E ftuar në emisionin e Rudina Magjistarit, ku u diskutua për dhunën në familje, psikologia Jeta Toçila nxjerr në pah tiparet e një bashkëshorti, i cili mund të kthehet në dhunues në vijim të marrëdhënies.
“Ka njerëz që janë lehtësisht të dallueshëm, për shkak të agresivitetit si verbal dhe përdorimit të mjeteve përkundrejt personit, por më të rrezikshmit dhe më të vështirët për t’u dalluar janë ato që kanë shenjat e dhunës psikologjike. Janë manipuluesit dhe ato që duan të marrin nën kontroll jetën tënde. Ato i zhdukin numrat e shoqeve nga celulari, zhduket pasaporta, gruaja ka kontakte vetëm me shoqërinë e tij ose me familjarët e tij, pra është ajo bota e vogël, mikromjedisi që ai e mbyll vetëm aty dhe nuk e lejon të dalë jashtë. Këta janë ato më të rrezikshmit sepse duken “sheqer”, muajt e parë janë gjithmonë “muaj mjalti” dhe pastaj fillojnë të shfaqin një nga një shenjat e dhunës,” shprehet psikologia Toçila.
E pyetur se çfarë ndikon në zhvillimin e një personaliteti të dhunshëm ajo përgjigjet, “Personat e dhunshëm mund të jenë edukuar që në fëmijëri, sepse kanë parë modele të tilla, mund të kenë pasur prindër të dhunuar, të dhunshëm, mund të kenë pasur prindër të alkoolizuar. Pra alkooli i babait të tyre mund ti ketë çuar ato në frustracion dhe ato në të ardhmen bëhen dhunuesit. Është ajo që njihet në psikologji, “I dhunuari bëhet dhunues nesër”. Janë shumë faktorë, është media, është pornografia… Ai që ndjek shumë pornografi apo luajtja e bixhozit çon ato në frustracione, në frenime. Përdorimi i alkoolit sigurisht, përdorimi i drogave i bën ata që të akomulojnë shumë dhe t’i zbrazin diku.”
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.