Aktualitet

December 4, 2021 | 8:18

Pse femrat kosovare diskriminohen kaq shumë sa i takon ndarjes së pasurisë vajzë-djalë?

Në adresë të revistës “Psikologjia” na vjen një letër-kërkesë, e cila nis me pyetjen që me të drejtë ngrihet nga një realitet-mentalitet shqetësues që prek gratë dhe vajzat shqiptare në Kosovë. Ndjekësja na pyet: A ju ka shkuar mendja ndonjëherë të shkruani për temën pse femrat  kosovare diskriminohen kaq shumë edhe kjo gjë të gjithëve u duket normale? Si do të ndiheshin, si do t’i rrisnin fëmijët nëse nënat tona do të trashëgonin pronë, ashtu sikur trashëgojnë vëllezërit e tyre?

Kur themi se në Kosovë zbatohet kanuni e jo ligji, njerëzit thonë: “Jo, kanun s’ka më, tash veç këtyre herë edhe në zona të prapambetura. E t’ia lësh pasurinë krejt djalit e mos t’i ndash edhe vajzës, nuk qenka sipas kanunit?  Hajt ta shohim sa për qind e vajzave e kanë trashëguar njëjtë sikur vëllezërit e tyre pasurinë e prindërve në Prishtinë. Në cilin shekull jemi ne? Kur e krahasoj me Francën, që femrat kanë filluar të trashëgojnë në vitin 1791, dëshpërohem që femra te ne diskriminohet kaq shumë, pikërisht nga më të afërmit e saj, vëllezërit, të cilët e duan vetëm nëse ua nënshkruan pronën. Si ndihet një femër pas martese që pasuria e burrit kurrë nuk bëhet e  saj, si ndihet një femër tek vëllezërit e kunatat që tashmë e shohin si të martuar e të huaj? Deri kur me këtë edukimin e vajzës se pasuria gjen në derë të huaj, deri kur kjo shkelje nga më të dashurit e saj, vëllezërit e saj, prindërit e saj?

Prindërit i dëgjon duke thënë si vajzë, si djalë, veç shëndosh me qenë, po këtë nuk po e thonë kur po ndajnë hisen me thanë: tua ndajmë si vajzave dhe djemve?

01

Psikologia Doruntina Grulaj, thotë se fillimisht trashëgimia në Kosovë është e rregulluar me Ligjin për familje, sipas të cilit e drejta e trashëgimisë u takon të gjithë anëtarëve të familjes, pa marrë parasysh gjininë. Sipas saj, ligjet në fuqi nuk e diskriminojnë aspak femrën nga trashëgimia. Ajo me ligj konsiderohet si e barabartë, madje kjo po shkon duke u fuqizuar dita-ditës por, realiteti qëndron që femra ende është duke u privuar nga ajo e drejtë.

 

doruntina

Femrat vazhdojnë të mos jenë subjekt i së drejtës në trashëgimi në Kosovë, por meshkujt.

Mund të themi se në Kosovë ka filluar të krijohet një bazë e mirë ligjore për të drejtën e femrave në trashëgimi dhe të drejtën e pronësisë në pronë. Po ashtu jemi në dijeni se kjo temë ndonëse vazhdon e mbetet e padiskutueshme në shumë familje, e në disa të tjera është edhe tabu. Theksojmë, jo në gjithë Kosovën, sepse në vende urbane dhe rurale ka raste ku edhe u jepet pasuria vajzës barabartë me djalin, ka edhe prej tyre ku u jepet me një përqindje më të vogël, disave edhe kur u jepet pa asnjë dilemë. Por, ato që nuk e pranojnë pasurinë janë vetë vajzat për arsye të ndryshme si: se do flasë keq fisi për to, do të turpërohen po kërkuan apo morën pasuri.

