Në fokus

March 31, 2016 | 8:17

Psikoanaliza…shkenca që zëvendëson rrëfimet fetare

1

Ky artikull frymëzohet nga nënvizimi që Doktor Gani Abazi (Harvard, Cambridge, USA) në interes të shëndetit publik (gjatë Ora e Pasdites; 24/11/2015 në Klan Kosova), i ka bërë një artikulli të keqndërtuar dhe pa baza shkencore të publikuar në Kosovë nga ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Kosovar, Prof. Dr. Ferid Agani, (ky artikull është i referuar te www.telegrafi.com Psikiatria dhe Feja, 7/09/2010) ku konsideron praktikat fetare të barasvlershme me praktikat mjekësore. Ku problemet psikosociale “mund të trajtohen mjaft mirë nga ana e profesionistëve fetarë në ambientet e tyre të punës”, d.m.th në kisha e xhami. Konsiderimet personale të ministrit Agani me referim moral në lidhje me disa fenomene sociale nuk kanë të bëjnë në asnjë mënyrë me ndonjë fare ekspertize profesionale. Termat që ai përdor dhe mënyra sesi shtron problematikat janë krejtësisht jashtë fushës së tij kompetente dhe më bën të dyshoj nëse titujt akademikë që zotëron janë me të vërtetë të merituar. Mbi të gjitha, në një prezantim që ai bën në një universitet në Kosovë “Rezonanca”, mbi temën e prostitucionit, dalloj njëfarë radikalizmi fetar mbi interpretimin e fenomenit.

Shoqëria është ambienti i njerëzve, kurse natyra është ambienti i gjërave. Civilizimi ynë shqiptar në veçanti, bazohet në një ndarje të tillë të qartë. Sfera e njerëzve integron në armaturën e saj rregulla të forta morale që imponohen nga shoqëria dhe që imponohen në shoqëri. Në opinionet që njerëzit ndajnë me njëri-tjetrin fshihen linja që ndajnë shpirtëroren nga materialja, superioren nga inferiorja, atë çfarë ekziston para njeriut e pas njeriut, ajo që është tradita dhe cili është kontributi modern i shkencave natyrore dhe sociale.

Fenomeni i aderimit të individëve në forma organizimi fetar ekstremist/politik, me prejardhje nga vende të largëta nga baza efektive operative e këtyre organizatave, si Kosova dhe Shqipëria, është i lidhur ngushtë me mungesën e dallimit të qartë të dy shkencave që veprojnë dhe organizojnë opinioni publik në këto vende, d.m.th, dallimi ndërmjet shkencave fetare, të shenjta dhe atyre me karakter të pastër shkencor. Fusha e veprimit e sferës së shenjtë në të kaluarën, e cila ishte e denjë për respekt dhe nderim, qe mjaft e ndarë nga aktivitetet e qëllimta të sferës banale materiale dhe utilitare. Këto ndarje determinonin në gradacione të ndryshme, në kultura të caktuara dhe tek individët se çfarë ata mund të modifikonin në jetën e tyre dhe çfarë e modifikonte jetën e tyre. E gjithë dija e njerëzve nënkuptonte një vizion të tillë të realitetit. Disiplina që kujdesej për njërën sferë (besimin) ishte krejtësisht e ndryshme nga disiplina që kujdesej për sferën tjetër (botën materiale). Shkencat fetare (teologjia, filozofia fetare dhe e feve) nuk kishin absolutisht asnjë gjë të përbashkët me shkencat profane (materiale: ekonominë, politikën apo mjekësinë). Kur sfera materiale arrinte të prekte sferën e shenjtë kjo konsiderohej si një mëkat dhe kur sfera e shenjtë shndërrohej në materiale gjithashtu bëhej mëkat. (një kontakt i patolerueshëm). Praktikat fetare sot në botën moderne janë studiuar nga shkencat e sakta dhe disa prej tyre janë certifikuar si të dobishme për natyrën psikofiziologjike të njeriut (si për shembull, praktikat e besimit budist, aktiviteti Yoga me prejardhje nga besimet fetare indiane dhe shumë praktika të tjera përfituese për trupin dhe shpirtin e njeriut).

