Në fokus

September 18, 2017 | 14:12

Psikologia i përgjigjet letrës së një nëne: “Vajzës 4 vjeç i mbahet goja, jemi të alarmuar”

Përshëndetje! Kam nevojë për ndihmën tuaj. Unë jam nënë e dy fëmijëve: një vajze dhe një djali, por nuk po e dërgoj këtë letër për vete. Sapo pata një bisedë me nënën time. Ajo jeton në Greqi me tim atë, vëllain tim, bashkëshorten e vëllait dhe dy fëmijët e vëllait: vajzën, 4 vjeç dhe djalin, 2 vjeç. Vajzës ka një vit që ka filluar t’i mbahet goja dhe kjo sapo vjen e shtohet. Ata kanë shkuar para një viti në Greqi. Nëna ime është shumë e shqetësuar, gjithashtu edhe nusja e vëllait dhe gjithë familja. Edhe babait tim i mbahet rrallë herë goja. Unë mendoj se vajza ka ngjarë nga gjyshi i saj, por do të doja të dija nëse ka terapi për këtë dhe si mund të sillemi për të përmirësuar të folurit e vajzës. Ju faleminderit!

Lediona Braho, psikologe klinike

Lediona Braho, psikologe klinike

Përshëndetje zonjë! Ju falënderoj që m’u drejtuat për ndihmë. Në fakt, “mbajtja e gojës” ose belbëzimi është diçka e zakonshme te fëmijët dy deri në pesë vjeç. Ai mund të marrë forma të ndryshme, që nga përsëritja dhe zgjatja e tingujve deri te ndalimi i të folurit në disa situata. Ndodh në këtë moshë, sepse kjo është periudha e mësimit të gjuhës. Te shumë fëmijë, belbëzimi mund të jetë i përkohshëm dhe të zgjasë me javë ose muaj, por te fëmijë të tjerë mund të zgjasë me vite.

Si mund ta kuptoni nëse belbëzimi mund të zgjasë?

Ju lutem, përgjigjuni këtyre pyetjeve për vajzën:

– A sforcohet ajo kur flet?

– A e ngre zërin shumë?

– A i ka të tensionuar muskujt e fytyrës? 

– A është përkeqësuar situata me kalimin e kohës?

Nëse përgjigjet janë “po”, shqetësimi juaj nuk duhet neglizhuar.

Foto ilustruese

Foto ilustruese

Ju thatë që vajza ka një vit që belbëzon dhe se prej një viti, familja e vëllait tuaj është zhvendosur në Greqi. Po ashtu, përmendët se babai juaj, pra, gjyshi i vajzës ka belbëzuar dhe belbëzon ende. Në fakt, belbëzimi mund të shkaktohet nga disa faktorë. I pari është historia familjare: më shumë se gjysma e atyre që belbëzojnë kanë dikë në familje që ka belbëzuar, edhe pse nuk janë gjetur gjene që e shkaktojnë. I dyti është historia e zhvillimit të fëmijës: ata fëmijë që kanë probleme ose vonesë në të folur janë më të prirur të belbëzojnë. I treti është zhvillimi i trurit: te fëmijët që belbëzojnë, gjuha përpunohet në pjesë të tjera të trurit, ndryshe nga fëmijët jobelbëzues. Të fundit, por jo me pak rëndësi, janë dinamikat familjare: marrëdhëniet mes anëtarëve, klima familjare, pritshmëritë e prindërve, stili i jetesës, ndryshimet në familje etj. Ka raste që fëmija belbëzon edhe pas një traume.

Pavarësisht shkakut, ajo që është më e rëndësishme tani, është adresimi i shqetësimit tuaj. Si fillim, do të nevojitet një konsultë me mjekun pediatër për vlerësimin e zhvillimit të fëmijës. Më pas, pediatri mund t’ju referojë te një specialist i gjuhës dhe të folurit, i cili do ta vlerësojë fëmijën dhe do të përcaktojë natyrën e problemit dhe mënyrën e trajtimit. Në shumicën e rasteve, trajtimi bëhet me teknika që e ndihmojnë fëmijën të mësojë gjuhën dhe të ndalojë belbëzimin. Natyrisht, kjo kërkon bashkëpunimin e ngushtë të familjes, në mënyrë që fëmija të përballet sa më mirë dhe ta kapërcejë shpejt këtë fazë. 

Ndërkohë, mund t’ju sugjeroj edhe disa praktika që duhet t’i përdorni në shtëpi:

Ju duhet ta dëgjoni me vëmendje atë që vajza ju thotë, duke e parë në sy me durim dhe qetësi;

Gjeni kohë për të biseduar me të çdo ditë, pa u shpërqendruar nga televizori apo stimuj të tjerë;

Flisni ngadalë me të, sepse kështu e ndihmoni që edhe ajo ta ngadalësojë të folurit (në vend që t’i thoni: Avash, fol më ngadalë!).

Po ashtu, ju duhet të krijoni sa më shumë situata të këndshme në të cilat vajza mund të shprehet, por mund të angazhoheni edhe në aktivitete të përbashkëta, të cilat nuk kërkojnë domosdo që ajo të flasë.

Mos e kritikoni, mos e korrigjoni dhe mos këmbëngulni që ajo të flasë “saktë” dhe as mos ushtroni presion që të ndërveprojë me të tjerët.

Së fundmi, ju mund të flisni me vajzën për belbëzimin: nëse ajo është e shqetësuar dhe ju pyet, dëgjojeni dhe ndihmojeni të kuptojë që këto ndërprerje në të folurit e saj janë normale dhe mund të kalojnë me kohën.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top