Këshilla & Arsye

December 2, 2016 | 8:10

Pse e duam partnerin ndryshe?

Çfarë na shtyn ta ndryshojmë partnerin dhe karakterin e tij, përderisa ndryshimi që ekziston mes nesh i jep kuptim marrëdhënies?

Mania për ndryshimin e tjetrit lidhet me konceptin për çiftin ideal që ne kemi në kokë, subjekte të filmave romantikë dhe romaneve rozë… Përpjekje dhe strese pa fund për të arritur atë që duam. Pikërisht në këto situata humbasim shumë kohë nga vetja për të qenë të lumtur e të respektojmë njëri-tjetrin për atë që përfaqësojmë në mënyrë individuale.

1

Origjina e nevojës për ndryshim

1. PËR TË RUAJTUR KONTROLLIN

Askush nuk krijon një lidhje dhe të mendojë në fillimet e saj: “Dua ta ndryshoj partnerin”, por në pavetëdije kemi pasigurinë: “A do të ndryshojë?”, duke nënkuptuar se falë dashurisë kushdo mund të ndryshojë. Të shpresosh që të kesh ndikim tek tjetri është të kuptosh që dëshirat, ndjenjat tona, të kenë rëndësi për partnerin dhe që ne kemi rëndësi për të. “Kam vuajtur shumë në kohën kur Ermali e shpenzonte kohën e tij me laptop përpara, – rrëfen Armela. – Një ditë, në vend që të ankohesha me të bërtitura, shpërtheva në lot duke i thënë se ndihesha e padashuruar prej tij… Që nga ajo kohë, ai tregohet më i kujdesshëm. Ndihem e lumtur që ai të paktën bën përpjekje, edhe pse pasioni i tij për të hulumtuar në kompjuter nuk njeh ndryshim”. Ambicia për të ndryshuar partnerin është veçse një pengesë për marrëdhënien dhe mirëfunksionimin e saj. Në pavetëdije, përpjekjet për ndryshim janë një mënyrë për të mbajtur çiftin nën kontroll.

2. PËR TË MOS NDRYSHUAR VETEN

Terapisti i marrëdhënieve në çift, Michele Nicolas, shpjegon se njerëzit zotërojnë vullnetin për të ndryshuar tjetrin, sepse tjetri është pasqyrë e asaj që ne vetë jemi. Në fillim të lidhjes, partneri paraqitet me një imazh pozitiv dhe i dashur për ne, derisa vlerësimi ynë për të fillon e bëhet kritik. Një vlerësim kritik ky, i cili fillon të jetë edhe për veten tonë, por për njerëzit është më e lehtë të kërkojnë ndryshimin te tjetri se sa te vetja. Femra që thotë: “Kam kuptuar se ti më tradhton!”, i përcjell mashkullit një qëndrim të padurueshëm. Dhe mashkulli, për të shmangur këtë përshtypje të partneres, do të përpiqet të mbrohet duke i thënë femrës se është ajo përgjegjëse e këtij konflikti: “Nëse ti do të ishe joshëse si më parë, nuk do të shihja gjetiu!”. Por, në fakt, kjo logjikë është e gabuar. Ky mashkull që akuzohet si tradhtar, ka përzgjedhur një partnere që i lejon atij mundësinë për të hedhur sytë edhe tek femra të tjera. Sigurisht, në fazën e parë të njohjes ky partner ishte më korrekt për shkak të joshjes, por tradhtia ka qenë gjithnjë aty. Ajo ishte në gjendje ta kuptonte kur partneri i saj ka qenë i sinqertë dhe jo manipulues. Ajo që ka mundësi të ndryshojë është vështrimi (vetja) që bëjmë në pasqyrë dhe jo imazhi i reflektuar (tjetri). Që do të thotë se vështrimi personifikon qëndrimin tonë vetjak dhe imazhi i reflektuar personifikon tjetrin.

3. Prirja për ndryshim çon në krizë?!

Përputhshmëria në një çift nuk nënkupton që tjetri të mendojë e të veprojë në mënyrë identike si ne. Lufta për ta parë partnerin ashtu si duam ne, të veprojë e të sillet siç e kërkojmë ne, është një përpjekje e dështuar dhe problematika më e madhe qëndron jo vetëm te rezultati i pandryshueshëm, por edhe te pasojat që ajo sjell në marrëdhënien e dy njerëzve. Ndryshimi që pretendojmë të bëjmë në personalitetin e partnerit tonë ka pasoja të rrezikshme për lumturinë e dyanshme. Njëra palë nuk ndihet e përmbushur, përderisa pretendimet për ta parë partnerin siç duan janë të dështuara, ndërkohë që edhe pala tjetër ndihet e vënë nën trysni për të ndryshuar veten.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top