Ndërkohë që aktivitete të tilla si rrëfimi në kishë, në xhami apo vende të tjera të shenjtëruara, tek udhëheqësit shpirtërorë janë zëvendësuar nga specialistë të mjekësisë psikologjike, të cilët janë të kualifikuar për të zbuluar problemin dhe të sugjerojnë rekomandime në praktikën e përditshme të aktiviteteve, të cilat rivendosin ekuilibrin dhe harmoninë ndërmjet materiales dhe shpirtërores. Spostimi i drejtimit të individëve nga institucioni fetar tek institucioni shkencor është një proces, i cili është tashmë instinktiv në vendet e zhvilluara ekonomike (sepse nëse rrëfimi dhe këshillimi nga institucionet fetare është pa ngarkesë ekonomike, konsultimi shkencor ka një kosto të tillë), por gjithashtu ky spostim është edhe karakteristik e vendeve me mesatare të lartë edukimi akademik. Me pak fjalë, personat e edukuar dhe me mundësi ekonomike konsultojnë shkencat e sakta dhe në krahun tjetër njerëzit e varfër dhe pa shkollimin minimal u drejtohen ende institucioneve fetare në lidhje me probleme psikofiziologjike dhe psikosociale. Në shoqëritë moderne, nëse më parë psikoanaliza ishte si një lloj rrëfimi në kishë apo xhami, sot është vetë rrëfimi një formë e minimizuar, gati e zhdukur e psikoanalizës, ku kjo e fundit është bërë kulturë sociale dhe e normalizuar.

Përse dhe cilat janë pasojat e një ndryshimi të tillë?

Së pari duhet konsideruar qartë se rrëfimi ka humbur vlerë në praktikat sociale për të vetmen arsye sepse është shumë herë më pak efektiv në lidhje me zgjidhjen e problemeve që prezantohen sot në shoqërinë moderne. Rrëfimi është për natyrë i rrënjosur në praktika mesjetare, të cilat i përkasin një realiteti tashmë të zhdukur. Së dyti, shkencat sociale dhe biologjike kanë arritur një zhvillim shumë herë më cilësor dhe, për këtë arsye, propozojnë zgjidhje më shumë të sakta dhe me efekte të menjëhershme në mirëqenien e individëve. Një aspekt tjetër i rëndësishëm në lidhje me dallimin ndërmjet këtyre dy praktikave është edhe fjalori gjuhësor dhe komunikues që implikohet në procesin e prodhimit të zgjidhjeve kundrejt problemeve. Nëse në sferën e rrëfimit përdoren terma e imazhe me kuptime konsensuale, të cilat janë shumë të ngjashme me retorikën e fushatave politike para zgjedhjeve dhe që janë gjithashtu të përbëra nga një kompleks dyshimesh dhe opinionesh subjektive, janë terma të paqartë, me shumë interpretime dhe gjithëpërfshirës që kanë për objektiv final bindjen dhe aderimin e personit në komunitetin e besimtarëve të asaj feje të caktuar, ndërkohë termat e fushës shkencore janë objektiva të karakterizuar nga qartësia e kuptimit unik dhe të pandryshueshëm, janë kompetentë të lëndës shkencore dhe dallohen për këtë, ku i vetmi objektiv është trajtimi terapeutik për individin. Informacioni i marrë nga specialisti gjatë një konsultimi përpunohet në mënyrë shkencore pa pasur përfshirje personale të psikologut apo psikiatrit, fakt që bën të mundur gjendjen racionale të zgjidhjes së problematikës për njeriun. Psikoanaliza, psikoterapia nga mjekët përkatës zëvendëson në mënyrë dinjitoze, por edhe duke i shtuar vlera cilësore praktikës së rrëfimit fetar. Mjekësia është ndihma serioze dhe profesionale që me të vërtetë ndihmon zgjidhjen e problemit shpirtëror apo psikosocial.

Ndërkohë që në vendet si Shqipëria dhe Kosova, mendimi në përgjithësi, njohuria sociale, për ata të cilët shkojnë të konsultohen me psikologun, shtrembërohet dhe bëhet i njëjti me ata njerëz që kanë probleme të rënda psikike. Analogjia krijohet menjëherë me ata individë që jetojnë rrugëve, me individët që jetojnë në çmendinë dhe figura të tjera me thelb negativ për shoqërinë dhe opinionin publik. Si pasojë, problemi kryesor atëherë për ata të cilët kanë nevojë për një këshillë apo për ndihmën e specialistit nuk është më vetë problemi, por sesi shoqëria do t’i gjykojë nëse përhapet lajmi se X person është parë të hyjë te dera e mjekut psikolog. Në këtë moment, vetvetja konceptohet duke u nisur nga ideja që shoqëria mund të krijojë çfarë bën që veprimet t’i nënshtrohen opinionit publik, i cili është i lidhur ngushtë me normativa morale dhe prioritet ka shoqëria mbi individin, gjykimi mbi procesin. (Psikoanaliza, imazhi dhe publiku i saj, S. Moscovici, 1961)

