Pjesa më e madhe e çifteve janë të vetëdijshëm për faktin se jo çdo gjë shkon vaj në një lidhje. Megjithatë, jo gjithmonë marrëdhënia është e mbushur me probleme. Në fakt, pothuajse të gjitha problemet në çift rrjedhin nga keqkuptime që mund të evitohen…
Çiftet duhet të kenë vetëdije. Kur dy buzë bashkohen në një puthje, ato nxjerrin të njëjtin tingull. Edhe pse kemi dy sy, shikimi ynë është një. Kur ka dy abazhurë në dhomë, drita është një. Në të njëjtën mënyrë, edhe nëse një burrë e grua janë dy njerëz të ndryshëm, ata duhet të jetojnë si një entitet i vetëm.
Çiftet duhet të mësojnë të respektojnë ndjenjat reciproke dhe të dëgjojnë njëri-tjetrin me dashuri dhe shqetësim. Partneri duhet të jetë në gjendje ta ndjejë dashurinë, respektin dhe admirimin tuaj: një pranim të hapur dhe pa asnjë rezervë.
Megjithatë, të jetoni një marrëdhënie me reciprocitet të sinqertë, nuk i ruan të dashuruarit nga konfliktet, të cilat gjithsesi mund të jenë pjesë e jetës në çift. Keqkuptimet dhe jodakordësitë mund të shfaqen në jetën e përditshmërisë. Por sjellja fituese, menjëherë më pas, duhet të jetë ajo që t’i thoni: “Më vjen keq! Më fal! Nuk doja të të lëndoja. Të dashuroj! Humba durimin dhe aftësinë e të gjykuarit”. Këto fjalë siguruese do të ndihmojnë në shërimin e ndjenjave të lënduara; do të shtojnë ndjenjën e dashurisë së thellë, edhe pas një grindjeje.
Dëgjoni me vetëdije
Për të evituar që diskutimet të shndërrohen në argumente, në vend që të përqendroheni për të thënë vetëm këndvështrimin tuaj, duhet të mundoheni të kuptoni edhe vizionin e partnerit. Kur bashkëshorti është duke folur, duhet të dëgjoni me zemër, duke i dhënë të gjithë vëmendjen tuaj. Partnerët duhet të dëgjojnë me sy dhe me zemër. Në të kundërt, cili është ndryshimi mes të folurit ballë përballë, në telefon apo thjesht duke dëgjuar një regjistrim? Në klimën ku në këtë botë moderne çdo gjë ecën me shpejtësi marramendëse, shpesh harrojmë gjërat e vogla dhe të thjeshta, por që në fakt ndryshojnë jetën. Këto sjellje mund t’u provokojnë të dashurve tanë dhimbje. Mjafton të shiheni në sy dhe aty qëndron gjithë ndryshimi.
Flisni me vetëdije
Pikërisht siç kemi nevojë të dëgjojmë me vetëdije, duhet edhe të flasim me vetëdije. Nëse i përdorni në mënyrën e duhur, fjalët mund të jenë një çelës i artë, që mund të hapë çfarëdolloj zemre, por nëse fjalët përdoren për të diskriminuar, mund të bllokojnë përgjithmonë zemrën e dikujt. Kur dy zemra zbërthehen, fjala shndërrohet në një ulërimë. Kur dy zemra bashkohen, fjala shndërrohet në një mantra. Kur dy zemrat bëhen një zemër e vetme, fjala nuk ndihet më dhe gjithçka që mbetet është vetëm dashuri e pastër.
Kur dy njerëz hyjnë në një marrëdhënie, është e rëndësishme që të dy të kujtojnë se asnjëri prej tyre nuk është shenjtor. Jemi të gjithë individë të paplotësuar dhe kur bëhet fjalë për dashurinë, bëhemi të gjithë lypës, pasi e kërkojmë atë. Kemi nevojë t’i shohim gjërat nën dritën e duhur. E shohim një mace si një mace, dhe qenin si qen. Mos prisni që një elefant të jetë bretkosë apo një bretkosë të jetë elefant. Duke kuptuar natyrën e marrëdhënies suaj dhe nevojat e partnerit, duhet gjithmonë të kërkoni ta shprehni dashurinë tuaj nëpërmjet fjalëve dhe veprimeve. Nëse fjala mbetet e burgosur brenda vetes, nuk do të përfitojë askush. Veç kësaj, mënyra më e thjeshtë për të marrë dashuri është ta japësh atë. Marrëdhëniet ku ka sakrificë reciproke janë më të bukura dhe me baza të forta.
Kur një person dashuron një tjetër pa pasur pritshmëri, mund të themi se është dashuri e vërtetë…
Gënjeshtra më e famshme në botë, pra fjalët më të shprehura “Unë të dashuroj” përfaqësojnë formën më të ulët të dashurisë. Në këtë kontekst ekzistojnë tri entitete të ndryshme: unë, ti dhe dashuria. Ky dallim duhet të reshtë së ekzistuari. Në vend të pohimit “të dashuroj” duhet të jetë vetëdija “Unë jam dashuria – mishërimi i dashurisë. Në këtë dashuri ekziston vetëm “një”. Duke i qëndruar besnikë këtij uniciteti, duhet të dashurojmë të gjithë e gjithçka. Ky është spiritualitet i vërtetë. Ku ka dashuri të vërtetë, sjellja e sakrificës vjen natyrshëm. Sakrifica e vërtetë nënkupton të heqësh dorë nga shijet dhe antipatitë personale për partnerin. Duhet të jetë shpirti që lëviz çdo marrëdhënie dashurie.
Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 140
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.