Në fokus

September 25, 2019 | 9:54

Psiko-onkologjia: metoda efektive për përmirësimin e jetës së pacientëve me kancer

Psiko-onkologjia ndihmon në përmirësimin e jetës së pacientëve me kancer dhe të afërmve të tyre përmes një menaxhimi më të mirë të emocioneve. Trajtimet e kancerit po evoluojnë vazhdimisht dhe kërkojnë një qasje multidisiplinare. Mbështetja psikosociale shoqërohet gjithashtu me ndërhyrjen biomjekësore. Dhe ky është roli i psiko-onkologjisë, thelbësor për përmirësimin e jetës së pacientëve dhe familjeve të tyre, duke i lejuar ata të menaxhojnë më mirë emocionet që lidhen me diagnozën e kancerit.

Ne jemi çdo ditë mirënjohës për përparimin e arritur në fushën e parandalimit dhe trajtimit të kësaj sëmundje. Kurat po personalizohen gjithnjë e më shumë dhe qasjet e bazuara në terapitë imuno-onkologjike tregojnë efikasitet më të madh sesa trajtimet tradicionale.

“Ne shpesh vizitojmë pacientë me sy të fiksuar në monitorin e kompjuterit, duke harruar rëndësinë e shikimit në sytë e tyre, në mënyrë që ata të ndjehen të trajtuar në një mënyrë njerëzore.” -Anabel Heiniger, specialiste hematologe për leuçeminë e fëmijëve

Përveç ndërhyrjes mjekësore, parësore dhe të domosdoshme, është thelbësore që pacientët të kenë akses në të gjitha burimet që synojnë t’i përgjigjen çdo nevoje psikologjike dhe sociale. Prandaj është thelbësore të kemi profesionistë të trajnuar dhe të specializuar në këto fusha, për t’i ndihmuar pacientët të menaxhojnë më mirë ndikimin e kancerit.

Por jo vetëm kaq. Edhe mjekët dhe onkologët duhet të aftësohen për të promovuar komunikim adekuat, në mënyrë që familjet dhe pacientët të marrin gjithmonë vendimet më të mira. Paralelisht, dhe jo më pak e rëndësishme, psiko-onkologjia gjithashtu do të duhet të përqendrohet në një fushë tjetër parësore të ndërhyrjes: parandalimin. Fakti që dikush mund të na ndihmojë të ndryshojmë zakone dhe sjellje të caktuara që lidhen me zhvillimin e kancerit, siç është pirja e duhanit ose ekspozimi ndaj diellit, është pjesë e asaj mënyre multidisiplinare për të cilën ka nevojë shoqëria moderne, e ndjeshme ndaj kësaj sëmundje.

Psiko-onkologjia: lehtësimi i pranimit dhe tejkalimit të kancerit

Diagnoza e kancerit shkakton një tronditje të heshtur, është një realitet i panjohur për të cilin ne nuk jemi të përgatitur. Ndonjëherë kësaj i shtohet roli i profesionistit shëndetësor jo shumë të trajnuar në fushën e emocioneve, i cili viziton pacientët që shikojnë në ekranin e kompjuterit të tij dhe jo sytë e tyre që, në atë moment, thjesht ndjehen të humbur dhe të paaftë për të reaguar.

Bota ndalet dhe pacienti ndjehet si në një dhomë të ftohtë ku dëgjohet jehona e një fjale të vetme: vdekja. Ata që janë përballur me këtë përvojë të vështirë e dinë se termi “kancer” nuk është gjithmonë sinonim i “fundit”. Kanceri është luftë, rezistencë, ai mbledh të gjitha forcat e brendshme për të përballuar këtë situatë, me të cilën përballen mijëra e mijëra njerëz çdo vit. Sidoqoftë, të mos e bësh këtë udhëtim vetëm mund të të ndihmojë që në fillim. Familja, mjekët, infermierët dhe psikologët formojnë një ekip në të cilin gjithçka ndjek një model, një urdhër, një zhvillim.

Kush e konceptoi psiko-onkologjinë?