Fatkeqësisht kemi raste kur motra kërcënohet nga vëllezërit se po kërkoi pasuri nuk do e konsiderojnë si familjare dhe nuk do e mirëpresin në shtëpi, dhe as nuk do t’i shkojnë për vizitë, d.m.th shkëpusin raportet familjare. Kurse, në anën tjetër, nëse vajza nuk kërkon asgjë, ajo ka mbështetjen e vëllezërve.

Fatkeqësia më e madhe e kësaj është kur çiftet nuk kanë trashëgimtar dhe kanë vetëm vajza, por atyre u vdesin prindërit, ato nuk gëzojnë hise tek familja e prindërve, po nuk patën as familjar tjetër ajo tokë mbetet e dikujt tjetër më të largët.

Normal, pasuria e prindërve duhet t’u takojë njësoj, si vajzës ashtu edhe djalit. Në njërën anë meshkujt thonë se nuk i pengon trashëgimia e pasurisë së prindërve të tyre edhe për vajza, madje ata thonë se kjo është diçka shumë normale, se fëmijët janë të barabartë para prindërve. Kjo gjë edhe do të duhej të ndodhte, sepse secili që posedon pasuri të paluajtshme apo të luajtshme, ka mundësi të krijojë kapital edhe pushtet të pavarur si në familje dhe shoqëri. P.sh: po të ketë pasuri vajza, ajo do të mund të krijojë ekonominë e saj nga prona dhe do të jetë edhe aktive në jetën e saj të pavarur ekonomikisht. Por, garantimi i të drejtave pronësore dhe trashëgimore të grave dhe vajzave në Kosovë mbetet një çështje për t’u zgjidhur! Sepse tani vajzat janë ato që punojnë shumë në kompani të ndryshme private, njëkohësisht ato edukohen, arsimohen dhe jetojnë me të ardhurat e tyre. Mirëpo e vështirësia e kësaj situate është se ato nuk kanë mundësi të krijojnë kapital, as pasuri, sepse nuk e kanë bazën e pasurisë së trashëguar. Gjithçka duhet ta fillojnë nga zero, me mund dhe sakrificë dhe prapë hasin në patriarkalizëm, edhe kur e arrijnë atë pikë, prapë paragjykohen se si erdhi deri tek ajo pasuri, derisa meshkujt e gjejnë të gatshme të paktën: shtëpinë, tokën, apo edhe biznesin e prindërve. Vajza në familje rrallëherë merr hise, derisa as te burri nuk e ka, ose duhet të punojë fort dhe të bëhet bashkëpronare me burrin, dhe të krijojnë pasuri së bashku.

Gjithmonë duhet të kemi parasysh se nuk duhet të flasim në përgjithësi dhe me paragjykime, sepse në Kosovë mentaliteti i popullatës aspak nuk është i njëjtë. Ka vajza që gëzojnë pasurinë e prindërve ashtu sikur edhe meshkujt, kjo më shumë është duke ndodhur pas lufte si në vende urbane ashtu edhe rurale, ku u jepet banesa njëjtë sikur u sigurohet djemve, ose u jepen aksione të kompanisë që drejtojnë. Prandaj ka edhe në një pjesë tjetër që hasim pengesa ende, sepse ka mungesë vetëdije ndaj kësaj çështje.

Ende ka familje që mbajnë qëndrime tradicionale dhe ndjekin zakone që, djali duhet të ketë hise kurse vajza jo, vajza e ka obligim mos të kërkojë pasuri nga familja sepse ajo duhet të jetë nën sundimin e babait, vëllait, djalit të axhës, apo kushërinjve, në rast se nuk ka prindërit apo vëlla, pastaj as te burri, sepse të tjerët vendosin për të. Ajo nuk gëzon asnjë të drejtë në këtë aspekt të trashëgimisë.

Në rrjetin e Grave të Kosovës dhe në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore thuhet se të drejtat e grave mbeten një nga sfidat kryesore për zhvillimin e shoqërisë së Kosovës, veçmas në lidhje me të drejtën e tyre për të trashëguar pronën dhe pjesëmarrjen e tyre të barabartë në ekonomi. Pasi asnjë familje nuk e ka pasurinë e njëjtë dhe kjo edhe ndikon që të mos ketë barazi mes vajzës dhe djalit. 