Ndërsa frekuentimi i një kishe apo xhamie sot shihet si një praktikë jo vetëm normale, por gjithashtu e vlerësuar nga shoqëria si pozitive, sepse në një shoqëri konservatore, praktikat fetare të cilat dallohen për këtë karakter janë të mirënjohura. Por, në të njëjtën kohë, vartësia nga fjalët dhe gjykimi i fetarëve bëhet edhe më i thellë. Numrat e personave nga Kosova dhe Shqipëria (të dhëna në Report inquiring into the causes and consequences of Kosovo citizens’ involvement as foreign fighters in Syria and Iraq/ te Prill 04/2015 nga Kosova Center for Security Studies), të cilët sot janë duke u angazhuar në organizata ekstremiste fetare/politike, janë në mënyrë të qartë tregues të pakënaqësisë sociale e ekonomike dhe gjithashtu një indikator i zhgënjimit nga organizimi social dhe politik në këto vende. Në një terren kaq shumë rrëshqitës e bënte lehtë për këto organizata manipulimin e mendimit të individëve, të cilët gjenden në dëshpërim. Këta pseudodrejtues fetarë, të cilët përfitojnë nga një situatë e tillë, shumë lehtë mund të përdorin ambientet e shenjta nëpërmjet pseudokonsultave për të “blerë mendjen” e stresuar të besimtarëve naivë, të cilët e bazojnë ekzistencën e tyre mbi ideale. Interpretimi i ideve fetare dhe të fenomeneve sociale hyn në çështjet metafizike të shoqërive njerëzore dhe ndryshon sipas kulturës e grupeve të caktuara. Përfaqësimet fetare janë të lidhura ngushtë me perceptimet e individëve në interaksionet komunikative të jetës sociale dhe në të njëjtën kohë lindin dhe zhduken në bazë të këtyre faktorëve. Alkimia që bën të mundur transformimin e ideve subjektive në objekte sociale, d.m.th, transformimin e fenomeneve abstrakte në realitet për perceptimin e thjeshtë pa analiza specifike, është një faktor dinamik ashtu si është vetë shoqëria apo grupi social. Fenomenet që përshkruhen në opinionin publik si magjia, shpirti apo e shenjta janë përshkruar nga Sociologu Francez Durkheim në analizat që ka bërë në shoqëritë primitive me veprën e tij Format elementare të jetës fetare (1912) dhe po ashtu nga psikosociologu Marcel Mauss (1924) kur shpjegon simbolet mitike dhe morale si fakte psikologjike të lidhura ngushtë me fiziologjinë njerëzore, kur analizon ritet fetare, etikën dhe moralin e simboleve të besimeve. Komuniteti me aksionet dhe ndërveprimet ndërmjet individëve që e përbëjnë, enfatizon instinktet, nevoja direkte të secilit dhe të të gjithëve, gjithashtu edhe personalitetin e tyre në raportet reciproke. Trupi, shpirti dhe shoqëria ndërlidhen dhe shkrihen me njëra-tjetrën në një proces tejet të komplikuar, një nga proceset më të komplikuara që mund të imagjinohen. Ideologjia fetare mundohet të strukturojë sjelljen e individëve në praktikat individuale dhe në të njëjtën kohë në ato shoqërore, duke e konsideruar vetveten totalitare, që do të thotë, në gjendje të shpjegojë dhe drejtojë të gjitha aspektet e jetës njerëzore, nga lindja deri në vdekje, duke reflektuar një ngjashmëri shembullore me ato ideologji totalitare të ish-sistemeve politike-ekonomike-komuniste. Nga ky pikëvështrim dallohet edhe njëfarë ngjasie mbi arsyen që këto dy ideologji të kenë si tendencë të përjashtojnë njëra-tjetrën si absolutisht jo realiste dhe si gjendje aluçinante.

Këto tema janë diskutuar dhe është ezauruar përmbajtja nga bota akademike perëndimore, por fakti që Shqipëria dhe Kosova kanë një cektësi në thellimin e këtyre argumenteve nga pikëpamja shkencore (si pasojë në opinionin tim të memories historike, por edhe të së tashmes rreth kushteve ekonomike-politike) bën që ndarja e sferave dhe fushave të veprimit në mënyrë abuzive të mbulohet e të vendoset në errësirë. Gjithashtu, pushtimi i ekranit dhe sferës së opinionit publik nga çështjet politike dhe vetë politikanët, nuk lejojnë përballimin e tematikave sociale, gjë që bën të mundur harrimin e tyre në dorë të interpretimeve jashtë fushës shkencore.

“Bota njerëzore na çon të kemi besime, por nuk përcakton përbërjen e besimit”. (Rorty)

Një nga hapat kryesore për t’u ndërmarrë në një gjendje urgjente dhe tepër shqetësuese, është bërja e mundur e konsultave për psikoterapi, me Psikoterapeutë, Psikologë dhe Mjekë të lirë e pa pagesë dhe, mbi të gjitha, duke ruajtur anonimitetin dhe privatësinë. Shqipëria dhe Kosova sot duhet të përkushtohen seriozisht në përballimin e kësaj situate tragjike sociale, duhet të promovojnë për publikun qasjen shkencore të individëve me problemet që i stresojnë.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top