Ne jetojmë në një botë…ajo është kaq e madhe, ne jemi kaq të vegjël, pse duhet të lodhemi të gjejmë kuptimin e këtij fakti, pse të përpiqemi të shpjegojmë çdo gjë, kur në fund të fundit nuk mund të arrijmë më larg se imagjinata jonë?! Sepse sado ne të arrijmë, mendja jonë na çon atje ku fizikisht nuk do të mbërrijmë kurrë dhe si rrjedhim nuk do të kemi në dorë prova, në duar do të na ngelet misteri.
Po, është e vërtetë, ne bëjmë shumë pyetje; duke filluar që nga pyetja e thjeshtë ‘pse punon mendja jonë’, deri tek pikepyetja e madhe ‘a ka një zot’? Është padyshim më mirë që ne mos ti dimë disa gjëra dhe të lëmë ca hapësirë në mendjen tonë për misterin. U frymëzova për këtë shkrim menjëhere pasi lexova një histori të bukur për një artist, që një ditë shkoi në një zyrë sigurimesh, ku ai ishte klient prej kohësh dhe tha “më paguani tani, më shpërbleni për gjithë misterin që më ka ikur nga jeta, jam i siguruar, ndihem i kontrolluar, i mbrojtur, i skeduar, kam të monitoruar çdo minutë dhe më është larguar cdo risk”.
Në pamje të parë fjalët e tij duken pa kuptim, thuajse ai po deliron, por një kërkesë e tillë të bën të reflektosh, (nuk kam ndonjë inat me kompaninë e sigurimeve, madje jam e siguruar vetë deri në detaj). Ajo ishte një kërkesë që del jashtë realitetit tonë empirik, ajo është një kërkesë që na fton “të lodhim” mendjen dhe të flasim për misterin.
Misteri është një predispozitë për kërkim, kënaqësi, lojë dhe ëndërrim. Pikërisht kjo humbet nëse je i kontrolluar. Artisti që pamë më lart, ishte i bindur që një rrjedhë misteri është e nevojshme në jetë, qoftë edhe për mbarëvajtjen e organizmit që ky të mos bjerë në monotoni. “Të humbasësh sensin e misterit…?! Atëherë gjithçka duket kaq predikuese, orientuese, detyruese. Misteri është kaq familiar tek ne, pothuaj shumica prej nesh është gjendur vetë, apo ka qenë dëshmitar i një ngjarjeje të çuditshme që nuk ka shpjegim, thuajse nuk ekziston shpjegim racional.
Psh: eksperiencat e udhëtimeve të shpirtit jashtë trupit, që manifestohet më së miri në historinë e mëposhtme: Një grua u përmend nga 6 javë koma dhe fjala e saj e parë ishte pikërisht ajo fjalë, që të afërmit e saj po mundoheshin të gjenin në një fjalëkryq, që ishin duke zgjidhur në shtëpine e tyre, dy ditë me parë, shumë larg prej spitalit ku gjendej thuajse e pajetë gruaja. Ne jetojmë në botën e informacionit, ne e vendosim besimin tonë në duart e ekspertëve të fushave të ndryshme, apo i vendosim pyetjet tona në Google, ne i dimë kufijtë e planetit tonë, kemi bërë harta të kontureve të tij, e kemi hapësirën rreth nesh plotësisht të monitoruar nga satelitë. Edhe emocionet tona me të thella kanë marrë shpjegime empirike, nga studimi i kimisë së trurit dhe neuroshkencës. Por, ne kemi akoma mistere rreth nesh, por ato na i mbajnë më larg, sesa mund të jenë në të vërtetë. Fizikantët po punojnë për të ashtuquajturën “Teori të gjithçkaje”, duke synuar që nëpërmjet bashkimit të teorisë së relativitetit me fizikën kuantike, t’i japin shpjegim çdo gjëje, duke llogaritur gjithçka në teori. Pra imagjinoni nuk ka më koshiencë të pamatur, nuk ka më mendime të pamundura.
