Nga Orjona TRESA
Jemi në ditë më të qeta, por mëngjesi i 26 nëntorit nuk ishte i tillë. Ankth, shqetësim, njerëz që iknin me rrëmbim duke braktisur banesat, me fëmijë në krahë për t’i shpëtuar fenomenit të papritur, fytyra të prishura, me lot në sy dhe të tronditur për çfarë u ndodhi. Qarku i Durrësit dhe i Tiranës ishin më të prekurit nga pasojat shkatërruese, emocionale dhe fizike. Për pasojë, emergjenca lipsej të ishte emergjente. Dhe ashtu ndodhi. Pati një solidaritet të fortë, i cili u dha kurajë njerëzve për vazhdimësinë e jetës.
Heronjtë e asaj dite ishin shumë, të cilët u dhanë me mish e me shpirt për të dhënë maksimumin. Ishin të shumtë, që nga përfaqësues të qeverisjes qendrore, lokale, qytetarë të thjeshtë, grupe pune nga shtete të ndryshme e me radhë. Por një ndihmë të shkëlqyer dhanë dhe po japin edhe psikologët. Të vetëofruar në terren, iu gjendën pranë shumë fëmijëve të traumatizuar nga fenomeni i tërmetit, i cili erdhi në jetën e tyre si një ngjarje tejet e frikshme.
Më shumë se kurrë roli i psikologëve u bë i domosdoshëm. Të gjendur në terrenet ku ndodheshin fëmijët, e grupmosha të tjera, psikologët dhanë ndihmën e tyre. U bënë pjesë e një programi të pandashëm me ta për t’u ofruar qetësinë e munguar qytetarëve të prekur. Ja disa prej emocioneve të punës së tyre të pashoqe këto ditë.
Sipas Mental Health Albania, në të gjithë Shqipërinë janë aktivizuar mbi 200 psikologë në terren, për të ofruar mbështetje psikoemocionale dhe jo vetëm. Ndërkohë me qindra të tjerë janë në shërbim të popullatës për të asistuar në përballimin e ankthit dhe panikut që po i shoqëron këto ditë, në çdo cep të Shqipërisë. Ja disa emocione të shënuara në postimet sociale të tyre:
Denata Toçe
“Fëmijët janë pjesa më e prekur e kësaj situate. Ata kanë nevojë për ushqim shpirtëror, për një kujdes të veçantë njerëzor. Një falënderim të veçantë për @worldvisionalbania dhe stafin e saj të përkushtuar. Ata kanë nevojë për lojëra të thjeshta dhe vëmendje. Kolegë psikologë, prindërit ishin të shqetësuar më së shumti për fëmijët e tyre dhe traumën që kishin përjetuar këta të fundit. Në mënyrë të organizuar, çdokush për një familje, mund të ofrojë sado pak. Më pas, nevoja më e madhe do të jetë përpos këtyre ditëve emergjente. Psikologë vullnetarë të Emergjencës Psikosociale, nën mbështetjen e ADRA Albania dhe Ministrisë së Shëndetësisë janë koordinuar që të operojnë në vendet e prekura”, shkruan psikologja e mirënjohur Denata Toçe.
Adelina Pjetra
“Unë, nuk kam fjalë boshe por vepra konkrete.
Menjëherë pak orë pas tërmetit jam nisur për THUMANË , për të identifikuar familjet më emergjente për nevojë strehimi, duke ofruar personalisht banesën time në Shkodër.
Jam vazhdimisht në kontakt me 5 familjet e identifikuara, dhe e gatshme në çdo moment për ofrim shërbimi psikologjik, emocional dhe jo vetëm”.
Almira Llausha
“Pasi ndamë punët dhe dhamë mbështetjen tonë për gjendjen psiko-emocionale të banorëve të prekur nga tërmeti tragjik (në pjesën e parë të ditës). Vazhduam me aktivitete të ndryshme, në pjesën e mbetur.
Ndjesia më e bukur në botë është kur fëmija zgjedh e të dhuron një copëz të shpirtit të saj, pra vizatimin e vet. Emocion i papërshkrueshëm, që kalon çdo ndjenjë janë përqafimet e falura. Qarku i Durrësit”.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.