Në fokus

February 14, 2019 | 8:40

Psikiatri Paolo Crepet: “Xhelozia nuk është një formë dashurie, por vetëm pronësie, sepse dashuria, mbi të gjitha, është respekt”

Psikiatri dhe sociologu Paolo Crepet po publikon librin e tij të ri me titull “Pasion”, dedikuar ndjenjave, historive e reflektimeve, të dala nga eksperienca ekzistenciale dhe profesionale, që sillen rreth kësaj fjale të shenjtë, në të gjitha rrethanat.

Në një intervistë për ‘Repubblica’, Crepet ka dashur të flas për xhelozinë dhe dhunën ndaj grave.

Pas vrasjes së grave, fshihen realitete të ndryshme. Ekzistencialisht shumë burra kanë vështirësi të pranojnë liberalizmin e grave, pavarësisht se kanë kaluar më shumë se 40 vjet nga shumë ‘fitore’ të tyret, siç është p.sh. Divorci.

Janë pikërisht ata që nuk kanë kuptuar atë që ka ndodhur gjatë këtyre viteve, duke mbetur të lidhur me një koncept strikt për familjen arkaike, që e sheh gruan ende si të nënshtruar dhe burrin me një rol dominant.

Pas vrasjes së femrave dhe dhunës ndaj tyre, celebrohet një kulturë e tillë, e vështirë për t’u eliminuar:

“Kujdeset për ty, ashtu siç është e vërtetë edhe të kontrollon dhe arrin deri të rrahë. Ekziston një lloj kulture që e sheh mashkullin si ‘protektor’ në sensin e babait-padron, i cili do të komandojë dhe do që të ketë pushtet mbi partneren e tij. Mos ta gënjejmë veten se kjo është një sjellje që i përket viteve 1900. Shumë të rinj e mendojnë ende një gjë të tillë dhe e thënë mbi bazën e eksperiencave të mia profesionale, si psikoterapeut, ashtu edhe ato personale.”

Një temë shumë e lidhur me xhelozinë, që Crepet nuk le pa e analizuar.

“Xhelozia, për shembull, shihet si provë e intensitetit në dashuri, një pasion për t’u demonstruar psikologjikisht dhe fizikisht. Ndaj duket se është pjesë e pandarë e çdo marrëdhënieje sentimentale, e cila, kur bëhet kërkuese, mund të shkaktojë edhe reagime të dhunshme. Xhelozia çon gjithnjë në drama dhe duhet t’u mësojmë të rinjve të mos e konsiderojnë si shenjë të dashurisë, sepse nuk është kurrë e tillë. Dhe duhet trumpetuar me të madhe se xhelozia nuk është një formë dashurie, por vetëm pronësie, sepse dashuria, mbi të gjitha, është respekt.”

Kufiri mes dashurisë dhe posesivitetit është shumë i hollë, për këtë psikiatri dhe sociologu lëshon një paralajmërim:

“Problemi është që dhuna tolerohet, pasi ne, shumë aspekte të saj i zvogëlojmë, pikërisht sepse e shohim xhelozinë si pjesë të dashurisë. Duhet të kuptojmë se kur dikush kërkon të të kontrollojë, ajo ndjenjë që nis si dashuri, kthehet në manipulim dhe obsesion. Ndaj, mungon respekti për tjetrin, sepse nuk të sheh më si një person, por si një pronë. Në bazë të dhunës dhe të vrasjes së grave, është gjithnjë ideja për t’i konsideruar gratë si objekte, jo si individë. Unë të vras sepse ti je diçka e imja… Është e vështirë të pranohet se një vajzë sot mund të bëjë të njëjtat gjëra në jetë si një mashkull i moshës së saj. Këto mundësi të barabarta shkaktojnë zemërim, xhelozi dhe zili tek burrat e frustruar, sepse një grua e tillë është e lirë të zgjedhë dhe ndaj nuk është e ‘kontrollueshme’.

Edukimi kundër dhunës kalon nga familja edhe përsa u përket grave.

“Nënat duhet t’u thonë vajzave ta lënë menjëherë të dashurin në shpullën e parë që marrin, duke i bërë të kuptojnë atyre se nuk është një provë që dëshmon se ai të do, përkundrazi është një sjelljeje që nuk duhet toleruar dhe as shfajësuar. Problem është se shumë nëna e kanë toleruar dhunën e burrave të tyre, por edhe fyerjet dhe nënvlerësimet. Ndaj, për të mos e vënë në diskutim, kjo sjellje përçohet tek vajzat e tyre”.

 

Burimi / OraNews

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top