Psikologia Orjola Pampuri foli sot në studion e Rudinës rreth prindërimit autoritar. Psikologia thekson se dhuna qoftë psikologjike, qoftë fizike nuk duhet të jetë kurrsesi një formë edukimi.
“Kemi dy lloje prindërish, autoritar dhe me autoritet. Prindërit me autoritet janë ato prindër që vendosin rregulla, vendosin të dëgjohen nga fëmijët e tyre pa i dhunuar ato as fizikisht, as psikologjikisht. Më pas kemi autoritarët të cilët vendosin ndonjëhetë përmes dhunës psikologjike dhe fizike në rastet më ekstreme. Normalisht unë jam kundër si psikologe, si nënë, por e di shumë mirë që brezi i kaluar, jo vetëm në Shqipëri kështu sillej për shkak të mungesës së informacionit”, shprehet ajo.
Ajo thekson se, edhe nëse e qëllojmë fëmijën pak tek duart ose një pëllëmbë vitheve ndikojmë negativisht në personalitetin e tij/ e saj.
“Fëmija ato dy duar i përdor për të gjetur veten, për të kuptuar, për të njohur, formëson atë konjicionin e tij/ e saj nëpërmjet eksplorimit. Dhe, nëse ti i gjuan, ose e qëllon tek duart ndërpret atë proces aq të rëndësishëm që është eksplorimi nëpërmjet të cilit ato njohin. Ato stepen për të gjetur, ato stepen për të njohur. Dhe kjo çfarë bën? Ul vetëbesimin tek ata dhe ky vetëbesim është shumë i rëndësishëm për të formësuar identitetin dhe personalitetin e mëvonshëm.
Çfarë ndodh nëse i biem vitheve? Ato mësohen me një model të tillë disiplinimi dhe nëse bazohem në satistika 1 në 4 fëmijë adult janë dhe ata përsëritës të një forme të tillë edukimi. Pra, ne rrisim një shoqëri e cila vendos autoritetin në familje, në shoqëri nëpërmjet dhunës, qoftë kjo fizike, qoftë kjo psikologjike. Kjo është pasoja që sjell dhuna fizike dhe psikologjike” nënvizon psikologia, e cila thekson se dhuna lë gjurmë të thella në psikikën, zhvillimin dhe frenon ndjenjat, ndjesitë dhe njohjen e fëmijës.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.