Psiko-onkologjia është një disiplinë e kohëve të fundit. Themeluesja e saj vdiq në 2017, dhe për shumë njerëz emri i saj është ende i panjohur, ashtu sikurse nuk dihet kontributi i madh për zhvillimin e kësaj dege studimesh. Jimmie C. Holland drejtoi departamentin e psikiatrisë në Qendrën e Kancerit Memorial Sloan-Kettering në Neë York. Kjo psikiatre e shkëlqyer, u martua me Dr. James F. Holland, i shkëlqyer në fushën e onkologjisë, një pionier në trajtimin e kimioterapisë.

Jimmie Holland kishte realizuar njohuritë e kufizuara, në lidhje me përvojën emocionale të personave me kancer. Mjekët, nga ana e tyre, nuk ishin aspak të përgatitur për këtë fushë, deri në atë masë sa anashkalonin faktin se edhe pacientët me kancer mund të vuanin nga çrregullimi depresiv. Holland kështu ka hedhur themelet e psiko-onkologjisë, themeloi Shoqatën Amerikane të Onkologjisë Psikosociale (APO) dhe revistën mjekësore Psychooncology.

Falë punës së saj, cilësia e jetës së miliona pacientëve është përmirësuar shumë. Për më tepër, siç zbulojnë disa studime, përfshirë atë të botuar në Gazetën e Infermierisë Onkologjike, përqendrimi vetëm në një pamje biomjekësore të kancerit do të ishte një gabim.

Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) na kujton se nuk mund të ketë shëndet të plotë nëse nuk tregohet kujdes për shëndetin mendor. Jimmie Holland hodhi themelet dhe mjetet për një qasje psikosociale për të dhënë përgjigje më të gjerë dhe më të plotë për trajtimin e kancerit.

Funksionet kryesore

Siç tregohet nga të dhënat e botuara në The Lancet Psychiatry, rreth 25% e pacientëve të diagnostikuar me kancer zhvillojnë një sëmundje afektive. Në këtë kuptim, të kesh në dispozicion një mbështetje të specializuar psikologjike mund të ndihmojë në trajtimin dhe parandalimin e shumë prej kushteve dhe rrethanave që mund të shfaqen në çdo fazë të sëmundjes.

Le të shohim funksionet që mbulon dhe zhvillon psiko-onkologjia.

  • Zbeh ndikimin e diagnozës së kancerit, si tek pacienti, ashtu edhe tek familjarët.
  • Ndihmon pacientin të jetë pjesë aktive dhe e motivuar e trajtimit, duke ofruar strategjitë më të përshtatshme për t’u marrë me secilën fazë të sëmundjes.
  • Ul ndikimin e efekteve anësore të lidhura me trajtimet (kimioterapi, radioterapi, kirurgji…).
  • Ndihmon pacientin dhe familjen të pranojnë ndryshimet e mundshme fizike gjatë sëmundjes (humbja e flokëve, operacionet kirurgjikale të një madhësie të caktuar…).
  • Mbështet dhe u kushton vëmendje fëmijëve, partnerëve dhe prindërve të pacientëve me kancer.
  • Përmirëson komunikimin midis mjekëve dhe pacientëve.

Në secilën fazë të sëmundjes, efekti i faktorëve të stresit mund të varet nga karakteristikat individuale të pacientit. Psiko-onkologu është i përgatitur të zvogëlojë situata të tilla, të minimizojë vuajtjet dhe të ofrojë strategji të vlefshme, në mënyrë që, aq sa është e mundur, personi të kalojë çdo fazë, moment dhe rrethanë në mënyrën më të mirë.

Prandaj, psiko-onkologjia është një faktor kryesor në një qasje multidisiplinare për kujdesin ndaj kancerit. Ajo jo vetëm që përmirëson përshtatjen me vetë sëmundjen, por gjithashtu lejon që pacienti të përballet më mirë me këtë proces. Më në fund, mund të themi me siguri se psiko-onkologjia është në gjendje të përmirësojë rezultatet e ndërhyrjes terapeutike, duke rritur shanset për të kapërcyer kancerin.

 

 

Përgatiti: Brikela Daci | Burimi / https://lamenteemeravigliosa.it

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top