03

Në një raport të publikuar në nëntor të vitit 2016, rreth 3.8 për qind e femrave në Kosovë janë trashëgimtare të pasurisë familjare. Kurse, 16 për qind e pronave të paluajtshme janë të regjistruara në emër të femrave. Në anën tjetër, rreth 50 për qind e popullatës së përgjithshme në Kosovë, janë të gjinisë femërore.

Me ligjet ekzistuese në Kosovë, femrat kanë të drejtën e trashëgimisë familjare, por ligjet sfidohen nga tradita dhe zakonet. Në një anketim të bërë nga Radio Evropa e Lirë, të intervistuarit thonë se pasuria e prindërve në rast të ndarjes për fëmijët e tyre, duhet t’u takojë njësoj, si femrave, ashtu edhe meshkujve. Por, në disa raste janë vetë femrat, të cilat heqin dorë nga pasuria. Në anën tjetër, të anketuarit e gjinisë mashkullore, thonë se nuk i pengon që trashëgimia e pasurisë së prindërve të ndahet edhe për vajza.

Organizatat joqeveritare që mbrojnë të drejtat e grave në Kosovës, kur bëhet fjalë për tema të tilla, thonë se, moszbatimi i ligjeve, ka bërë që ligjet e pashkruara apo zakonet, të mbesin në fuqi në rregullimin e marrëdhënieve familjare.

 

kosoveNë një tjetër aktivitet të realizuar në kuadër të projektit “Barazia gjinore në Kosovë: Fuqizimi i Grave dhe Vajzave – Një thirrje për ndryshim”, nismë e Qeverisë së Kanadasë, Ndriçim Imeri, Fitues i Garës për Ese, shfaq një qasje rreth këtij fenomeni, duke e cilësuar si një mundësi të largët për barazi gjinore në Kosovë. Ai thotë:

Shoqëria jonë ka pasur sfidën më të madhe dhe ndoshta më të vështirën. Përderisa vendet perëndimore, vlerat i kanë krijuar me evoluim kulturor dhe kanë krijuar kushte që normat juridike të iu përshtaten sjelljeve të shoqërisë, në rastin tonë, është imponuar e kundërta. Duke marrë parasysh historinë tonë, përgjatë të cilës  toka dhe shoqëria e Kosovës  asnjëherë nuk janë vetëqeverisur, niveli kulturor i shoqërisë sonë ka qenë shumë i ulët. Si efekt i këtij niveli të ulët kulturor, padyshim që ka qenë edhe fryma patriarkale, e cila ka mbizotëruar me shekuj dhe ende ekziston si mentalitet për një pjesë relativisht të madhe të qytetarëve të Kosovës.

Çështja e pjesëmarrjes në trashëgiminë familjare nga ana e grave vazhdon të mbetet në suazat e tabusë brenda vetë familjeve, ndonëse kjo çështje formalisht, nuk është tabu në kuadër të trajtimit ligjor dhe institucional. Në Rrjetin e Grave të Kosovës dhe në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore thonë se të drejtat e grave mbeten një nga sfidat kryesore për zhvillimin e shoqërisë së Kosovës, veçmas në lidhje me të drejtën e tyre për ta trashëguar pronën dhe pjesëmarrjen e tyre të barabartë në ekonomi.

Ligjet e Kosovës, sipas organizatave, garantojnë të drejtat e barabarta për burrat dhe gratë, por ndikimi i kulturës, traditës, kushtet ekonomike dhe niveli i arsimimit kanë ndikuar kundër arritjes së barazisë së paraparë me ligj.

 

Përgatiti Orjona Tresa

Ndihmoi Doruntina Grulaj, psikologe

Referencat marrë nga:

Radio Evropa e Lirë

balkansgroup.org

mesazhi.com

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top