Në fokus

November 6, 2019 | 8:45

Psikologët: Fëmijët nuk duhen dënuar… Ja se si të veproni në të tilla raste

Kur zemëroheni me fëmijën për shkak të sjelljes së keqe, mënyra më e lehtë për ta “mësuar” atë është duke përdorur ndonjë lloj dënimi – siç është marrja e lodrave të preferuara, detyrimi për të fjetur më herët, etj. Megjithëse mund të mendoni se e keni arritur qëllimin dhe e keni ndalur sjelljen e keqe, psikologët besojnë se dënimi sjell vetëm rezultate të përkohshme.

Në vend të kësaj, ata sugjerojnë të përdorni mënyra të tjera efektive për t’i rritur fëmijët, të cilat mund t’ju ndihmojnë në periudhë afatgjate. Por, fillimisht, ata kanë treguar arsyet se përse dënimi është i dëmshëm për ju dhe për fëmijën.

1. Dënimi nënkupton se jeni duke e tepruar. Zakonisht ndjeni nevojën ta dënoni fëmijën kur ai me vetëdije apo pavetëdije ju lëndon me veprimet e veta. Në këtë rast e keni të vështirë të qëndroni të qetë, prandaj e dënoni me metoda të ndryshme për ta bërë edhe fëmijën ta ndjejë dhimbjen. Këto shkaktojnë emocione negative për ju dhe për fëmijën dhe mund të çojnë në pasoja serioze.

2. Është sjellje dembele. Dënimi është forma më e lehtë e komunikimit me fëmijën; ai/ajo bën diçka që nuk ju pëlqen dhe ju bëni diçka që atij/asaj nuk i pëlqen. Pra, pa negociata apo shpjegime. Kjo nuk është mënyra e duhur për të rritur një fëmijë të shëndetshëm e të lumtur.

3. E ndalon fëmijën ta zhvillojë vetë-disiplinën. Detyra kryesore e prindërve është të rrisin një person që është i gatshëm të merr vendime të bazuara në eksperiencë. Por nëse e dënoni fëmijën dhe nuk i tregoni për pasojat e veprimeve të tyre, fëmija nuk do të jetë i aftë ta kuptoj atë që është mirë dhe atë që është gabim.

4. Dënimi nuk e ndryshon sjelljen e fëmijës. Fëmijët nuk mund të mësojnë kur ndihen të frikësuar, të pa respektuar apo rebelë. Dhe pikërisht këto ndjenja i kanë kur i dënoni, prandaj duhet të gjeni mënyra të tjera për edukimin e fëmijëve.

5. Dënimet ulin vetëbesimin e fëmijës. Në shumicën e rasteve, fëmijët e perceptojnë dënimin sikur prindërit nuk i duan dhe se ka diçka që nuk shkon me ta. Kjo është e dëmshme për shëndetin mendor të fëmijës dhe shkakton probleme serioze psikologjike në të ardhmen e fëmijës.

Përveç këtyre, dënimi i fëmijës po ashtu promovon frikën, dëmton lidhjen mes prindit dhe fëmijës, etj.

Si mund të veproni në vend që ta dënoni fëmijën?

Mendoni në mënyrë strategjike. Nëse e dini se fëmija sillet keq kur jeni duke blerë gjëra ushqimore në dyqan, atëherë planifikojini gjërat paraprakisht; merrni pak ëmbëlsira me vete për ta shpërqendruar ose ndonjë lodër.

Shprehjani dashurinë tuaj. Ndonjëherë, kur fëmija është i zemëruar, e gjitha çfarë duhet të bëni është t’i thoni se dëshironi ta përqafoni. Në këtë rast fëmija me shumë gjasë mund ta harroj arsyen se përse po sillet keq dhe do nxitoj t’ju përqafoj.

Gjeni arsyen pse fëmija po sillet keq. Flisni me fëmijët vetëm kur janë në humor të mirë dhe pyetini se përse sillen keq. Mund të ketë arsye prapa sjelljes së tyre dhe mund ta zgjidhni atë problem.

Caktoni rregulla së bashku. Kjo është mënyrë e mirë për të mësuar vetë-disiplinën.

Mësojeni fëmijën të marr përgjegjësi për veprimet veta. Nëse fëmija derdh aksidentalisht gotën me qumësht, dënimi nuk është mënyra më e mirë për ta rritur atë. Në vend të kësaj, ju duhet ta mësoni të marr përgjegjësi për veprimet e veta duke e nxitur t’ju ndihmojë ta pastroni rrëmujën e shkaktuar.

 

 

Burimi / telegrafi.com

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top