë Paradite: Çaj jeshil Dreka: Oriz me domate 60g; 150g brokoli dhe lulelakër në avull; 1/2 ananas Pasdite: Lëng i shtrydhur agrumesh (qitro, portokall, limon) Darka: Sallatë jeshile me domate të vogla, qepë të kuqe, misër të ëmbël; 100g djathë pa yndyrë në feta të holla; 1 panine integrale; 1/2 ananas Pasi të ndiqni këtë dietë 3-ditore, ju do të ndiheni më të lehtë dhe fryrja e barkut apo kilet e marra gjatë festave do të jenë thjesht një kujtim. Mos harroni: Jeta sedentare bën të shëndoshet mëlçia, ndërsa ecja me hap të shpejtë (idealja do të ishte një ecje për 1 orë e gjysmë), bën që mëlçia të përdorë si energji kaloritë dhe ndalon akumulimet e yndyrës të depozitohen.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.