Por ç’bëhet me misterin, kur ne kemi të gjitha përgjigjet? Ç’thuhet për historitë me fantazma, koincidencat, takimet e rastësishme?Kur gjithcka është kaq e shpjegueshme, a nuk bëhet jeta monotone, predikuese, mbytëse…?!
Padyshim ne e duam, e kemi të nevojshme një sens të vazhdueshëm misteri në jetën tonë apo rreth nesh. Pak ëndërrim dhe mister, janë këto që përbëjnë të panjohurën, atë që na nxit të jetojmë jetën, të mësojmë më shumë, të zhvillohemi si njerëz.
-Le të mendojmë për realizmin magjik në letërsi, psh Gabriel Garcia Markez në veprat e tij na kujton se, “me të gjitha përgjigjet që mund të kemi para nesh, nuk mund të bëjme asgjë, përveçse të ndërtojmë pyetje me to”.
-Apo siç do të thoshte Martin Hajdegeri, “të ecësh në errësirë, të futesh në ujra të thella, tek ajo e panjohur që të mban më të gjallë shqisat dhe i bën instiktet alerte. Të mos dish, gjeneron një gjendje që kërkon më shumë vëmendje, më shumë njohuri, të përdorësh zemrën dhe të besosh në intuitë.
-Padyshim filozofi Kierkegard kishte të drejtë kur thoshte se, “Jeta nuk është një problem për t’u zgjidhur, por një mister për t’u jetuar”.
Sensi i misterit, është në mendjen tonë, ai është aty. Ai na drejton të bëjmë pyetje dhe të kërkojmë përgigje. Eshtë prejardhja jonë revolucionare që na çon në sfida, për të gjetur më shumë, për të përdorur imagjinatën. Kjo provokon interesin tonë, na fton të japim kuptim çdo gjëje. Ne jemi me të lumtur kur mendojmë se jemi pjesë e një gjëje më të madhe, sesa thjesht vetja jonë. Misteri është të ndash një terren të panjohur, ku ti dhe fati ecni përkrah. Kjo na bën mendjehapur dhe na ngacmon interesin.Ne kemi nevojë për misterin, kjo është më e madhe se nevoja jonë për një përgjigje. Megjithëse ne jetojmë në një kohë, kur kemi nevojë për prova, përgjigje dhe për pasoja konkrete, por misteri është aty dhe “këmbëngul”, na kujton të kënaqemi me procesin, me të pathënat, të panjohurat e udhëtimit që kemi nisur dhe nuk dimë si do të shkojë.Padyshim që në kulturën tonë ne mund të trembemi nga ecja në errësirë, por kur hyn drita ne kërkojmë hijet, për të ushqyer të panjohurën. Vazhdojmë ta kërkojmë misterin, madje edhe në ato kopshte të errëta të imagjinatës sonë, ku rritet ajo bimë e ëuditshme…dhe ku lulëzon misteri.
Drejt misterit…
-Shpërfill arsyen ndonjëherë dhe besoji instiktit.
-Prite mendjehapur të papriturën. Merr kënaqësi nga e panjohura.
-Fto diferencën, prano ndryshimin dhe të tjerët.
-Vëreji koincidencat, lexo misterin dhe ji i vëmendshëm.
-Lejoji vetes “luksin”që ndonjëherë të ecësh pa ndonjë qëllim të caktuar, pa destinacion dhe pa drejtim.
-Endërro pa fund; psh kalo ditën me një fëmije dhe shikoje boten me sytë e tij (kuptoji pyetjet e tij po munde).
-Jepni dashuri dhe jeni të sjellshëm.
…dhe më në fund, bëhuni të guximshëm, shkruani një histori që fillon me të famshmen “Na ishte një herë…” dhe do ta shikoni që pa ëndërrim dhe mister, fantazia juaj nuk do të shkoj dot, as deri te dita e nesërme, sepse ajo që s’do ta dimë kurrë me vërtetësi është “po nesër…?!”
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.